Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: Që të jesh mjek…

Image result for andrea gudha

Hyrje

“Mos bëj dëm” titullohet libri bestseller i neurokirugut anglez i ditëve të sotme Henry Marsh, i përkthyer dhe i shqipëruar në mënyrë të përsosur nga eminenca e neurokirurgjisë  shqiptare  Prof. Mentor Petrela e Dr.Florian Dashi. Vet titulli i librit është intrigues. Eshtë një libër histori njerëzore (mjek-pacient)  i shkruar në formë novele, ku autori dhe përkthyesi, nëpërmjet ndjenjave të tyre jetësore, flasin me një gjuhë të përbashkët  për pacientët  e për mjekësinë.

Henry Marsh citon: “Mjekësia është propabilitet.Ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen e pacientit me siguri. Ne shpesh bëjmë gabime, jemi të njëanshëm dhe gjykimi ynë nuk është i mirë. Ne nuk e kurojmë pacientin, por ne e ndihmojmë që të jetojë edhe ca vite më shumë.dhe vazhdon:

Në një botë ideale mjekësia është një mision, ku mjeku bën më të mirën për pacientët e tij. Jo për të bërë para! Në kushte ideale duhet të jetë shteti ai që duhet të paguajë shëndetin e popullit për hir të barazisë shoqërore”.

                                                                        ***

Në Shekullin e 21-të, pas vitit 2010, kemi një progres të jashtzakonshëm të shkencës së mjekësisë, fal Teknologjisë mjekësore dhe Industrisë farmaceutike. Por, Shkenca e Mjekësisë dhe Mjeku, sot, duken se janë nën ”pushtetin” e tyre! Problem sa shkencor e etiko-moral dhe, po aq i shtrirë  në  rrafshin psiko-social!

Europa, sot po përballet me një sërë sfidash të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Ajo, për të përballuar,nga njera anë, krizën ekonomike, plakjen e popullatës e progresin teknologjik- virtual dhe nga ana tjetër, shëndetin  e  njeriut, që jeton në një botë globaliste e të ekonomisë së tregut dhe që është në vartësi financiare të progresit të teknologjisë mjekësore dhe të industrisë farmaceutike, ka venë në pikpyetje sistemet shëndetësore të trashëguara nga shek. 20-të.

Në ditët e sotme, Sistemet Shëndetësore  gjënden nën presionin e katër faktorëve revolucionarizues, që imponojnë, por edhe mundësojnë ndryshime substanciale për funksionimin sa më efikas të tyre:

1.Faktori social, lidhet me evolucionin dhe demokratizimin shumëplanësh shoqëror, si përparësi, prioritet edhe të drejtat e individitit  lidhur me kujdesin shëndetësor.

2.Revolucioni teknologjik i lidhur me novacionet e mjeteve, aparaturave, barnave, metodave e procedurave të reja shëndetësore.

3.Revolucioni informatik, lidhur me progresin e sistemeve shëndetësore drejt modernizimit, ku një rol të rëndësishëm ka ndikuar kompjuterizimi i të gjithë hallkave të sistemit shëndetësor.

4.Revolucioni menaxherial. Koncepti i trajtimit të shëndetit të njeriut si produkt i një institucioni shëndetësor dhe  kostua e lartë e teknologjisë mjekësore  e asaj farmaceutike, sollën në krye të agjendës së sistemeve shëndetësore, konceptin e menaxhimit shëndetësor, si faktor përcaktues të përballimit të kostos financiare të shërbimeve shëndetësore ( kosto-efikasitet), që ofrohen në raport me burimet e disponueshme të çdo vëndi, sado i zhvilluar qoftë…

***

Shërbimi mjekësor është “pasqyrë ”e Sistemit Shëndetësor, mjeku është  “pasqyrë ” e  Shërbimit Mjekësor.

Montesquieu ( shek.19) , në kohën e tij shkruante: “Nuk janë mjekët që na mungojnë, por është mjekësia që na mungon”.

Në ditët e sotme kemi frikë se mos është e kundërta dhe, të thuhet se: “Nuk është mjekësia që na mungon, por na mungojnë mjekët e vërtetë”

Që në vitin 1937, Rene Leriche ( kirug, fiziolog francez) në leksionet e tij në Kolegjin e Francës, deklaronte: “Mjekësia, e tërhequr nga një vorbull zbulimesh, është si e trullosur. E dehur nga analizat dhe nga gjërat e reja, ajo aspiron për një minutë sintezë. Pa e pranuar , ajo ka frikë, ndien rrezikun, të cilit, nuk do të mund t’i rezistojë. Ky rrezik është harrimi i njeriut, që është objekti i saj, NJERIU, si një qenie njerëzore në një organizëm të vetëm prej “mishi dhe ndjenje”.

