Albspirit

Media/News/Publishing

Farudin Hoxha: Lufta për ujin

Profesor Farudin Hoxha, një nga projektuesit e famshëm të kaskadës së Drinit flet për energjinë. Çfarë rrezikon Shqipëria që ndodhet pothuaj gjithmonë në dy anë të një lavjerësi fatkeq: thatësi ose përmbytje? Çfarë ka ndodhur në 40 vjet që nga koha e ndërtimit të digave të Veriut, ku pothuaj ka qenë zero investimi në mirëmbajtjen e tyre? Mund të bëhet Shqipëria “një superfuqi e vogël energjitike”? “Një ëndërr e politikës, por jo e shkencës”! Pse problemi i energjisë në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm në plan rajonal, në bashkëpunim me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e më gjerë. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk ka marrëveshje ujrash me vendet fqinjë që mbas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe lindjes së shteteve të rinj. Histori të vjetra dhe të reja, gjithë përgjigjet e Profesor Hoxhës për betejën e të nesërmes, betejën për ujin
Ka revoltë. Ka mërzi. Ka trishtim të thellë. Flet ngadalë dhe herë pas here, një nënqeshje e lehtë i “tradhëton” fjalinë pasardhëse. Një fjali me mërzi, të trishtuar, por aspak të mërzitshme. Nuk ka cinizëm në atë çfarë thotë, por ka shumë dhembje. Dhembjen e dikujt që sheh ecjen e tjetrit drejt greminës dhe nuk dëgjon që i thërrasin të kthejë rrugë. Si një filozof mes profanëve. Si një okulist mes miopësh që thyejnë me kokëfortësi edhe syzet që mbajnë mbi kokë. Profesor Farudin Hoxha, një nga projektuesit më të famshëm të kaskadës së Drinit dhe të sistemit të ujrave të veriut për t’i shndërruar në energji elektrike, e projekton me fjalë të thjeshta atë çfarë po ndodh me sistemin energjitik në Shqipëri dhe çfarë pritet të ndodhë. “Me çfarë i ka dhënë Perëndia Shqipërisë jam optimist, me çfarë kanë bërë njerëzit me këtë pasuri, jo!”, thotë ai. Në një bisedë të gjatë me revistën JAVA ai rrëfen për të shkuarën e hidrocentraleve, garanton për sigurinë e tyre dhe thotë se ato duhet domosdoshmërisht të mirëmbahen. “Deri tani në to ndërhyrjet kanë qenë zero”, thotë Profesor Hoxha.

Ai hedh ujë të ftohtë në entuziazmin fals që politika kërkon të ndezë me premtimet për superfuqi të vogël rajonale në fushën e energjitikës. Thjesht qesh. “Gjithë hidrocentralet që pritet të ndërtohen në Devoll, sa për të marrë një shembull, kanë të njëjtën fuqi të intaluar si Vau i Dejës”, sqaron çdo mëdyshje. Sipas Profesor Hoxhës, Shqipëria duhet të fillojë të ndërtojë një strategji energjitike duke nisur që me marrëveshjet për ujrat me fqinjët, me Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi dhe të integrojë sistemin me to. “Duhet nisur sa nuk është vonë. Betejat e nesërme të njerëzimit do të jenë për ujin”, paralajmëron profesor Hoxha, njeriu që jetoi për ta bërë ujin dritë për shqiptarët.

Dy vjet më parë, pati një panik të jashtëzakonshëm për situatën në digat e Veriut dhe qëndrueshmërinë e tyre. Përmbytjet masive sollën alarmin e madh për mundësinë që ato të kishin probleme dhe vendi të nënshtrohej nga kataklizma. Si është gjendja e digave sot?

E kam ndjekur atë situatë me shqetësim të thellë. I njoh mirë ato diga dhe e di mirë se si janë projektuar, si janë ndërtuar dhe çfarë garancish japin për qëndrueshmërinë e tyre. Fillimisht po ju them se ato kanë nisur të ndërtohen në vitet 70’ me teknologjinë dhe mjetet teknike më të përparuara të kohës. Në gati 40 vjet të ekzistencës së tyre ato kanë afruar të gjitha garancitë e mundshme për të shmangur panikun dhe rrezikun e mundshëm. Një detaj; sipas marrëveshjes së ujrave që Shqipëria ka pasur atëherë me ish-Jugosllavinë, përpara ndërtimit të digës së Fierzës, projekti u dërgua në Beograd për konsultë.

Çdo e papritur që mund të ndodhte me digën, do të afronte pasoja edhe për Malin e Zi, ndaj, ishim të detyruar sipas marrëveshjes që të merrnin dhe përgjigjen e tyre. Dhe nga pala jugosllave atëherë projekti u kthye mbrapsht pa anjë lloj vërejtjeje. Po kështu, nga Kina atëherë jemi asistuar me inxhinierët më të mirë në fushën e projektimit dhe të zbatimit. I gjithë procesi ka kaluar në një sërë filtrash pikërisht që të afrohej garancia maksimale dhe jam i bindur se gjithçka është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka është bërë nën një kontroll jashtëzakonisht të rreptë teknik, në cilësi dhe në teknologji, është punuar me një rreptësi të skajshme deri në maniakllëk. Nga ndërgjegja në punë apo dhe nga frika, merreni si të doni, në asnjë rast, aty nuk është abuzuar në kurriz të cilësisë së ndërtimit dhe sigurisë. Një nga laboratorët më të mëdhenj të sizmikës në Evropë, në Shkup, gjithashtu ka çertifikuar sigurinë e digave, kurse vetë diga e Fierëzës, është përfshirë në katalogun e digave më të larta në botë në kohën e ndërtimit. Madje në atë kohë, ajo hynte tek digat më të larta në botë.

I vetmi rrezik vjen nga moszbatimi i rregullores për menaxhimin e kaskadës, siç ndodhi në dimrin e vitit 2010. I vetmi rrezik vjen kur lartësia e ujit do të kalonte mbi kurrorën e digës.

E kam ndjekur me habi të thellë panikun e atëhershëm, madje edhe deklarimin e një ministri i cili pretendonte se koefiçienti i sigurisë së digave të Veriut ishte më i ulëti në Evropë. E kam takuar edhe vetë disa herë këtë ministër dhe kurrë nuk ma ka shprehur një shqetësim të tillë. Nuk e kuptoj pse e kanë ushqyer panikun. Fundja, projektuesit dhe ndërtuesit e këtyre veprave janë ende gjallë. Edhe pse shumë e kanë marrë atë rrugë, janë gjallë. Pse nuk i thërrasin, pse nuk i takojnë, pse nuk i pyesin? Kam disa përgjigje për këto pyetje që bëj, por përgjigjet e sakta i dinë vetëm ata që janë përgjegjës për drejtimin e vendit.

Pothuaj katër dekada mbas ndërtimit, sa i pranishëm ka qenë kujdesi për mirëmbajtjen e digave?

E them me përgjegjësi që ky kujdes ka qenë pothuaj zero. Dhe pa patur frikë se gaboj në krahasim, mund t’ju them se digat janë konsideruar vetëm si lopë për t’u mjelë dhe askush nuk është kujdesur për ushqimin e tyre. Sot, në mënyrë të shtrembër mendohet se hidrocentrali është vetëm pjesa që prodhon energji, turbina dhe gjeneratorë, tek të cilët ndërhyhet. Edhe pse me ligj përcaktohet se një pjesë e të ardhurave të krijuara nga prodhimi i energjisë duhet të shkojë për vetë mirëmbajtjen e veprës, kjo gjë nuk ka ndodhur. Një projekt zviceran për sigurinë e digave, ka dëshmuar se ka probleme në fund të digës në Koman, por jo të tilla që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e saj. Megjithatë, janë të nevojshme ndërhyrje inxhinierike në pjesën e poshtme të digës dhe në veprat anekse të saj.

Shikoni, historia e ndërtimit të digave në kaskadën e Drinit ka qenë në një farë mënyre edhe vetë historia e Shqipërisë. Në Vaun e Dejës punohej me kamionë ZIS-a sovjetikë. Më pas në Fierzë dhe Koman u kalua ne kamionët gjigantë Perlin e Centaur deri në 60 tonë. Vetëm në Fierzë duhet të lëvizeshin 8 miliardë metra kub mbushje dhe janë bërë çimentime deri në 50 metra thellësi. Nuk është kursyer asgjë për t’i ndërtuar ato hidrocentrale, si nga pikpamja financiare, ashtu dhe ajo e pamatshme njerëzore. Eshtë e pamundur të shpjegohet sesi dhe sesa është punuar atëherë. Sot, përballë asaj lloj sakrifice, ka qenë pothuaj zero, e përsëris, pothuaj zero ndërhyrje në mirëmbatje.

Çfarë mendoni se duhet bërë?

Fatkeqësisht ne kujtohemi për ujin kur na mbyt dhe për zjarrin kur na djeg. Edhe në rastin e mirëmbajtjes së hidrocentraleve, diskutohet vetëm kur ka emergjenca. Duhet të jetë e kundërta. Për to duhet të mendohet normalisht në kohëra normale. Ka një numër të madh ndërhyrjesh që duhet të bëhen në mënyrë të padiskutuar. Duke nisur që me mirëmbajtjen e brigjeve të ujëmbledhësve. Ato duhet të jenë të pyllëzuara. Por jo vetëm që aty nuk mbillen pemë, por më keq akoma, edhe ato që janë, priten pa mëshirë duke rritur rrezikun e erozionit. Janë një numër përrenjsh që derdhen në ujëmbledhës, edhe për ata nuk ka asnjë ndërhyrje. Rrjedha e tyre duhet të sistemohet, të ndërtohen prita për ta. Një shembull, përroi i Gomsiqes që derdhet në Vaun e Dejës. Prurjet e tij të ngrurta janë të dukshme edhe me sy në liqenin e Vaut të Dejës. Duhet të jesh profan ose dashakeq që të mos e shohesh një gjë të tillë që i shkurton jetën vetë hidrocentralit. Eshtë çmenduri ky pasion yni për të prerë degën e pemës ku jemi ulur, ky pasion për të pirë cigare mbi togun e barutit. Një gjë të tillë e bëjnë vetëm të marrët ose të liqtë.

Eshtë e mbyllur skema e shfrytëzimit të Drinit?

Ende jo. Drini përfaqëson gati gjysmën e rezervave hidrike të vendit. Përpara se të mbyllej kjo skemë, fillimisht ishte menduar që në atë kaskadë të ndërtoheshin shumë hidrocentrale realativisht të ve­gjël, me diga të ulëta dhe rezervuarë të vegjël. Pati një diskutim shumë të madh dhe përfundimisht u la të bëhej skema me katër hidrocentrale të mëdhenj. Bashkë me Skavicën dhe Bushatin, Drini afron deri në 7 – 8 miliardë kilovat orë. Me rezervat e saj, nëse do të shfrytëzoheshin burimet hidrike në mënyrën e duhur, Shqipëria mund të sigurojë deri në 15-20 miliardë kilovat orë. Jo më shumë.

Megjithatë politika ka premtuar për një Shqipëri superfuqi të vogël energjitike në rajon. A është e mundur një gjë e tillë?

Superfuqi do të thotë një fuqi mbi fuqitë. Nuk e kuptoj këtë term, çdo të thotë edhe superfuqi, edhe e vogël. Eshtë njëlloj si të thuhet minifuqi e madhe. Nuk ka kuptim. U nis me histori me centrale bërthamorë, vazhdoi me energji të prodhuar nga dielli dhe era. Dhe po vazhdon me dhënie licensash koncesionare për hidrocentrale, që në shumicë dërmuese janë me fuqi të vogël të instaluar. Për shembull, të gjithë hidrocentralet e premtuar të ndërtohen në Devoll, do të kenë prodhim energjie të barabartë me hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Gjykoj se ka një vështrim të pasaktë në të gjitha strategjitë për sistemin energjitik në vend. Po të shihet kjo çështje vetëm brenda për brenda kufinjve politikë të vendit, zgjidhjet do të jenë të paplota dhe jo të sakta. Duhet të gjendet zgjidhje rajonale. Dhe këtu kam parasysh para së gjithash, marrëveshjet me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. T’ju kujtoj, me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, Shqipëria nuk ka më marrëveshje për ujrat me këto shtete të reja. Ky duhet të jetë një shqetësim i politikës, nëse e ka seriozisht këtë çështje dhe nuk afron vetëm propagandë. Nevojitet në mënyrë urgjente negocimi i kësaj marrëveshjeje me Maqedoninë…

