Albspirit

Media/News/Publishing

Ulpiana Lama: Ju jam mirënjohës që keni pritur prej meje më shumë sesa unë kam guxuar të imagjinoj

 

Fotografia e Ulpiana Lama

 

E kam të gjallë momentin kur mora kumtin për miratimin e medaljes “Kalorëse e Urdhrit të Meritës” prej presidencës franceze. Ishte pasdite, në korrik, 10 muaj pas fillimit të procedurës.

Nuk lidhet gëzimi im vetëm me elementin e rrallësisë: po, bëhet fjalë për një nderim të lartë. Po, jam e para qytetare e Kosovës që e pranon këtë urdhër.

Por siç e përmendi edhe Ambasadori, lidhet me reconnaissance/ pranimin, njohjen e kontributit.

Di që kam vënë shpirtin në punët që kam bërë. Të gjithë ju e bëni. Nuk kemi menduar për “reconnaissance”. Shpesh kemi jetuar me dyshimet tona nëse ajo që po bëjmë është e duhura. Edhe më shpesh, puna që kemi bërë është vënë në dyshim nga të tjerë. Jetojmë në kohën e negativitetit. Por edhe pa të, nuk mund të metojmë të kemi as miratimin total, as simpatinë e plotë. Siç thoshte Nëna Terezë “Çfarë e ke ndërtuar në vite, dikush e shkatërron në një natë” apo vihet në pikëpyetje në mënyrë cinike dhe të padrejtë.

Ndaj edhe kjo njohje e kontributit, është sa fisnike aq edhe motivuese.

“Reconnaissance” është një temë, elaboruar prej antikitetit.

Platoni fliste për tre përbërësit e qënies njerëzore: pjesa dëshirore, racionale dhe “thymos” – shpirti i jetës. Thymos-i luan një rol themelor në njohjen e vlerave morale.

Ai përcakton selinë e ndjeshmërisë ndaj të tjerëve, normave dhe imazhit të vetes; si emocion, thymos-i është një reagim spontan përballë spektaklit të padrejtësisë dhe mund të quhet “emocion moral”. Shpaloset në ndjenja si zemërimi (kur marrim më pak nga ç’meritojmë), turpi (kur bëjmë çka është nën sistemin tonë të vlerave) dhe krenaria (kur vlerësohemi denjësisht).

Njeriu dëshiron që edhe t’i pranohen meritat nga të tjerët. Shoqërite dhe organizatat duhet të jenë të afta ta nderojnë këtë dëshirë individuale për pranim. Descartes, Bergson, Paul Ricoeur, Luc Boltanski- të gjithë kanë folur për pranimin/njohjen.

Po citoj autorë francezë. Në formimin tim, ata kanë një rol qëndror.

Mësimi i gjuhëve të huaja vjen në mënyra të ndryshme.

Për mua kanë qenë dy momente: një në moshën 6 ose 7 vjeçare kur mamaja ime më detyronte të bëja siesta dhe unë bjerrja kohën duke shfletuar një libër me ilustrime mahnitëse, në një gjuhë që nuk e njihja. Isha e intriguar të kuptoja ç’shkruhej. Ime më më tregoi që ishte frëngjisht.

Momenti i dytë lidhet me kohën kur kryeja shkollën tetëvjeçare dhe m’u desh te zgjidhja: mes rusishtes dhe frëngjishtes. Nuk e mendova asnjë çast… Dhe kurrë nuk jam penduar për zgjedhjen e bërë. Vizitova sot shkollen franceze të Prishtinës. Fëmijë- vajza e djem – që mësojnë prej klasës së parë në gjuhën frënge. Frëngjishtja do t’u mundësojë atyre që të hyjnë në komunikim me një komunitet të gjerë, shumë të gjerë, potencialisht prej 260 milionë njerëzish anembanë botës. Frëngjishtja do t’u mundësojë të shoqërohen, të dialogojnë, të bëjnë humor, shkëmbejnë ide, projekte, vlera.

Të ndërtojnë miqësi dhe aleanca që do t’i shërbejnë vetes dhe vendit. Kjo është historia e marrëdhënieve Kosovë – Francë prej viteve 90 veçanërisht; politika e jashtme franceze është bërë gjithnjë e më mbështetëse ndaj Kosovës, falë zhvillimeve globale gjeopolitike po aq edhe lobimit nga kosovarë frëngjishtfolës, humanistë në thelb- politikanë e diasporë – që përcollën imazhin intelektualist dhe paqedashës.

Për fund, dua të kujtoj kuptimin tjetër të fjalës “reconnaissance” që lidhët me “gratitude”, mirënjohje: Ju jam mirënjohës që keni pritur prej meje më shumë sesa unë kam guxuar të imagjinoj.

Fotografia e Ulpiana Lama

Please follow and like us: