Izet Shehu me poezitë e dhimbjes njerëzore
LOTËT E GRUAS
Lotët e gruas duke numëruar
Ndjen dridhje shpirti,
Ndjen lagështirë thellësish.
Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
Bënte me to paragrafe shenjtërish.
Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
Bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.
DËSHIRA E NJË ÇASTI
Ah, të isha i lirë si era,
Ëndrra pyjesh të përkundja,
Të flirtoj me luleshqerrat,
Të guit tok me pëllumbat!
Ah, të isha i lirë si era,
T’ia shkund pyllit kumtet e verdha!
MOS E MALLKO SHPRESËN E THARË
Mos e mallko shpresën e tharë,
Mos i mallko ëndrrat e verdha,
Të marrit mos i thuaj i marrë,
Fluturat mos i qorto pse i vërtit era.
Mos u ngazëllo kur shpërthen jargavani,
Kur zhvishen sërish mos u trishto!
Një kumbull e kaltër në hiroglifet e ajrit
Diç do të thotë, por s’e thënka dot.
Mos e mallko fatin e paracaktuar,
Bindu shkrimit mos u tundo nga mosbindja.
GJONI
Ku gjen humbellë më të braktisur
Se kjo pllajë krimbur në mëkat?
Terrin çan një gjon i krisur
Gjo…gjo…gjo… nëpër natë
Ç’breng e bren shpirtin e gjorë,
Errësirës së bërë pis?
Fryn një erë si brisk i hollë
Dhe të pret.
Dhe të dridh.
A mundesh dot që t’i numërosh
Klithmat e zogut në siklet?
Bot’ e zbrazët,
Pllaj’ e gjorë,
Nat’ e verbër bërë skelet.
Ku gjen humbellë më të braktisur
Se kjo pllajë kredhur në mëkat?
Nat’ e mekur, koh’e krisur,
Rebeluar gjon i ngratë.