…Ata kanë në dorë në Strugë, çelësin rregullator të prurjeve të Drinit të Zi, që është shumë i rëndësishëm për kaskadën e Drinit në Shqipëri. Çfarë ndodh? Maqedonasit e kanë sistemin e tyre energjitik të bazuar në termocentrale dhe dy hidrocentralet e tyre, Spilenë dhe Glloboçicën e ndonjë tjetër të ndërtuar mbi Drinin e Zi, të cilët, i përdorin pothuaj vetëm në kohën e kërkesës maksimale për energji. Kështu që ata kontrollojnë prurjet e Drinit të Zi sipas nevojave të tyre. Një shifër, vetëm me uljen një metër të nivelit të liqenit të Ohrit, që nuk është absolutisht asgjë për pasqyrën e tij gjigante, në Fierzë vijnë 400 milionë metër kub ujë. Gati një e pesta e sasisë maksimale që mban Fierza. Maqedonasit nuk e kanë pranuar asnjë herë një gjë të tillë, edhe kur Shqipëria ka pasur probleme të jashtëzakonshme thatësire. Në të paktën dy raste, para dhe mbas viteve 90’, është “kërcënuar” pala maqedone se në të kundërt, do të merrej ujë nga liqeni nëpërmjet një tuneli në Qafë Thanë, poshtë tunelit ekzistues të hekurudhës, për të ndërtuar një hidrocentral në fushën e Domosdovës.

Nuk di se çfarë pengon që në emër të të drejtës ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë, të diskutohej me Maqedoninë për marrëveshjen e ujrave që do të rregullonte edhe këtë problem, përtej gjuhës së “kërcënimit”, dhe në interes të përbashkët. Po kështu edhe me Kosovën, e cila është e bazuar në burime të bollshme nga termocentralet. Ata prodhojnë në verë energji, ne prodhojmë në verë e dimër me hidrocentrale. Duhet një bashkërendim i fortë mes dy vendeve e më gjerë në të mirën e padiskutueshme të të dy vendeve dhe të rajonit. E njëjta situatë edhe me Malin e Zi, e ndoshta edhe më gjerë, me Bosnje Hercegovinën, një vend shumë i pasur me ujëra.
Këto janë rrugët për të garantuar sistemin energjitik në Shqipëri. Idetë për superfuqi të vogla energjike, pastaj, janë ëndrra që mund t’i shohë politika, por jo shkenca.

A është e mundur që t’i shpëtojmë “mallkimit” thatësi në verë dhe përmbytje në dimër?

Natyra ka dhënë mundësitë që ky mallkim të ekzistojë. Eshtë punë e njerëzve që mallkimin ta kthejnë në bekim. Kaskada e Drinit, ka pasur veç të tjerash edhe këtë funksion, funksionin rregullator të sistemit të ujrave në veri. Duhet të ndërhyjë ende njeriu për të vënë dorë dhe për ta bërë të dobishme këtë pasuri të paçmuar që në Shqipëri po shoh të shpërdorohet, kryesisht nga padija. Bota ka bërë shumë luftëra për energjinë, për naftën. Parashikimi është se luftërat e ardhshme do të bëhen kryesisht për ujin. Ne e kemi ujin. Fatkeqësisht e shpërdorojmë ose në rastin më të mirë, nuk dimë ta vemë në eficencë. Dhe kjo gjë më dhemb. Duhet t’i dhembë kujtdo.

Kush ishte Farudin Hoxha

Lindi në Gjirokastër në vitin 1935. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje; u diplomua më 1961 në UT.

Prej vitit 1961 punoi në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë.

Në vitin 1971 për një periudhë gjashtëmujore, kreu specializim pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Pavarësisht nga detyrat e tjera që iu ngarkuan, profesori vazhdoi rregullisht punën studimore e projektuese në këtë Institut deri në mesin e vitit 1993.

Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, qe ministër i Ndërtimit dhe më pas deri në 21 shkurt 1991, ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Kreu studime dhe projektime për vepra hidroteknike dhe hidroenergjetike të rëndësishme, si: hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj.

Disa prej digave të hidrocentraleve me lartësi nga 40 m deri në 167 m të projektuara nga grupi i punës, që kryesonte akademik Hoxha janë klasifikuar nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha (ICOLD), ndër më të lartat në Evropë e më gjerë.

Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Prej vitit 2002 e në vazhdim kryetar i këtij Komiteti.

Në vazhdim, ka kryer edhe një sërë detyrash të rëndësishme shtetërore, si: drejtor i përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (1999–2000); anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (1997–2008); anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Shqipërisë (1997–2004); anëtar i Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinje (1973–1982); anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës (2000–2006)

Në vitin 1986 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave (1997–1999) dhe zëvendëskryetar i saj (1999–2008).

Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjetike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.

Please follow and like us: