URAT E BALLKANIT- Konferencë Ndërkombëtare Ballkanike në Vlorë
*Prof. Dr. Roland Zisi: “Në këtë rajon, ku popujt jetojnë ‘supi i njërit nën sqetull të tjetrit’, bashkëjetojnë tre alfabete: i latinishtes, i greqishtes dhe alfabeti cirilik”/.
*Prof.Dr. Bardhosh Gaçe: “Studiuesi kroat Milan Shuflaj, qysh në fillim të shek. XX, tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor evropian me botimin e punimeve dhe veprave: “Akte dhe diploma”, “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë, kryesisht gjatë mesjetës”, “Historia e Shqipërisë së Veriut”, si dhe “Serbët dhe Shqiptarët”, duke nxjerr në dritë doket e zakonet kulturore të shqiptarëve që kanë dhënë ndikimet e tyre në jetën e popujve të tjerë të Ballkanit”.
Nga Vjollca TYTYNI – BIRAKU/ DIELLI/
Emrat më të spikatur të fushës së shkencës dhe kulturës gjuhësore nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Greqia, Rusia, Maqedonia, Turqia, Italia, Austria, etj, kanë marrë pjesë për dy ditë me radhë në Konferencën Ndërkombëtare Ballkanike me temë “Harta e drejtimeve të Ballkanit: peizazhe letrare, kulturore dhe gjuhësore”, (“Mapping Balkan routes: letarary, cultural and linguistic landscapes”), mbajtur në qytetin e Vlorës. Kjo temë kishte një rëndësi të veçantë, për faktin e prurjeve shkencore rreth studimit të gjuhëve të Ballkanit, kontakteve, konfliktit midis gjuhëve, (siç është shqipja, serbishtja, serbokroatishtja…), ndikimeve, marrëdhënieve, huazimeve sllave, zhvillimeve leksiko-semantike, frazeologjizmave etj, e poashtu edhe të studimit rreth tipareve në fushën e semantikës të secilës gjuhë, duke u thelluar edhe më tej në theksimin e modelit të gramatikës universale dhe asaj gjenerative.
Rektori i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, Roland Zisi, në hapje të konferencës, potencoi rëndësinë dhe vlerat që ka organizimi i kësaj konference, e cila veç tjerash, synon të hedhë dritë mbi gjuhën, kulturën, marrëdhëniet, bashkëjetesën dhe fqinjësinë historike të popujve ndërballkanas.
Në fjalimin e tij, akademik Shaban Sinani, paraqiti studime të hollësishme të marrëdhënieve gjuhësore të shqipes dhe serbishtes. Në studimin me temë: “Disa vrojtime antropogjuhsore për ndërveprimin e shqipes me gjuhët në kontakt: rasti i serbishtes”, ai theksoi traditën e gjatë të studimeve në këtë fushë, ndonëse, ndjehet mangësi në aspektin sasior roli dhënës dhe marrës i dy gjuhëve në kontakt”. “Në anën tjetër, apo në të kundërt të kësaj, -theksoi akademik Sh. Sinani, -vrojtimet antropogjuhësore, kanë mundësuar të vërehet prania e frymës së njërës gjuhë tek tjetra, siç janë urimet, mallkimet, vajtimet e deri te “kopjimi i gabimit” të gjuhës tjetër”. Këto kërkime prej kapërcimit nga etnogjuhësia në antropogjuhësi nga ana metodologjike, akademik Shaban Sinani i konsideroi ‘emancipuese’.
Një pasqyrim të gjendjes së mësimdhënies së gjuhës shqipe jo vetëm në Serbi por edhe në disa vende të Ballkanit, përmes temës shkencore “Mësimdhënia e gjuhës shqipe si gjuhë e pakicës kombëtare” e solli prof. Danica Avramoviç, nga Universiteti i Beogradit, e cila potencoi gjendjen aktuale të mësimdhënies si dhe elementet pozitive dhe negative në përfshirjen e mësimdhënies në rrjedha bashkëkohore. Ajo tha se: “Për këtë punim kemi bërë një anketë modeste në Katedrën e Albanologjisë në Fakultetin Filologjik të Beogradit, ku studentët janë pyetur për cilësinë e mësimdhënëies në këtë katedër. Sipas të dhënave të marra nga anketimi, mbizotëron paknaqësi, por edhe ide për përmirësimin e mësimdhënies”.
Në studimin e tij “Disa konkordanca ndërballkanike në trashëgiminë shpirtërore”, prof.dr. Roland Zisi ka vënë në fokus trajtimin e ndjeshëm dhe aktual që paraqet përfytyrimin e shtrembër se “në Ballkan nuk mund të ketë përbashkësi kulturore”. Këtij kundërfakti, prof.dr. R. Zisi i vë argumentin se: “Në këtë rajon, ku popujt jetojnë ‘supi i njërjit nën sqetull të tjetrit’, bashkëjetojnë edhe sot tre alfabete: i latinishtes, i greqishtes dhe alfabeti cirilik”. Këtë argument ai e përforcon edhe me tej me faktin se: “Konkordancat ndërballkanike në trashëgiminë shpirtërore prekin jo vetëm atë që quhet “lidhje gjuhësore ballkanike”, por edhe korpuset kryesore të traditës gojore, eposin heroik dhe atë historik, ritet,…, historinë politike dhe atë shoqërore, letërsinë dhe artet”.
Një studim të thellë rreth marrëdhënieve shqiptaro-serbe paraqiti prof.dr. Bardhosh Gaçe. Në studimin e tij me temë “Milan Shuflaj dhe vepra e tij ‘Serbët dhe Shqiptarët’”, prof. dr. B. Gaçe, u bazua në studimin e veprës shkencore të dijetarit dhe studiuesit kroat Milan Shuflaj, i cili nxorri në dritë jo vetëm marrëdhëniet e përbashkëta të popujve të Ballkanit, por edhe historinë dhe kuturën mesjetare. “Studiuesi kroat Milan Shuflaj, -tha në kumtesën e tij prof.dr. Bardhosh Gaçe, -i ka bërë një shërbim të veçantë kulturës shqiptare. Qysh në fillim të shek. XX, ai tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor evropian me botimin e veprës “Akte dhe diploma”, dhe më pas një varg artikujsh dhe studimesh mbi botën kulturore, ilirike dhe arbërore. Në këtë hulli janë edhe veprat dhe punimet e tij “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë, kryesisht gjatë mesjetës”, “Historia e Shqipërisë së Veriut”, si dhe “Serbët dhe Shqiptarët”, në të cilat M. Shuflaj nxjerr në dritë mjaft doke e zakone, të cilat kanë një shtresë kulturore të veçantë të shqiptarëve që kanë dhënë ndikimet e tyre në jetën e popujve të tjerë të Ballkanit”. Në përfundimin të referëncës së tij shkencore prof.dr. B. Gaçe theksoi se “Në tërësi, vepra shkencore e dijetarit Milan Shuflaj nxjerr në dritë etnitetin etnokultutror dhe rrënjët e lashta autoktone të shqiptarëve në rrjedhat e shekujve duke përcaktuar mjaft elemente që kanë ndikuar në jetën e popujve të Ballkanit”.
Prof. dr. Nexhip Merkuri dhe Elira Xhakollari dhanë ndihmesën e tyre përmes temës shkencore: “Tiparet e interpretueshme të sintagmës emërore (SN) tek fjalët e urta të Ballkanit”. Ndërlidhur me këtë, prof.dr. N. Merkuri tha se: “Ndërtimi i mesazheve nga breza të ndryshëm në ndarjen gjeografike në gjuhët e Ballkanit këndvështrohet për tiparet interpretuese të sintagmës emërore (SN). Krahasimi realizohet në gjuhët: rumanisht, bullgarisht, maqedonisht, serbokroatisht, si ndërtime shumë shekullore, duke zgjedhur një kampion për të gjitha gjuhët, saktësisht, mbi 40 fjalë të urta të madhësive: fjali e thjeshtë, periudhë”. Ndërlidhur me këtë studim, prof.dr. N. Merkuri potencoi se: “Tiparet semantike të secilës gjuhë të marrë në karahasim janë universale, ndërsa leksemat e ndryshme si ndërtuese të sintagmës emërore ndryshojnë nga njëra gjuhë tek tjetra, duke shfaqur kështu risitë, prirjet gjuhësore të kultivuara në bazë të rrethanave të ndryshme historike. Ndërsa, afërsia gjeografike ka sjellë edhe afri, huazim dhe risi të dallueshme për kokën e sintagmës emërore dhe përcaktuesit e saj apo komplimentit”.
Një studim të thuktë rreth huazimeve sllave në gjuhën shqipe paraqiti prof.dr. Evis Hudhera e cila i dha një shpjegim shqyrtimit tërësor të sllavizmave në shqipen standarde, të pasqyruara në fjalorët shpjegues të shqipes, kryesisht në fjalorin e 1980-ës dhe 2006-ës. Vëzhgimin krahasues mbi zhvillimet leksikore e fjalëfomuese të sllavizmave dhe përdorimin e tyre edhe në ditët e sotme si pjesë e gjuhës standarde, prof.dr. E.Hudhera i përcaktoi në dy grupe: huazime sllave nga serbokroatishtja dhe huazimet sllave nga bullgarishtja, si: baltë, gardh, gatuaj, etj; zhvillmet leksiko-semantike të fjalëve: bisedë, zakon. etj; zhvillimet fjalëformuese: kockë-kockor etj.
Në këtë konferencë shkencore, kontribut me punimet e tyre shkencore dhanë edhe studiuesit e njohur Francesco Altimari nga Universitetit i Kalabrisë në Itali, Matteo Mandala nga Universiteti i Palermos në Itali, studiues nga Universiteti i Beogradit: Mirjana Marinkoviq, Julijana Vuço, Jovanka Lazarevska – Stancevska, etj., Serpil Murtezaoglu, Panajotis Asimopulos, prof. dr. Ermir Xhindi, prof.dr. Vilma Bello, prof.dr. Migena Balla, prof.dr. Mariglena Meminaj, prof.dr. Etjona Hoxhaj, prof.dr. Artan Xhaferaj, prof. dr. Edlira Çerkezi e studiues të tjerë.
Konferencën Ndërkombëtare Ballkanike “Harta e drejtimeve (urave) të Ballkanit: peizazhe letrare, kulturore dhe gjuhësore”, (“Mapping Balkan routes: letarary, cultural and linguistic landscapes”) e cila u mbajt për dy ditë në qytetin e Vlorës, është organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës dhe Fakulteti Filologjik i Universitetit të Beogradit.