Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Është dimër mikja ime

 

Është dimër mikja ime është dimër
Dimër në male dimër në fusha ngado dimërim
Është stina mikja ime, është stina e të ftohtit
Pak ngrohtësi pak ngrohtësi
Pak diell mbi fytyra mbi ish-njerëz
Mbi fytyrat shtrembëruar nga të ftohtit rrënqethës.

Fushat kanë marrë ujë në brinjë
E malet kanë lidhur kokën me qefine reje
E ne jetojmë në një qytet rrëshqitës
Tmerrësisht rrëshqitës, tmerrësisht të gurtë
Jashtë çdo kohe, çdo stine, çdo feje.

Këtu ujërat rrëshqasin se guri s’i mban
Era rrëshqet e të merr fjalën nga buza
Bukuria rrëshqet si loti në fytyrën tënde
Këtu është një lëmim ngjethës i ngrirë
Një gri tmerrësisht e thatë, e shtrirë.

Me ç’guxim më ecën ti e ngrohta e qelqta
Me ç’frymim thur ëndrrat arabeska
Me ç’guxim drithëron drita në sy
Ç’ qiellëzim të ndriton yllëzon ty?
Këtu është vendi i thyerjeve, i rrëshqitjeve
I nëpërkëmbjes i pështymave gri.

Me ç’guxim guxon, njerëzon ti…

Nga libri “Si vdes gruri”, Tirane 1994

Please follow and like us: