Albspirit

Media/News/Publishing

Bledi Kasmi: Shkoni sot tek Azemi


Shkoni sot tek vendi ku prehet Azemi pa ndrojtje. Keni mundësi të meditoni dhe të reflektoni, por edhe të kuvendoni në heshtje me veten. Aty pranë vendit ku ai prehet, secili nga ne, ka një pasqyrë ku mund të shikojë veten. Ka edhe një kandar ku mund të peshohet. Ka edhe një metër ku mund të matet. Ka edhe një vend ku mund të rrëfehet dhe një tjetër ku të kërkohet falje, jo për atë që kemi bërë, por atë që nuk e bëmë ashtu sikurse duhej ta kishim bërë. Azemi është historia e një studenti të thjeshtë jashtë establishmentit të kohës që bëri epokë. Vrau frikën dhe udhëhoqi drejt lirisë një popull që deri atëhere hante bar dhe parimet nuk i shkelte duke u sjellë si një dele e urtë jo e Perëndisë, por e Dreqit.

Trim, guximtar, rebel i përjetshëm, ai është sot një pikë referimi dhe krenaria e çdo demokrati dhe e një kombi, që mes nënshtrimit e sakrificës, zgjodhi në ato ditë të historisë sakrificën për ngadhnjim. Eshtë historia e një politikani që u kthye në një idhull për rininë e kohës dhe që nuk erdhi nga akademitë politike. Nuk kishte studiuar shkenca politike, dhe megjithatë ai nënshtroi klasën burokratike të diktaturës dhe politikën gjysëm shekullore.

Elokuenca e tij kur ngrinte peshë studentët në Qytetin Studenti dhe më pas shqiptarët nuk vinte nga shkolla e aktrimit. Ajo buronte nga zemra e një të riu, e cila ishte më e fortë se i gjithë aparati i propagandës së diktaturës.

Një njeri i vetëm përpara një makinerie krimi bëri të përmbyseshin të gjitha teoritë e historisë së revolucioneve dhe të politikës.

Po çfarë e bëri aq të fortë Azemin? Ai nuk ishte një supermen. Ai lindi nga rruga. Njeriu me xhaketë lëkurë false, me një palë këpucë të baltosura, me uri në fytyrë, gjunjëzoi një perandori. Forcën e mori nga vuajtjet, kurajon nga qëndresa, trimërinë nga historia, por Azemi kishte një armë akoma më të fortë. Nuk është sekrete. Atë e bënte të pamposhtur kauza e lirisë që e kishte nxjerrë në rrugë, të cilës i qëndroi besnike dhe tek e cila besoi deri ditën e fundit. “Ne s’kemi ardhur për një pjatë grosh apo pak sheqer më shumë në çaj. Duam pluralizmin politik”, ishte përballja e parë e Azemit me të fundit dikator. Sot duket si një përrallë historia e Azemit. Tregojeni atë sa më shumë tek fëmijët përpara se ti zërë gjumi, edhe tek fëmijët që mësojnë abetaren, edhe tek nxënësit në gjimnaze. Përmendeni atë sa më shumë në auditoret e universiteteve. Kurrë mos u lodhni së përmenduri sepse vetëm kështu mund ta kthejmë atë në legjendë dhe përtej legjendës të krijojmë mitin dhe përtej mitit të rikthejmë në këtë vend forcën morale të udhëheqjes së një populli.

Please follow and like us: