Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Të dënohet dhe kupola komuniste

 

 

 

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, deklaron se paralelisht me procesin e hapjes së dosjeve për ish-spiunët e Sigurimit të shtetit duhet të ecet dhe me rishikimin e historisë së shkruar për luftën. Gjithashtu shkrimtari i madh thekson se hapja e dosjeve nuk duhet të mbetet vetëm te zbulimi i emrave të ish-sigurimsave. “Nuk janë vetëm këta, kjo armatë është vegla e nomenklaturës komuniste, ka qenë kupola komuniste që e ka drejtuar këtë krim dhe në asnjë rast nuk duhet që ata të fërkojnë duart dhe të thonë që “ja dhe këtë herë ua zbrazëm të keqen të tjerëve”. Prandaj këto bashkërisht duhet të bëhen dënimi i krimeve të komunizmit, rishikimi i shumë ngjarjeve kyçe të historisë. Dhe kjo duhet bërë me qetësi, me seriozitet dhe pa kurrfarë nervozizmi dhe ndjenje revanshi”, tha për VOA, Kadare.

Parlamenti shqiptar diskutoi përpara pak ditësh për një projektrezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit. Këshilli i Evropës e ka miratuar që në janar një rezolutë të tillë, duke u bërë thirrje vendeve të Lindjes që të miratojnë rezoluta të ngjashme. Në Shqipëri ku ka ekzistuar një prej regjimeve më të egra komuniste dhe pas gjashtë muajsh pas miratimit të rezolutës, seanca e Parlamentit, ku pritej të ishte një nderim për viktimat e komunizmit, u kthye në fakt në këmbim replikash të ashpra ndërmjet politikanëve. Duke marrë shkas nga ky debat, cili do të ishte komenti juaj?

Në të vërtetë KE-ja, duke ua kërkuar ish-vendeve lindore dënimin e krimeve të komunizmit, bashkë me këtë kërkesë kishte dhe vërejtje se këto vende ishin të vonuara në këtë dënim. Dhe në qoftë se flasim për vende të vonuara, Shqipëria aq më tepër është e vonuar dhe më e vonuar se të gjitha vendet. Prandaj do të ishte mirë që kjo gjë të kryhej në një mënyrë sa më serioze dhe sa më dinjitoze, madje në mënyrë hijerëndë në kuptimin dhe jo në atë mënyrë siç krijoi Parlamenti shqiptar.

Ju keni kërkuar kohë më parë që dosjet të hapen dhe në Shqipëri. Duket se në parim politikanët janë dakord për këtë çështje. Hapja e dosjeve në vende të ndryshme është trajtuar në forma të ndryshme. A nuk është e vonuar Shqipëria në këtë proces pas një dekade e gjysmë të përmbysjes së komunizmit? Çfarë forme sipas jush duhet të ketë kjo hapje në nivelin e pajtimit të shoqërisë, pra në nivel moral, apo në atë juridik?

Unë mendoj se në radhë të parë, kjo duhet të jetë në nivelin moral. Kjo është një histori natyrisht jo e gëzueshme, madje është shumë e hidhur, por e domosdoshme, ashtu sikurse ndodhemi përpara një operacioni kirurgjikal, sepse duhet bërë patjetër nga e keqja, pa e bërë atë, trupi i shoqërisë vazhdon të jetë i sëmurë. Në këtë rast mendoj se kjo është në dy nivele dhe kështu kam menduar gjithmonë. Një nivel i njerëzve të thjeshtë, i informatorëve, të ish-informatorëve të sigurimit, të cilët nuk kanë asnjë rol dhe asnjë peshë në shoqëri. Dhe mendoj se këta njerëz të thjeshtë nuk ka pse të përzihen në këtë punë, nuk kanë pse të ngacmohen. Kjo është një armatë shumë e madhe, një armatë e pikëllueshme, ata le ta vuajnë në heshtje atë brenda ndërgjegjes së tyre për çfarë kanë bërë, shoqëria nuk ka ndonjë interes, trazojnë punën e tyre. Por ndërkaq, absolutisht, nuk duhet pasur asnjëherë mëdyshje që procesi të vazhdojë me politikanët dhe me të gjithë njerëzit që kanë lidhje me publikun, si të thuash me personazhet publikë. Kjo është e domosdoshme për dy arsye. Këta njerëz qofshin të parët, qofshin të dytët, janë dyfish fajtorë, e para sepse e kanë bërë këtë gjë, e dyta, sepse nuk janë tërhequr me kohë nga jeta politike, ose shoqërore, të tërhiqeshin në jetën e tyre private, por me një farë grykësie të çuditshme kanë vazhduar të kërkojnë karrierën dhe të ngjiten lart e më lart. Prandaj për këta njerëz nuk ka pse të ketë një shpritbutësi, gjë që do ta përsërisja për atë nivelin e parë me të cilët ne duhet të jemi njerëz, sepse këta mijëra njerëz janë rekrutuar disa herë në kushte mizore, janë gjetur në situata të vështira. Disa prej tyre natyrisht e kanë bërë me zell këtë punë, por të tjerë janë që nuk e kanë bërë aspak me zell, por të detyruar.

Pra ju mendoni se duhet të ketë një lloj klasifikimi mes njerëzve të ndryshëm?

Absolutisht po.

Zoti Kadare në Shqipëri janë ndryshuar disa qeveri, por nuk është kërkuar ndonjë falje publike për krimet kundër komunizmit. A mendoni se shoqëria shqiptare i ka nderuar dhe u ka dhënë vendin e merituar viktimave të komunizmit?

Mendoj se jo. Mendoj se jo dhe ka qenë një proces dyfish i keq nga kjo anë. Nga një anë nuk është bërë kjo që thoni ju, nga ana tjetër në mënyrë të habitshme vitet e fundit në shtypin shqiptar ka filluar të jepet një kundër tablo tepër rozë dhe tepër mashtruese e epokës komuniste me ca si kujtime të pafundme, ku kjo nomenklaturë komuniste paraqitet si të thuash me ngjyra disi humane. Bëhet një lloj përpjekjeje për rehabilitimin e saj për të mos përsëritur rastin monstruoz si ai që dëgjuam, që kryetari i një partie politike në Shqipëri kërkoi nderim për Enver Hoxhën.

 

Në debatin e fundit në Parlament për projektrezolutën u ngrit edhe çështja e datave, apo ngjarjeve historike që lidhen me periudhën historike. Sipas jush, cila do të ishte rruga më e mirë për të bërë vlerësimin e tyre?

 

Mendoj se, paralelisht me këtë, kjo është një nevojë e ngutshme, sepse dënimi i krimeve kundër komunizmit ecën paralelisht me një dhunë që i është bërë peizazhit shqiptar, si të thuash, duke e rënduar atë me lloj-lloj datash pseudokinse heroike, me festa që nuk janë festa, por e kundërta janë zi dhe me një falsifikim të ngjarjeve kryesore, nuk është sqaruar mirë, por çfarë kanë bërë këto forca politike si ka filluar qëndresa me fashizmin, e cila nuk është fare, ashtu siç jepet disa herë nga historiografia komuniste, por është ndryshe. Prandaj të gjitha këto duhen riparë natyrisht. Do të shtoja këtu se në dënimin e këtyre, te informatorët e ish-sigurimit, në këtë gjithë proces të vështirë nuk duhet harruar asnjëherë mendoj, që fajtorë kryesorë janë arkitektët kryesorë të krimit në Shqipëri. Sepse në fund të fundit nuk janë vetëm këta, kjo armatë është vegla e nomenklaturës, kurse ka qenë nomenklatura e lartë komuniste, ka qenë kupola komuniste që e ka drejtuar këtë krim dhe në asnjë rast nuk duhet që ata të fërkojnë duart dhe të thonë që “ja dhe këtë herë ua zbrazëm të keqen të tjerëve”. Prandaj këto bashkërisht duhet të bëhen dënimi i krimeve të komunizmit, rishikimi i shumë ngjarjeve kyçe të historisë. Dhe kjo duhet bërë me qetësi, me seriozitet dhe pa kurrfarë nervozizmi dhe ndjenje revanshi.

 

13 tetor 2006

 

Please follow and like us: