Albspirit

Media/News/Publishing

Inva Mula, pas 27 vitesh rikthehet në operën “Peshkatarët e Perlave”

Në veprën që do të çelë sezonin e ri artistik, Mula vjen si regjisore dhe protagoniste

Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me regjisore dhe protagoniste soparanon me famë botërore Inva Mula, do të shfaqet premierë në 22 shtator në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Në këtë premierë , që do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretojnë emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.

Opera “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1990 u vu në skenë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejlës e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë kjo  opera u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

“Peshkatarët e Perlave”

Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. Opera tregon historinë e dy burrave, miqësia e përjetshme e të cilëve kërcënohet nga një grua. Ngjarja rivjen kësisoj nga kohët e lashta në ishullin e Ceilon. Dilema e “Peshkatarët e Perlave” është konflikti në mes të dashurisë laike dhe betimit të saj të shenjtë si një priftëreshë. Sinopsi i kësaj vepre operistike, nga më të famshme dhe më të debatuarat e asaj kohe dhe krijimi nga Bize e ngritën në kult këtë kryevepër. Në kohën e premierës, kompozitori i operës “Peshkatarët e Perlave” Bize ishte vetëm 25 vjeç.

Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” tashmë bën pjesë në fondin e artë të veprave operistike.

Please follow and like us: