Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti i britanikëve: Përplasja mes nacionalistëve të Veriut dhe komunistëve të Enverit

Memorandumi i 3 oficerëve britanikë në 1945 për Luftën Civile. Si u lanë në baltë nacionalistët nga misioni britanik dhe nga gjermanët në mesin e vitit 1944

Midis oficerëve britanikë që luftuan dhe drejtuan operacione lufte në Shqipëri në vitet 1943-1944, 3 prej tyre ishin nga më aktivët dhe që qëndruan më gjatë. Billi Meklein, Dejvid Smajli dhe Julian Amery. Fillimisht, dy të parët erdhën më herët në Shqipëri, në prill të 1943, dhe formuan brigadën e parë.

Më pas ata u rikthyen në pranverë të vitit 1944 për të qëndruar për disa muaj pranë shtabit të Abaz Kupit dhe mijëra forcave të tij. Në përfundim të luftës, të 3 oficerët hartuan një memorandum prej mbi 40 faqesh dhe ia paraqitën Ministrisë së Jashtme Britanike ku raportuan me hollësi për misionet e tyre.

Memorandumi i tyre konsiderohet më i ploti për shkak se ata njihnin terrenin më mirë se kushdo. Ata punuan si pranë komunistëve, ashtu edhe pranë nacionalistëve, duke dhënë detaje mjaft interesante gjatë punës së tyre ushtarake në Shqipëri. Në raportin e tyre të gjatë, ata përshkruajnë me hollësi përplasjen mes nacionalistëve dhe komunistëve gjatë luftës, duke e cilësuar një luftë të mirëfilltë civile.

Prania e tyre pranë shtabit të Abaz Kupit deri në shtator 1944 u kthye në një problem të madh për Enver Hoxhën, i cili këmbëngulte për largimin e tyre, por oficerët britanikë përshkruan përplasjen ushtarake të nisur mes shqiptarëve pas qershorit 1994, kur brigadat komuniste vendosën të kalojnë lumin Shkumbin e të nisen për në veri.

Në numrin e sotëm është pjesa e raportit ku 3 oficerët britanikë raportuan për luftën civile, përpjekjen e fundit që bënë nacionalistët të bashkohen kundër komunistëve, si dhe arsyet se pse britanikët nuk i ndihmuan me armë e municione.

Billy McLean dhe Julian Amery

Vlen të theksohet se pas luftës të 3 oficerët patën karrierë brilante. Billi Meklein do të zgjidhet deputet në Parlamentin Britanik, por do të ndahej shpejt nga jeta, në vitet ’60. David Smajli do të vijonte karrierën ushtarake duke u dekoruar shumë herë dhe do të punojë për çështjen shqiptare.

Ai stërviti qindra shqiptarë në Maltë në fundin e viteve ’40, të cilët desantonin në Shqipëri kundër regjimit të Enver Hoxhës. Ai do të kthehej ndër të parët në Shqipëri në vitin 1991 dhe ishte një pro shqiptar dhe antikomunist i vendosur. Vdiq në vitin 2009. Julian Amery do të martohej me vajzën e kryeministrit britanik Makmillan dhe më pas do të zgjidhej deputet e ministër në një nga qeveritë konservatore.

 

Ai ishte një antikomunist i vendosur, që gjithnjë ngriti shqetësimin se Britania nuk bëri sa duhet me Shqipërinë duke e lënë në komunizëm. Ai do të rikthehej në Shqipëri në vitet ’90 dhe tepër krenar që Shqipëria u kthye e lirë dhe demokratike. Në vitin 1994, Smajli dhe Amery inauguruan varrezën e ushtarakëve britanikë të rënë në luftë pranë Kodrave të Liqenit.

PJESË NGA MEMORANDUMI I 3 OFICERËVE BRITANIKË LUFTA CIVILE DHE PROBLEMI I BASHKEPUNIMIT ME OKUPATORIN

Ofensiva e Forcave Nacionalçlirimtare (FNC) kundër Kupit nisi më 5 korrik dhe qysh nga ai moment, ai qëndroi në Lurë deri në mëngjesin e 7 korrikut për t’u takuar me Smithin. Aty nga mbrëmja e 7 korrikut ai u ribashkua me trungun kryesor të forcave të tij pranë Burrelit.

Në atë kohë, Forcat Nacionalç- lirimtare kishin pushtuar tashmë të gjithë luginën e Shupalit, përfshirë shtabin qendror të Kupit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar në këtë mënyrë atë nga pjesa më e madhe e territorit që kishte në zotërim dhe burimin e potencës së forcave të tij.

 

Kjo situatë ishte e rëndë dhe pasi dha udhëzime për mbrojtjen e pjesës perëndimore të Matit, ai nxitoi të çante përmes kalimit të Qafështamës, për të shkuar te baza e tij në Luzë, me qëllim që të mobilizonte forcat e tij të mbetura atje për mbrojtjen e rajonit të Krujës, që tashmë kërcënohej nga forcat Nacionalçlirimtare pranë Bastarit.

Oficeri britanik Billy McLean gjatë qëndrimit në Shqipëri

Ofensiva e FNC-së kundër Dibrës dhe Matit, që kërcënonte gjithashtu Mirditën, solli në fund themelimin e një aleance mes Kupit, Gjon Markagjonit, Fiqiri Dines dhe regjencës kundër FNC-së. Ishte pikërisht kjo aleancë për të cilën kishin punuar më kot Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri dhe bashkëpunëtorë të tjerë të gjermanëve, fill pas kapitullimit të Italisë dhe tani që pozicioni ushtarak i Kupit ishte kritik, ishte koha e duhur për një iniciativë politike nga kolaboracionistët e Tiranës.

Si rezultat, bisedimet ka të ngjarë të jenë zhvilluar në Luzë (11 korrik) mes Kupit, Mustafa Krujës, Mark Gjonmarkajt, djalit të Gjon Markagjonit dhe përfaqësuesve të Fiqiri Dines dhe Mehdi Frashërit. Asnjë akuzë për bashkëpunim me armikun nuk u ngrit ndaj Kupit gjatë periudhës përpara takimit të Luzës dhe nuk ka dyshim që pas 6 shtatorit ai ishte në konflikt të hapur me gjermanët.

Si rrjedhojë është pikërisht periudha ndërmjet 11 korrikut dhe 6 shtatorit për t’iu referuar të gjitha këtyre ndryshimeve. Është e vërtetë se rreziku i revolucionit social që kanosej nga FNC-ja krijoi një komunitet interesash mes Kupit dhe elementëve kolaboracionistë dhe është e mundur që kontaktet që kishin ekzistuar përherë mes tyre, siç kishin ekzistuar në të vërtetë mes kolaboracionistëve dhe FNC-së, patën një karakter më pak informativ. Është gjithashtu e vërtetë se pas takimit të Luzës dhe ka të ngjarë si rezultat i tij, Kupi siguroi 30.000 municione dhe në një rast 20 kamionë për transportimin e civilëve, gjatë të cilit ai nxitoi me forcat e tij përmes Qafështamës, për t’u lehtësuar disi në rajonin e Matit.

fax

Në gjashtë javët e ardhshme ai ndau racione buke për trupat e tij, duke i siguruar nga bukëpjekësit në Tiranë, për të cilat ka të ngjarë që organizata e tij të ketë paguar. Natyrisht që qeveria ishte përgatitur të inkurajonte fushatën e Kupit kundër Frontit Nacionalçlirimtar, ndërsa gjermanëve mendohet se u mjaftonte fakti që të vinin re se përpjekjet e FNC-së drejtoheshin më shumë kundër zogistëve sesa kundër objektivave gjermane.

Ka gjithashtu të ngjarë që Kupi të ishte në dijeni të vendimit të Fiqiri Dines për krijimin e një qeverie me simpatizantë të Zogut apo të Ballit, me synimin që ta përdornin makinerinë shtetërore kundër FNC-së, ndërsa Fiqiri Dine pranoi më vonë letrën për të siguruar para kesh dhe armë nga gjermanët. Dokumente të tilla që ranë në dorë të gjermanëve të lënë përshtypjen se letra e konsideronte Kupin si agjent britanik dhe në përgjithësi qoftë në sferën ushtarake, ashtu edhe në sfer- ën politike, ne nuk qemë kurrë në gjendje të kuptonim se ndonjë bashkëpunim me pushtuesit nga ana e Kupit do të kishte qenë i palogjikshëm.

Ai e dinte mjaft mirë se pozicioni i tij politik përveç faktit se bazohej në një influencë territoriale lokale, rridhte plotësisht nga zotërimi i tij i mirë i anglishtes dhe fakti se ai përfaqësonte Mbretin Zog, i cili ndodhej në Angli. Duke bashkëpunuar me gjermanët, disfata e të cilëve ishte në çdo rast e sigurt në atë periudhë, ai do ta kishte humbur menjëherë reputacionin e tij dhe do të kishte qenë asgjë më shumë sesa një prej bashkëpunëtorëve të shumtë të pushtuesit dhe një analfabet në këtë aspekt.

BILLY MCLEAN, SE BASHKU ME ENVER HOXHEN, XHELAL STARAVECKEN DHE DALI NDREUN

BETEJA FINALE E NACIONALISTËVE

Pozicioni i nacionalistëve u përkeqësua gradualisht aty nga muaji gusht. Kupi nuk kishte siguruar furnizime nga britanikët dhe influenca e tij kufizohej tashmë në Krujë dhe në Shijak, ndërsa Fiqiri Dine nuk arriti të siguronte as para kesh dhe as furnizime nga gjermanët, të cilët duke qenë mosbesues ndaj shqiptarëve, iu kundërvunë edhe ballistëve duke ekzekutuar Skënder Muçon me dyshimin se kontaktonte me anglezët dhe dëbuan disa ballistë nga Vlora drejt kampit të përqendrimit në Zemun.

Sidoqoftë, natyra e propozimeve të Smithit, pavarë- sisht nga dështimi në pamje të parë, fakti se një mision britanik vazhdonte të kishte besim te Kupi dhe shembujt e revolucioneve rumune e bullgare, ku figura të tilla borgjeze dhe pjesë- marrëse aktive si Maniu dhe Giorgiefi ishin pjesë e qeverive të reja, i nxitën ata të besonin se britanikët nuk kishin për qëllim të lejonin që Fronti Nacionalçlirimtar të siguronte monopolin e pushtetit të pasluftës.

Më 18 gusht, Fiqiri Dine dhe gjenerali Prenk Previsi, shef i shtabit të ushtrisë shqiptare, u takua me Kupin në Luzë për të kërkuar këshillën e tij lidhur me politikën që duhet të ndiqnin. Kupi propozoi që së bashku me Gjon Markagjonin dhe ballistët, ata duhet të largoheshin nga Tirana me të gjitha forcat që kishin në dispozicion dhe të bashkoheshin me të në male kundër gjermanëve.

Fiqiri Dine dhe Prenk Previsi duket se i joshi ky propozim, por vendosën që më parë të kërkonin mbështetje nga anglezët. Në përputhje me rrethanat, Kupi na informoi lidhur me këto negociata, të cilave ne iu referuam si Forca 399, duke qenë të pasigurt nëse një plan i tillë do të pajtohej me politikën ndaj Shqipërisë që ne e dinim se ishte në diskutim e sipër.

Më 24 gusht, një tjetër takim u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e Fiqiri Dines, Shefqet Vërlacit, Qemal Vrionit, Nuredin Vlorës, Midhat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, ku u vendos të pranoheshin propozimet e Kupit për Fiqiri Dinen në rast se do të vinin ndihma nga anglezët.

Më 29 gusht, sipas udhëzimeve të Forcës 399, ne e informuam Kupin që t’ua transmetonte nacionalistëve të Tiranës se do të përgatiteshim për të marrë në konsideratë qëndrimin tonë ndaj tyre në rast se ata do të paraqisnin propozimet e tyre. Po më 29 gusht, Kupi na informoi se kishte vendosur të rifillonte operacionet kundër gjermanëve dhe t’i sulmonte në Durrës. (Një plan për të cilin ne ia kthyem mendjen, pasi majori Smiley (Smajli) e njihte mirë kapacitetin mbrojtës të këtij qyteti).

Më 31 gusht, Fiqiri Dine dhe qeveria e tij dha dorëheqjen. Më 2 shtator, me kërkesën tonë, Kupi u zhvendos në zonën e Prezës për të ndihmuar në shkatërrimin e trupave të Turkestanit, që gjendeshin mes Durrës dhe lumit Ishëm. Më 5 shtator, u morën udhëzime nga Forca 399 “për të bërë ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë”.

Më 6 shtator, një çetë zogiste nën drejtimin e djalit të madh të Kupit, Petritit, së bashku me një skuadër ushtarake të Turkestanit, sulmoi dhe mori nën kontroll shtabin e një baterie gjermane duke vrarë 10 gjermanë dhe duke sekuestruar materiale luftarake. Operacione të mëtejshme nga ana e forcave zogiste u kryen më 9, 10, 11, 12, 14, 20, 21 dhe 24 shtator.

Më 6 shtator, si rezultat i garancive që na u dhanë, liderët e Ballit – Midhat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Koço Muço dhe Vasil Andoni u larguan nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin, duke sjellë me vete rreth 600 forca nën drejtimin e Abaz Ermenjit, të cilat u vunë nën komandën e Kupit. Të njëjtën ditë, Fiqire Dine, Prenk Previsi dhe Hysni Dema u larguan gjithashtu nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin.

Më 9 shtator (4 ditë pasi ne ishim udhëzuar të bënim ç’është e mundur që Kupi të hidhej në luftë) dhe tri ditë pas fillimit të operacioneve, u morën udhëzime nga Forca 399 që urdhëronin kolonel-lejtënant McLean, majorin Smiley dhe rreshterët Jones and Jenkins të ktheheshin në Itali për të raportuar.

Udhëzimet bënin të ditur më tej se nuk do të dërgohej asnjë furnizim për nacionalistët dhe se kapiteni Amery, i cili ishte shefi i përkohshëm i misionit, duhet të vepronte si vëzhgues i paanshëm dhe të mos inkurajonte Kupin për të luftuar.

Këto udhëzime u konfirmuan dy herë në telegramet që pasuan, veçanërisht në fillim të luftës civile dhe më vonë kur dështimi i misionit të Smithit u bë evident, pikërisht atëherë kur ne mund t’i kishim braktisur nacionalistët me një lloj konsistence në dukje. Sidoqoftë, për ta bërë këtë në momentin më oportun kur vareshim nga udhëzimet dhe garancitë që na jepte autoriteti i Forcës 399, ata sërish kishin fituar terren ndaj gjermanëve, ne e gjetëm veten të ekspozuar ndaj akuzave të rënda për mungesë mbështetjeje dhe prerje në besë që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa.

FAZA E FUNDIT

Vendimi për të mos u siguruar nacionalistëve mbështetje materiale apo propagandistike ishte dhe goditja vdekjeprurëse ndaj kauzës së tyre. Të dëbuar nga pjesa më e madhe e territorit që ata kontrollonin më parë, të gjendur në luftë si kundër Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ), ashtu edhe kundër gjermanëve, pa të drejtën për të hyrë në Mirditë, ndaluar nga Gjon Markagjoni nëse ata nuk paguanin, dhe të paaftë për të siguruar më ndihmë nga tregtarët tiranas, nacionalistët u gjendën në një krizë së cilës nuk do t’i mbijetonin.

Ndoshta do të ishte plotësisht e vërtetë të thuhej se nga ky moment asgjë nuk ishte më e vlefshme, me gjithë ndikimin e tyre të vogël që gëzonin ende, përveç zbarkimit të trupave britanike të përgatitura për t’i mbrojtur nacionalistët të paktën nga forcat e Frontit Nacionalçlirimtar. Por kjo shpresë e fundit u shua kur u detyruam të refuzonim një kërkese të Abaz Kupit në kohën e zbarkimit në Sarandë për t’u ardhur në ndihmë të drejtpërdrejtë në operacionet në Durrës dhe në rrugën Tiranë- Shkodër.

Më vonë, pasi ai e kuptoi që largimi ynë ishte tashmë i përcaktuar, ai filloi të shpërndante trupat e tij, një vendim për të cilin ne ishim këshilluar ta përkrahnim, duke mos qenë në gjendje t’i mbante ata në mënyrë të pavarur dhe njëkohësisht duke refuzuar të kërkonte mbështetje nga kolaboracionistët e mbetur.

Më 12 tetor, Kupi zmbrapsi një sulm të forcave gjermane kundër bazës sonë në Velesh (Veljes) dhe pak ditë më pas së bashku marshuam drejt ultësirës bregdetare pranë grykës së lumit Mat në pritje të evakuimit. Ndërkohë mbërritën lajmet për një sulm të forcave nacionalçlirimtare kundër forcave të Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut, për arrestimin e Seitit dhe majorit Simcox dhe vrasjen e Fundos.

Lëvizja nacionaliste tashmë kishte pushuar së qeni si një ekzistencë e organizuar. Kupi vazhdoi me shpërndarjen e forcave të tij dhe, kur ky proces kishte arritur një pikë të caktuar, ai na kërkoi të organizonim largimin e tij. Autorizimi që duhej për këtë nuk po mbërrinte, prandaj e këshilluam të siguronte një varkë dhe të largohej vetë, diçka që ai e zgjidhi vetë me sukses.

Më 28 tetor, i gjithë misioni u largua me sukses përmes detit.

Please follow and like us: