Pandeli Koçi, cikël poetik
PROMETEU
Pasi kaloi skëterrën e mbitokës e të nëntokës
pasi përbuzi e mohoi thesaret e tokës e të qiellit
pasi shpërtheu zinxhirët e fatit të parathënë
me zjarrin rrëmbyer Zeusit të madh rrufehedhës
Prometeu
qëndroi
kryelart
para njerëzve
e vetes.
Zjarri mitik
iu shndërrua në monedhë të artë që rrezatonte
si Dielli.
E kush e meriton më tepër se unë! –
thirri sa u trand tokë e det
i pavdekshmi Promete
dhe e futi monedhën
në honin pa fund të xhepit të vet.
DEHJE
Buzëdetit mes dallgëve e shtrirë lakuriq
me bërrylat mbi zajet e bardhë farfuritës
ajo përplaste këmbët dhe
ujët shkumëzonte gëzueshëm.
Nga sipër kundroja, i dehur bukurie
sytë e saj dhe detin:
dhe të kaltër dhe të gjelbër,
dhe të hirtë dhe të yjëzuar.
Në thellësitë e syve,
në largësitë e ujit
bluja e errët priste pa mëshirë si me sharrë
horizontin.
Vallja lozonjare e ngjyrave
prush e zjarr më ndezi
ashtu më këmbë nën teshat e bardha.
Së fundi u binda. Shpirti
nuk qenka tjetër veç trup.
DRAMË PA ZGJIDHJE
Copën e bukës varur në spango
na e tundnin lavjerës para syve
majtas – djathtas – djathtas – majtas…
Kur sytë e pangopur vështronin përtej
një copë mish,
befas hanim pas koke goditje çekiçi
dhe mbeteshim dhe pa copën e bukës
dhe përplasnim duart brenda rrjetës së merimangës
të lumtur që s’ishim të lumtur
dhe treteshim trutharë burgut të ndërgjegjes
dhe mbetëm shpirtmykur kalasë së urrejtjes.
Vetëmohimi
Kur fus dorën në xhep,
nxjerr
portofolin
shaminë
çelësat
Botën?
Jo
veten.
Veten?
Po xhepi është i grisur…
Besimi
Në Hënë në mars në Afërditë në qiell…
Zoti s’u gjet që s’u gjet!
Cili Zot?
Ai që ka vetëm emrin?
Ai që ka vdekur me kohë?
Apo ai që dikush e ka në xhep
dikush në zemër
dikush në kokë?
Kambanat e së dielës
Vdekja pas perdes
jep shfaqje pa spektatorë.
Aktorët kanë shkuar në faltore
me luajt rolin e të penduarve.
Kush po qesh me zë kambane atje
Zoti apo Djalli?
Jeta në treg jep shfaqje lakuriq.
Brenda meje
Herë-herë brenda meje
ngre çerdhen një zog i artë.
I jap kokrra gruri, thekre, elbi… ai
nuk e hap sqepin të këndojë për mua.
Herë-herë brenda meje qëndron një korb.
Asgjë nuk i jap për të ngrënë.
Ai krrokat, krrokat, krrokat
e pret vdekjen time.
Herë-herë brenda meje flatron një shqiponjë…
Me mishin tim të freskët e ushqej,
ajo më shqepon mushkritë,
unë i paguaj taksën.
Kur e kur
Kur heronjtë vishen me lecka
leckamanët bëhen heronj.
Kur truri i ditur ha
mbeturinat e injorancës
injoranca ushqehet e shkëlqen
me trurin e ditur
dhe vdes.
Kur kostumi vlen më tepër se trupi
trupi ka shpallur me kohë
nekrologjinë e vet.
Kur Hëna rreket të verbojë Diellin
Dielli qesh e nuk rresht së ushqyeri
Hënën e brishtë Hënën pa jetë.