Dija, përvoja, gjykimi i shëndoshë i mjekut  luajnë gjithnjë një rol kryesor në marrëdhëniet me pacientin. Kjo punë nuk mund të kryhet asnjëherë nga një makinë elektronike, sepse ajo nuk mund të ketë asnjëherë “nuhatjen dhe syrin  klinik”.

Me të drejtë shtrohen pyetjet:

1.Fakultetet e Mjekësisë, a janë në gjendje të formojnë studentë me njohuritë e duhura teoriko-praktike në përballje me ushtrimin e profesionit të mjekut në shek. e 21-të?

2.A i gjen mjekët të përgatitur nga ana profesionale dhe etiko-morale, që të përballojnë  sfidat e mjekësisë së këtij shekulli?

Evropa, po kërkon për të gjetur mënyra të reja për mundësitë e punësimit në sektorët e shërbimeve shëndetësore. Kjo ka të bëjë  me evolucionin e profesionit të mjekut në drejtim të edukimit dhe formimit profesional. Në këtë mjedis mjaft të brishtë, Bashkimi Europian, si gjetje rrugëzgjidhjeje ndaj kësaj përballjeje, është i përqëndruar tek Arsimi, Mësimdhënia dhe Formimi profesional i detyrueshëm gjatë gjithë jetës.

Këto probleme, sot janë të përbashkëta për vendet e zhvilluara, ndaj shtrohet një problem madhor para tyre, që Sistemet Shëndetësore të Komunitetit Evropian duhet “të harmonizohen dhe jo të njësohen”!

Misioni i Universitetit është të plotësojë dy kërkesa të domosdoshme: Formimin profesional dhe formimin e mendjeve, pra me kulturë të përgjithshme, pa neglizhuar as njerën e as tjetrën.

Fakultetet e Mjekësisë janë shkolla profesionale. Ato mësojnë  jo vetëm “një dije” për shëndetin e njeriut  por, gjithashtu, edhe njohuri të përgjithshme  për mënyrën e të jetuarit, që luan një rol shumë të madh në artin e marrjes së anamnezës së të sëmurit: të pyeturit, observimi, reflektimi me gjykimin e shëndoshë dhe shpirtin kritik,  me dhembshuri, me ndërgjegje dhe me respekt ndaj dinjitetit human.

Programet mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, metodologjia, pedagogjia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies, infrastruktura didaktiko-pedagogjike,  praktikat  si dhe formimi i pedagogëve në Fakultetet e Mjekësisë, janë gjithmonë në lëvizje, në vartësi të progresit shkencor dhe të kërkesave të kohës.

Sot, në Evropë, modeli i formimit arsimor e profesional është i standardizuar me Kartën e Bolonjës. Por, Karta e Bolonjës  jep vetëm orientimet dhe udhëzimet e aplikimit, por jo modelin. Kjo dobësi ndjehet veçanërisht në shkencat mjekësore…

Më poshtë, shkurtimisht, le të shohim evolucionin historik të kritereve të studentit për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Deri në shekullin XIX, për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, kërkohej matura klasike. Mësimi klasik, analiza gramatikore e shpjegimi i teksteve, që duket se janë në gjendje të japin mprehtësinë dhe zhdërvjellësinë e mendjes, të nevojshme për të ushtruar mjekësinë.

R.Dumik citonte:“Më të mëdhenjtë, që përpara autoritetit të tyre  ne duhet të përkulemi, Pastëri dhe Klod Bernard  shikonin te letërsia  idetë e përgjithshme dhe pranonin se edukimi i lartë i mendjes, që i detyrohet kulturës klasike, ishte i nevojshëm për vazhdimin e punëve të tyre” Shënim. Pastëri dhe Klod Bernardi kanë bërë pjesë, si në Akademinë Franceze, ashtu dhe në Akademinë e Shkencave.

Mjekët e mëdhenj të shekullit të XIX kanë mbetur të famshëm në saje të gjuhës së qartë dhe të përpunuar të veprave të tyre. Disa fragmente citohen si pjesë të vërteta antologjike nga të huajt, kur vizitonin mjekësinë në Francë:  “Është kurioze  të vihet re se, këtu, në Paris, nuk duhet të shkosh në shkollën e drejtësisë dhe as në Sorbonë për të dëgjuar profesorë elokuentë, por në Fakultetin e Mjekësisë”.

Në gjysmën e parë të shekullit XX,  për të qenë mjek, merreshin maturat e filozofisë ose të shkencave natyrore, sepse një mjek, në radhë të parë, duhet të dëgjonte dhe të fliste  në mënyrë të qartë, ndaj ai duhet të ishte  i informuar për shkencat biologjike dhe për aspektet e ndryshme të jetës së brendshme.

Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, formimi mjekësor ka marrë një orientim tjetër. Konkursi për t’u pranuar në Fakultetin e Mjekësisë është kryesisht shkencor, bazohet tek shkencat e natyrës: Biologjia, Kimia.

Në Shqipëri, pas ndryshimeve demokratike  filloi reformimi i Fakultetit të Mjekësisë në drejtim të riorganizimit strukturor e të procesit didaktiko-pedagogjik me Dekan, Prof. F.Meksi ( 1993-1997). Pedagogët dhe studentët e F.M tani kishin në dorë rreth 60 tekste të Universitetit 7 të Parisit të përkthyera …              

Në shekullin ekzistues kemi të bëjmë me një mjekësi moderne të sofistikuar, që punon në kushte tekniko-shkencore dhe etiko-morale krejtësisht të ndryshme në marrëdhëniet me pacientin.

Mjekësia po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, duke qenë se po futen teknologji  të reja. Por edhe jetëgjatësia e njerëzve  po  rritet: 80, 90, 100 vjeç… Sot inxhinjerët gjenerikë po u zenë vendin mjekëve! Në epokën e re, që po jetojmë, objektivi i shëndetësisë moderne është Cilësia e Jetës dhe Dinjiteti human.

A i përgjigjet këtij realiteti metodologjia e aplikantit në konkurrim, apo në kurrikulat e edukimit e formimit arsimor në Fakultetin e Mjekësisë?

Mjek i përgjithshëm dhe specialist

Mjekësia është një “Dramë” e shkruar nga  njerëzimi  ndërshekuj, ku mjeku duhet të luaj gjithmonë rolin kryesor gjatë gjithë jetës së tij. Shpesh “Drama” ka përfundim tragjik…

Vet shkenca e mjekësisë është shkencë e integruar me të gjitha shkencat e tjera dhe ecën paralel me progresin e tyre. Kjo kërkon, që, dhe  mjeku si profesionist i shkencës së mjekësisë, duhet të ketë një formim profesional integral dhe të plotësuar me kulturën e përgjithshme në praktikën profesionale.

Një dallim thelbësor duhet të bëhet midis  kulturës  së   përgjithshme profesionale  dhe kulturës  të specializuar  në një fushë të caktuar të mjekësisë. Mendja e kultivuar me kulturë të përgjithshme në njesinë e kohës e grupon informacionin, e zgjedh dhe e përzgjedh, e analizon, e gjykon, e racionalizon, e përpunon dhe krijon mbi të.

Specializimi në Mjekësi është një  pasojë  e detyrueshme dhe kusht i progresit të  shkencës së  Mjekësisë  në  përgjithësi. Sa më i ngushtë të jetë një specialitet, aq i domosdoshëm është zotërimi i tij, ashtu siç duhet. Thuhet se specialisti di shumë në një fushë të ngushtë dhe ai mund të mos dijë atë çka nuk bën pjesë në specialitetin e tij.

Edgar Morin citon: “Specializimi është një sakatim i mendimit”.

Disiplinat e specializuara në të vërtetë kanë prirjen ta copëzojnë organizmin e njeriut.  Por, qeliza, indi, organi janë  pjesë  e së  tërës, që  përbëjnë  në tërësi, nga ana organike dhe funksionale, organizmin e njeriut. Pra, në mjekësi, vuajtja e një organi duhet vlerësuar si pjesë e gjithë organizmit të njeriut. Kjo kërkon sot kujdesin holistik ndaj organizmit të sëmurit dhe, jo vetëm në aspektin biologjik.

Bota sot kërkon  jo vetëm specialistë të aftë nga pikëpamja profesionale, por edhe njerëz të mësuar, të aftë të vendosin analogji, të jenë mbartës të krijimtarisë, gjë për të cilën  kërkohet zotërimi i  njohurive të përgjithshme profesionale e kulturore.

Eshtë për të ardhur keq, që mjekët sot, duke qenë të  varur nga teknologjia mjekësore,  të kufizuar në kryerjen e procedurave mjekësore vetëm të specialitetit të ngushtë  dhe,  të angazhuar gjithmonë  e më  tepër me detyra administrative, veçanërisht  në  dokumentacionin e sigurimeve shëndetësore, i lënë pak kohë dialogut, kontaktit afektiv  me  pacientin dhe studimit.

Pa koment.  Bioetika

Diploma në mjekësi të ndalon të shkelësh ligjin dhe të pengon të kapërcesh moralin!

 

Ndryshimet e sistemit politik në  Shqipëri filluan të reflektohen dhe në sistemin shëndetësor. Në zbatim të diraktivave të KE, u hartua legjislacion i ri në përputhje me kushtet konkrete të funksionimit të shëndetësisë. Erdhën mjekë të rinj të formuar jashtë shtetit me dëshira e me ide të reja aplikative në fushën e mjekësisë. U fut teknologjia moderne, filluan të aplikohen  teknika mjekësore të kohës si transplanti. Filloi të lulëzojë sektori privat dhe u shtua ndjeshëm nomeklatura e barnave etj.

Në vitin 1995, Ministri i Shëndetësisë, Prof. M.Cikuli ( 1994 – 1997), krahas implementimit të reformës së thellë në sistemin shëndetësor,  inicioi organizimin e një  konference ndërkombëtare mbi Bioetikën  me lektorë të ardhur nga Asistenca Publike e Spitaleve –Paris. Në vitin 19998 u ngrit Komiteti Kombëtar i Etikës Mjekësore, si një organ konsultativ pranë MSH..?

Morali është elementi principial ndërnjerëzor, veçanërisht në  figurën e mjekut  në ditët e sotme!

Qysh në  Antikitet, Hipokrati, babai i Mjekësisë Moderne, konstatoi se ushtrimi i mjekësisë  bazohet  në  të  dhënat  klinike, por udhëhiqet nga morali e nga parimet profesionale, që u pasqyruan tek “Betimi i Hipokratit”.

“Betimi i Hipokratit” në rradhët e mjekësisë gjeti aplikim në të gjitha shkollat mjekësore në Evropë deri në  shek.19-të . Më  vonë  erdhi duke u sfumuar…aq sa, në  ditët e sotme është  si “antikuar” në  terrenin ku punon  mjekësia e ku dominon materializmi i shpirtit njerëzor.

”Sipas një gojëdhëne thuhet se Hipokrati, meqë filloi të bëhej nervoz pas dy mileniumesh të kaluar në Fushat Eliziane, u kthye në tokë dhe kërkoi të pranohej në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit për të vëzhguar se çfarë përparimesh ishin bërë në këtë profesion, që nga koha e tij.

Me pamjen e sigurt të një studenti të  Harvardi të vitit të fundit, që kishte marrë plot tetëqind pikë në Vlerësimin Mjekësor dhe që, gjithashtu kishte përshkruar një milje në katër minuta, ai hyri në intervistë i qetë dhe me besim të plotë në vetvete. Kur u pyet nga intervistuesi, mjeku i respektuar ortoped Kristofer Douling e pyeti, se “çfarë konsideronte si parimin themelor të mjekësisë?”. Hipokrati citoi vetveten me ndjenjë besimi të tepruar: “Të paktën, mos bëj dëm!” Me këtë përgjigje Hipokrati u përjashtua…!

  U bë goxha debat rreth asaj se çfarë duhej të kishte thënë. Një shkollë mendimi mbështet idenë, që parimi themelor i mjekësisë së kohëve  moderne  është të zbulojë nëse pacienti ka siguracion Kryq Blu apo Mburojë Blu. Po kjo është sa cinike, aq edhe e pa saktë. Thelbi i vërtetë i filozofisë moderne mjekësore, që nuk pranohet vetëm nga një grusht renegatësh altruistë, është që mjeku nuk duhet të pranojë kurrë se ka gabuar.(E.Segal)

Në Amerikë sot ekzistojnë të gjitha llojet e feve, por të tërë bien dakort në një pikë: “Zoti dhe mjeku, ose anasjelltas, Mjeku dhe Zoti”. Në Greqinë fqinje ekziston shprehja: “Ta kesh mirë me Perëndinë, me mjekun dhe me komshinë”

Në vitin 2006, Prof. I.Kalo, i porsa  kthyer  nga OBSH,  me përvojë të gjatë ndërkontinentale dhe me vizion të qartë evropian për Sistemet Shëndetësore, krahas ngritjes së QKCSAISH,  ideoi dhe themeloi Fondacionin Mjekësor Shqiptar Hipokrati  me qëllimin e mirë për të promovuar e motivuar shëmbullin pozitiv të figurës së mjekut…?

Ishin elemente perëndimorë, mbështetës, esencial të Sistemit Shëndetësor në tërësi e udhërrëfyes për mjekun në veçanti, por, për fat të keq, ato ngelën si një shkëndijë dhe me kalimin e viteve flaka e tyre u venit shpejto…?  Endërra të pa realizuara…!

Shenjë optimiste! Gjatë përvojës sime si pedagog kam konstatuar, se në rradhët e studentëve të porsadiplomuar në Mjekësi, “Betimi i Hipokratit” ka efekt pozitiv, krijon emocione  dhe lë ndjesi në kujtesën e tyre…veçse, kjo ndjesi arrihet kur ceremonia e diplomimit organizohet me seriozitetin dhe me ndjeshmërinë e duhur. Dita e diplomimit, De juro të jep titullin profesional “Mjek/e”, por, De facto është Jeta që e vërteton Diplomën!

Pak koment

Zhvillimi dhe riprodhimi i një kombi varet nga mirëshëndeti i popullatës. Në këtë strategji kombëtare për një Komb, rolin kryesor e luan Mjeku. Por, dhe mjeku është si gjithë qëniet e tjera njerëzore…! Mjeku, krahas problemeve të tija personale, duhet të përballojë dhe të mbartë në vetvete dhe problemet e shoqërisë në aspektin mjekësor, psikologjik e social. Për mjekun është “Infract Miocardi” dhe, për shoqërinë është “Asfiksi”, kur roli i mjekut nuk ndihmohet dhe motivohet dhe, aq më keq, kur nuk kuptohet nga Qeveria e një vendi.

Episod.

Në  vitin 1991 kisha një  problem shëndetësor. Më  duhej të  bëja disa analiza biokimike. Në  pamundësi për t’i realizuar në spitalin e  Gjirokastrës, ku unë punoja si mjek pediatër, kontaktova  në  telefon me mjekun  laborant ( grek)  Dr.Mihal Pandeliu, i cili kishte laboratorin e tij  privat në  Janinë . Me sasinë  e gjakut  shkova në  laboratorin e tij në  Janinë. Në përfundim të analizave  më dha rezultatin e tyre. Unë  ju drejtova duke e falenderuar dhe i afrova  një  sasi dhrahmishë  për  punën e bërë  e aq më  shumë  në  laboratorin e tij privat.

Dr. Mihali, me moshë rreth të 60 viteve, i skuqur në fytyrë, më përqafoi dhe me shumë dashamirësi më  tha :

“Midis mjekëve ne kemi një ligj të pashkruar, që duhet të ndihmojmë njeri tjetrin… Me profesionin e mjekut nuk mund të bëhesh kurrë i pasur, por e jeton jetën mirë..!”  

                                                                        ***

Epilog

Impresion profesional

 

Pavioni i Pediatrisë, ku ndahet jeta nga vdekja. Në mjekësi është i rendësishëm komunikimi direkt me pacientin. Vdekja është tinzare, kapriçoze dhe përfiton nga pa mundësia e mjekut pediatër për të komunikuar direkt me foshnjën e sëmurë,  për të kuptuar shqetësimet e foshnjës dhe për të vendosur sa më shpejtë diagnozën e sëmundjes.

…Momente gëzimi e falenderimi kur fëmija del i shëruar nga spitali, çaste hidhërimi e ankesa në rast vdekje…. rëndim i gjëndjes shëndetësore të fëmijës, vdekje të pa pritura, britma nënash, ”autopsi e bardhë”, raste mediko-ligjore, diagnoza të vështira, sindrome e raste të rralla, urgjenca, netë pa gjumë. Emocione, stres e ankth…

Në këtë kuadër “dramatik”, profesional e human, është i domosdoshëm komunikimi njerëzor midis personelit mjekësor të shprehur me elementet bazë të bashkëpunimit, të kolegjialitetit e të solidaritetit, që do të kurorëzohen me sukses me punën në ekip, të aq shumë të domosdoshëm sot në të gjitha fushat e mjekësisë.

Mirënjohje!

Këtë solidaritet profesional e human, brezi im i mjekëve pediatër e kanë gjetur tek pedagogët tanë në Fakultetin e Mjekësisë e, veçanërisht, tek pedagogët e nderuar të  Pediatrisë, që, në çdo kohë ata ishin për ne pika reference në zgjidhje të enigmave të Pediatrisë dhe model për mbarëvajtjen e shërbimit pediatrik në çdo skaj të Shqipërisë.

Përfundim

Që të jesh një mjek i aftë profesionalisht:

  1. Duhet të zotërosh kulturën profesionale e etiko-morale të përditësuar e të integruar me kulturën e përgjithshme.
  2. Mjeku është student gjatë gjithë jetës!

Shtator, 2017

 

Please follow and like us: