Si të kurojmë sëmundjet e kockave, nga reumatizma, osteoporoza e deri tek artroza
Reumatizma, si të lehtësojmë dhimbjet e kyçeve dhe gjymtyrëve
Sëmundjet reumatizmale përveçse po shtohen, tashmë po prekin edhe moshat e reja. Mjekët reumatologë thonë se gjithçka lidhet me mënyrën e jetesës dhe të kequshqyerjes. Në këto ditë që karakterizohen nga një mot tejet i paqëndrueshëm, me vranësira, reshje shiu dhe temperatura të luhatshme, janë shtuar vizitat e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet reumatizmale. Mjekët reumatologë shpjegojnë se në rastet e spondiliartrozës apo sëmundjeve të tjera, të lehta reumatizmale, një aspirinë 500 mg dhe jo më shumë lehtëson dhimbjen. Por, nga ana tjetër, ata duhet të paraqiten edhe te mjeku i familjes. Vetëm në raste të komplikuara pacienti duhet të paraqitet edhe te reumatologu. Një këshillë që theksohet edhe për sëmundjet reumatizmale, sikurse edhe për të tjerat, është përzgjedhja dhe disiplinimi i ushqyerjes si dhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm.
Reumatizma
Sëmundjet reumatizmale janë ndër shqetësimet më të shpeshta të shëndetit edhe në popullatën shqiptare, që prekin kryesisht moshat e rritura, por nuk mungon përhapja e tyre edhe tek më të rinjtë. Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, trajtimi i hershëm i simptomave reumatizmale luan një rol të rëndësishëm në kontrollimin dhe shmangien e dhimbjeve të gjymtyrëve e deformimit të kockave. Këto komplikacione favorizohen nga fakti i shfaqjes së simptomave të dukshme që në stadet më të hershme. Reumatologët bëjnë me dije se këto sëmundje mbartin një kosto të madhe, e cila nuk rëndon vetëm individin, por gjithë shoqërinë. Kjo pasi mostrajtimi, përveç dhimbjeve që shkakton tek pacienti, shton edhe mungesat në punë si rrjedhojë e paaftësisë për të kryer aktivitetet e përditshme. Sëmundjet reumatizmale renditen si shkaku i dytë pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, që ndikojnë në rritjen e paaftësie për punë. Kjo sëmundje bëhet më e shpeshtë tek moshat e treta, ku mbi 50 për qind e tyre vuajnë nga format më të ndryshme të reumatizmës. Kategoria më e rriskuar mbeten femrat. Në vijim të shkrimit do të gjeni në formë më të detajuar se cilat janë komplikacionet më të shpeshta që shfaqen, si dhe çfarë këshillash rekomandohen nga mjekët në mënyrë që këto sëmundje të mbahen sa më larg.
Llojet më të shpeshta të komplikacioneve reumatizmale
Reumatizma është një gjendje e rënduar shëndetësore, e cila manifestohet në kyçet e gjymtyrëve, në muskuj ose në pjese të tjera të trupit. Prania e reumatizmës shoqërohet me dhimbje të forta, të therura dhe ënjtje të kyçeve. Reumatizma cilësohet si një ndër sëmundjet më të shpeshta të moshës së rritur, ndërkohë që kushtet klimaterike dhe vendbanimi ndikojnë në shfaqjen e saj. Reumatizma mund të shfaqet në forma të ndryshme, ku ndër më të shpeshtat pohohet të jenë artrozat, osteoporoza, dhimbjet e belit, si dhe një tjetër formë e rënduar siç është artriti reumatoid. Sa më herët të zbulohet prezenca e tyre, aq më efikas dhe më pak i dhimbshëm është trajtimi dhe mbajtja nën kontroll e komplikacioneve.
Artriti reumatik
Artriti reumatik njihet si një ndër shqetësimet më të shpeshta që shkaktohet si pasojë e inflamacioneve (apo siç njihen ndryshe në gjuhën popullore fryrje dhe ënjtje e artikulacioneve në gjymtyrë). Në përgjithësi simptomat e kësaj sëmundje konstatohen që në orët e para të mëngjesit kur pacienti zgjohet nga gjumi. Në rastet kur vuan nga artriti reumatoid, pacienti e ka shumë të vështirë lëvizjen e gjymtyrëve, e cila mund të vazhdojë edhe për më shumë se sa një orë. Por, për të konfirmuar praninë e artritit reumatik është mirë që të kërkoni ndihmën e mjekut, i cili përmes testeve përkatëse mund të faktojë praninë e kësaj sëmundje. Kjo me qëllim që të shmangen rastet në të cilat dhimbja e kyçeve dhe gjymtyrëve të ketë ardhur nga shkaqe të tjera. Për të vërtetuar këtë gjë, mjeku krahas analizave ju kërkon që të ndiqni edhe teste të tjera laboratorike, të cilat mund të japin një përfundim më të detajuar rreth simptomave të sëmundjes.
Stadet e qeta dhe të rënduara të artritit reumatik
Për pjesën dërrmuese të pacientëve që vuajnë nga artriti reumatik sëmundja mund të zhvillohet me faza të caktuara. Çka do të thotë se pacienti mund të përjetojë raste në të cilat sëmundja është më agresive, teksa herë-herë shfaqet edhe më e qetë dhe pa shqetësime të rënduara. Në rastet kur sëmundja është më aktive pacienti është shumë i lodhur, ka probleme me lëvizjen e kyçeve dhe çon në mpirje në kyçe, sidomos kur njeriu çohet në mëngjes apo ka qëndruar në vend për një kohë të gjatë.
Artroza
Një tjetër formë me të cilën mund të shfaqen sëmundjet reumatizmale janë edhe artrozat. Këto të fundit janë ndër format e shpeshta që prekin artikulacionet e gjymtyrëve (kyçet) dhe shkaktohen nga ngrënia e indit kockor që shërben për lidhjen e dy kockave, kryesisht ato mes gjymtyrëve. Humbja e këtij indi bën që kockat të afrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, duke çuar në deformimin e tyre, si rrjedhojë e fërkimit të krijuar mes kockave. Më e shpeshtë kjo sëmundje është tek moshat e rritura, megjithatë ka raste që mund të japë shenja të dukshme edhe tek pacientë të moshës 20 vjeçare.
Osteoporoza
Osteoporoza është një sëmundje e kockave gjatë së cilës densiteti kockor reduktohet në mënyrë graduale. Gjatë osteoporozës kockat bëhen më poroze me kalimin e kohës, gjë e cila rrit riskun për fraktura të tyre, invalidizime dhe deformime. Kjo sëmundje ndodh në mënyrë të heshtur e progresive dhe shpesh nuk ka simptoma deri në momentin kur ndodh fraktura e parë. Osteoporoza prek të dyja gjinitë por më e shpeshtë është te gratë. Për shumicën e grave rritja e humbjes së masës kockore fillon pas menopauzës, kur nivelet e estrogjenit bien ndjeshëm.
Simptomat
Shfaqja e simptomave që shoqërojnë sëmundjet reumatizmale ndryshojnë ndërmjet pacientëve. Megjithatë ndër simptomat kryesore që flet për praninë e shqetësimeve reumatizmale pohohet të jetë ënjtja dhe deformimi i kyçeve, si pasojë e avancimit të sëmundjes. Kështu, sa herë që prekni nyjet e vëreni ënjtjen dhe dhimbjen rreth tyre, të shkaktuar kryesisht nga prania e artirit reumatik. “Tek disa dhimbjet vijnë dhe ikin, tek disa dhimbja është e vazhdueshme dhe mund të rritet me avancimin e sëmundjes. Në të tilla raste gjithashtu krijohen disa simptoma të ngjashme me simptomat e gripit. Ndodh që i sëmuri të ndjehet i dobët, ka pak temperaturë, s’ka oreks. Gjatë kësaj kohe mund të humbë peshë dhe të bëhet anemik. Me radhë simptomat e artritit reumatik përfshijnë edhe komplikacione që prekin gishtat. Në çdo pesë pacientë një prej tyre ka disa kokrra nën lëkurë tek bërrylat ose në pjesë të tjera të trupit”, bëjnë të ditur reumatologët rreth simptomave të dukshme të këtyre sëmundje. Nëse një bërryl është i prekur ka shumë mundësi që edhe bërryli tjetër të preket nga dhimbjet reumatizmale. Përgjithësisht kjo sëmundje prek kyçet e lëvizshme, si gjunjët dhe bërrylat, por shfaqet edhe në kyçet e dorës, këmbë, nofulla, qafën, belin, shpatullat, e në raste të rralla fundin e kurrizit.
Faktorët që ndikojnë
Sikundër e theksuam edhe pak më lart në pjesën dërrmuese të rasteve prania e komplikacioneve reumatizmale shoqërohet me shenja të dukshme, të cilat orientojnë jo vetëm pacientin, por edhe mjekun në lidhje me trajtimin e duhur që duhet ndjekur. Një ndër kushtet që e bën këtë sëmundje shumë të përhapur në vendin tonë është klima dhe faktorët ambientalë të vendbanimit. Klima e ftohtë me temperatura shumë të ulëta është një tjetër shkak që e rëndon edhe më shumë këtë sëmundje. Mbipesha është një tjetër faktor që e rëndon edhe më shumë gjendjen, po ashtu edhe shumë sëmundje të tjera. Faktorët hormonalë mund të ndikojnë në të. Sipas ndarjes së bërë nga mjekët shkaqet e shfaqjes mund të jenë të përgjithshme dhe lokale. Kështu, në shkaqet lokale mjekët listojnë faktorë të tillë që sa herë që sforcohet një nyje, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, problem ky që shfaqet kryesisht në rastet kur ushtrohet aktivitet sportiv, si dhe nga mikrotraumat. Ky problem mund të bëhet edhe më i dukshëm në rastet kur kemi të bëjmë me anomali të lindura, e cila mund të ndikojë në mënyrë të dukshme mbi rastet e paraqitura me artrozë. Ndër shkaqet e përgjithshme specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Gjithashtu edhe faktori gjenetik ndikon në shfaqjen e këtyre sëmundjeve.
Gratë janë më të rrezikuara
Ndonëse nga sëmundjet reumatizmale preken masivisht të dyja gjinitë, më të shpeshta shfaqen tek femrat. Autoritet shëndetësore bëjnë me dije se më e shpeshtë kjo sëmundje shfaqet pikërisht tek kjo kategori (dyfish më e lartë se tek burrat), e kjo për shkak të faktit se kockat janë më të holla, të cilat rëndohen edhe më shumë nga ndërveprimi i një sërë faktorëve. Mjekët reumatologë tregojnë se artriti reumatik mund të shfaqet në të gjitha moshat, por mosha mesatare tek ata që sëmuren më shpesh është 50-55 vjeç.
Diagnostikimi i sëmundjes
Përmes testeve të shumta laboratorike përcaktohet edhe trajtimi që pacienti duhet të ndjekë. Ka raste në të cilat sëmundja mund të mbahet nën kontroll përmes mbajtjes së një diete të kujdesshme, si dhe ushtrimeve fizike. Ndërsa në rastet më të rënduara veprohet edhe me dhënien e medikamenteve, përdorimi i të cilave ndryshon nga pacienti në pacient, për shkak të veçorive individuale që manifeston secili prej tyre gjatë vizitës së zhvilluar tek mjeku specialist. Edhe këtu vlen për t’u nënvizuar fakti që nuk duhet të mbështetemi vetëm tek opinioni i farmacistëve për të qetësuar dhimbjet reumatizmale, pasi në këtë formë mund të rëndojmë edhe më shumë gjendjen shëndetësore.
Roli i dietave dhe ushtrimeve në trajtim
Rol vendimtar në trajtimin e këtyre sëmundjeve krahas trajtimit medikamentoz, luan edhe dieta ushqimore, si dhe kryerja e aktivitet fizik. Në rastet kur sëmundja është prezente problemet me ushqimin janë shumë të dukshme. Nëse këto probleme nuk balancohen përmes dietës ushqimore, atëherë sëmundja rëndohet duke kaluar në stade më agresive, çka mund të çojë deri në pengimin e të gjitha aktiviteteve të përditshme. Përballë ndjenjës së dobësisë për të kryere aktivitetet e përditshme, duhet bërë shumë kujdes që të mos lejohet rëndimi i mëtejshëm i simptomave. Duke mos lënë pas dore ushtrimet e lehta fizike, kryerja e të cilave gjithashtu duhet të ndjekë edhe rekomandimet e një mjeku, duhet t’i jepni përparësi dietave ushqimore që kanë si bazë kryesore frutat, perimet dhe zarzavatet. Kjo pasi përbërja e tyre minerale dhe me vitamina ndihmon zhvillimin e duhur të kockave, dhe indit kërcor që ndihmon lidhjen e tyre. Ndërkohë që krejt të kundërta do të ishin reagimet, në rast se dieta juaj ushqimore mbizotërohet nga ushqime që kanë kryesisht përmbajtje yndyrore, dhe mishrash. Ky i fundit mund të zëvendësohet fare mirë me peshkun apo dhe mishin e punës. Mjekët i mëshojnë idesë se konsumi i ushqimeve që kanë të përmbajtje të tyre pak kalori ju ndihmon që të ruani edhe peshën trupore, çka do të thotë se kyçet do ta kenë më të lehtë jo vetëm që të përballojnë peshën por edhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Është e domosdoshme që rregullisht të merren vitaminat, veçanërisht vitamina D e cila është shumë e domosdoshme për kockat, e cila duhet shoqëruar edhe me kalcium.
Ngadalësimi i humbjes së lëndës kockore
Meqenëse kalciumi dhe vitamina D mund të ngadalësojnë humbjen e lëndës kockore, shpesh doktorët këshillojnë marrjen e tabletave të kalciumit me vitamine D. Shpeshherë këshillohet edhe estrogjeni. Ky është një hormon që ndihmon gjithashtu në ngadalësimin e humbjes kockore. Kërkimet shkencore janë të përqendruara në kombinimet e këtyre preparateve të mësipërme plus fluor në shpresën e gjetjes së një mënyre për të ndaluar humbjen kockore. Në masat parandaluese përfshihen marrja e ushqimeve të pasura në kalcium, mënjanimi i proteinave të tepruara dhe ushtrimet e rregullta fizike të cilat stresojnë në mënyrë të moderuar shtyllën kurrizore dhe kockat e gjata të trupit.
Këshillat e arta për kocka të forta e të shëndetshme
1. Ushqimi duhet të jetë i pasur me fibra (që gjenden me shumicë në drithërat) me fruta, perime, jo shumë proteina (që gjenden tek mishi, veza etj) yndyrat të kufizuara. Ushqimet duhet të jenë të shijshme. Vetëm se asnjëherë nuk duhet harruar, që nënushqyerja mund të jetë edhe më e se mbiushqyerja.
2. Studimet kanë treguar se nëpërmjet ushqyerjes me një dietë të ekuilibruar, të pasur në fruta dhe perime, mund të sigurohen mjaft element ushqyes të nevojshëm për kocka të shëndetshme. Ekspertët rekomandojnë multivitamina ose suplementë të tjerë për njerëzit të cilët nuk marrin mjaftueshëm minerale dhe vitamina nga ushqimet. Kjo përfshin njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale që kanë probleme me thithjen e vitaminave dhe mineraleve në organizmin e tyre.
3. Marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës mund të shkaktojë humbje të kalciumit, prandaj është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat, në mënyrë që kockat të mos shfaqin probleme.
4. Përfshi kalciumin në dietë. Moshat e rritura (kryesisht mbi 5 0 vjeç), kanë nevojë për 1200 mg kalcium çdo ditë. Marrja e ushqimeve të pasura me kalcium është esenciale për përmirësimin e shëndetit të kockave duke filluar që në fëmijëri ose adoleshencë. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e nënproduktet e tij (kos, djathë), peshku e produktet e tjera të detit, fasulet, brokoli dhe zarzavatet e tjera si dhe frutat e thata (fiq, fara luledielli, etj). Preferohet që kalciumi të merret me ushqimin e përditshëm, por ndonjëherë është e nevojshme marrja e tij në formë suplementi.
5. Merr mjaftueshëm vitaminën D. Një sasi e mjaftueshme vitamine D është shumë e rëndësishme për kocka të shëndetshme mbasi kalciumi nuk përthithet lehtë nga organizmi pa ndihmën e vitaminës D. Burimi kryesor i kësaj vitamine është drita e diellit. Burim i rëndësishëm për vitaminën D është dhe ushqimi, ku qumështi e peshku janë më të pasur. Rekomandohet që të gjithë njerëzit mbi moshën 50 vjeç të konsumojnë 500 ml (2 gota/filxhan çaji) qumësht çdo ditë, për të plotësuar nevojat ditore të saj. Njerëzit të cilët nuk pinë qumësht dhe ata mbi 50 vjeç, kanë nevojë për të marrë një suplement ditor të vitaminës D prej 400 UI, sigurisht nën këshillat e mjekut. Kjo është e nevojshme sidomos gjatë periudhës së dimrit kur dielli nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar vitaminën D. Kapaciteti i lëkurës për të prodhuar vitaminën D gjithashtu reduktohet me kalimin e moshës.
6. Kompresa në vendin e dhimbjeve është në të shumtën e rasteve qetësuesi numër një që ndalon dhimbjen. Por, për rastet me reumatizëm të vazhduar, mjekët rekomandojnë pirjen e produkteve bimore, si dhe kompresat në vendet më të theksuara me reumatizëm. Plazhi nuk këshillohet për të gjitha llojet e komplikacioneve reumatizmale. Mjeku përcakton se cilat janë kategoritë që duhet të orientohen drejt plazhit.
7. Ushtrimet. Ka gjithmonë e më shume fakte që provojnë se ushtrimet fizike ndikojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të kockave dhe të muskujve, si dhe në një gjendje të përgjithshme psikofizike të shëndetshme. Është një formë shumë e mirë parandalimi edhe për sëmundjet e kockave dhe problemeve me inflamacionet e gjymtyrëve.
Artriti dhe Artroza, 7 gabimet që duhet të bëni
Artritet dhe artrozat janë sëmundjet më të shpeshta të kockave. Pothuajse gjithmonë shfaqja e tyre është e lidhur me përparimin e moshës. Megjithatë, edhe personat më të shëndetshëm kur merren me disa sporte të ndryshme fillojnë të kenë dhimbje të gjunjëve. Shpeshherë shumica e tyre nuk kërkojë konsultimin me një specialist dhe përpiqen që ta zgjidhin vetë dhimbjen. Kuptohet që ky është një gabim. Por cilat janë disa nga gabimet më të mëdha që mund të bëni në lidhje me artritin dhe artrozat, të cilat mund të shoqërohen edhe me probleme serioze për shëndetin?
GABIMI NR.1
Gabimi më i madh që mund të bëni është të mundoheni të “përpunoni” kyçet. Kjo do të sillte irritimin e indit kockor, me ndihmën e të cilit organizmi përpiqet që t’i mbrojë ato. Si duhet të sillemi? Artroza është një sëmundje kronike, e cila gradualisht sjell dëmtimin e kërcit dhe indit kockor. Masat radikale të marra në këtë rast vetëm sa do t’ju dëmtonin më tepër. Për këtë arsye duhet të jeni tepër të vëmendshëm ndaj saj. Ushtrimet fizike janë të shëndetshme, por vetëm disa prej tyre, pasi ato duhet t’jua këshillojë vetëm një specialist. Ato bëhen vetëm nëse jeni të shtrirë ose ulur dhe ajo që është më e rëndësishme, pa ndjerë dhimbje.
GABIMI NR.2
Njerëzit tërhiqen nga masazhi dhe pavarësisht se masazhojnë pjesën e sëmurë me shumë vëmendje, kjo irriton strukturën kockore. Nga çdo veprim agresiv, organizmi ynë mbrohet duke shkaktuar ënjtje, kështu që në kuadër të artrozës mund të shkaktojmë edhe dhimbje të mëtejshme. Si duhet të sillemi? Nuk duhet të bëhet asnjë lloj masazhi, të paktën jo para se të konsultoheni me një mjek.
GABIMI NR.3
Shpeshherë osteoporoza ngatërrohet me efektet që sjellin trauma të ndryshme ose me reumatizmin dhe për pasojë kurohet me mjekim të papërshtatshëm. Për shembull, merren ilaçe, të cilat janë të këshillueshme për artritin, ndërkohë që ato mund të japin efektin e kundërt që kërkohet. Si duhet të veprojmë? Vetëm mjeku mund ta vendosë diagnozën dhe pas kësaj të japë dhe medikamentet e nevojshme.
GABIMI NR.4
Terapia magnetike, me lazer apo elektrike mund të jenë të rrezikshme. Zakonisht njerëzisht ndjekin këto procedura me iniciativën e tyre personale, pa u konsultuar me mjekun apo me fizioterapistin. Këto procedura ndiqen zakonisht kur dhimbja forcohet, kyçet fillojnë të japë ndjesi djegieje dhe në to shfaqet lagështirë. Në këtë lloj situate këto procedura nuk mund të ndihmojnë aspak. Si të veprojmë? Fizioterapia në lidhje me artrozën duhet të zhvillohet vetëm në periudhën që nuk është e acaruar, d.m.th vetëm kur është e ftohtë dhe “e thatë”.
GABIMI NR.5
Disa persona përpiqen që ta mjekojnë artrozën nëpërmjet një “urie” të vazhdueshme. Si rezultat i këtij veprimi, kërci “vuan” nga mungesa e ushqyesve. Si të veprojmë? E rëndësishme është që të ruhet pesha trupore normale. Kilogramët mbi normë janë faktor risku shumë serioz për zhvillimin e artrozës në gjunjë.
GABIMI NR.6
Shumë njerëz besojnë në kurimin e kësaj sëmundjeve, duke përdorur p.sh një tullë të nxehtë. Ajo është vetëm një mjet ngrohës. E ngrohta zvogëlon dhimbjen, por nuk e kuron sëmundjen. Si të sillemi? Drejtohuni për të marrë ndihmë vetëm nga një specialist. Nëse keni një përparim të sëmundjes atëherë mjeku ju këshillon të merrni preparate vetëm për simptomat. Pas 1 ose 2 javësh ato heqin dhimbjen dhe djegien.
GABIMI NR.7
Shumë njerëz ngatërrojnë sëmundjen me keqpërdorimin e disa ushqimeve ose me pirje të ujit jo cilësor. Të tjerë fajësojnë ngarkesën fizike. Në fakt, edhe studiuesit nuk janë shumë të qartë në lidhje me shkaktarët e artritit apo artrozës. Mendohet se artroza shkaktohet nga moszhvillimi normal i gjymtyrëve të poshtme, zhvendosja e kofshëve, thyerje apo ngarkesa të forta fizike. Si të sillemi? Mos i kërkoni arsyet e sëmundjes aty ku nuk janë dhe mos fajësoni jetën tuaj shumë aktive apo lëvizjen e tepërt. Shumë njerëz merren me sport dhe nuk kanë asnjë problem me kyçet. Shijoni jetën tuaj me një jetë aktive, por mos lini pas dore mbrojtjen, nëse merreni me sporte ekstreme.
***********
Artroza e kockave të legenit çfarë është dhe si trajtohet
Artroza është një sëmundje e cila prek artikulacionet dhe shkaktohet nga dëmtimi i indit kërcor artikular që gjendet ndërmjet dy kockave. Humbja e këtij indi kërcor bën që kockat të fërkohen me njëra-tjetrën dhe të shtypen duke çuar në dhimbje, inflamacion dhe deformime të përhershme të artikulacionit. Artroza zakonisht paraqitet në artikulacionet që kryejnë më shumë lëvizje, si për shembull artikulacioni i shpatullës, në pjesën cervikale të kolonës vertebrale (pengon në lëvizjen e kokës dhe mund të jetë e pranishme dhe marramendja) dhe në artikulacionin e legenit, gjunjëve dhe ato të duarve. Është e rëndësishme të vihet theksi mbi faktin se të gjithë individët mund të zhvillojnë shkallë të ndryshme artroze ndërkohë që plaken. Kjo sëmundje nuk është ekskluzive për njeriun, por paraqitet te të gjithë vertebrorët me përjashtim të lakuriqëve të natës.
Artroza e kockave të legenit (artikulacioni koksofemoral)
Artroza e artikulacionit që lidh femurin me kockat e legenit çon në ngurtësimin dhe inflamacionin e kësaj nyjeje, çka çon në dhimbje e cila ndonjëherë nuk qetësohet as nga pushimi. Dhimbja provokohet nga dëmtimi i kërcit artikular duke shkaktuar fërkimin e kockave midis tyre. Në një pjesë të rasteve, në buzët e artikulacionit dalin osteofite (zgjatime kockore). Ju mund të humbisni aftësinë për të rrotulluar, mbledhur apo shtrirë artikulacionin koksofemoral. Shpesh, për të lehtësuar dhimbjen, individët nuk ruajnë një ritëm aktiv dhe muskujt të cilët kontrollojnë artikulacionin dobësohen. Kjo mund të çojë në çalim.
Simptoma e parë e artrozës mund të jetë një farë parehatie apo ngurtësim në rrëzë të kofshës, në vithe apo në kofshë kur zgjoheni në mëngjes. Dhimbja rritet gjatë aktivitetit fizik dhe lehtësohet në qetësi. Në rast se nuk e kuroni këtë gjëndje patologjike, atëherë ajo do të shkojë drejt përkeqësimit deri sa të arrijë në pikën ku do të jetë shumë e vështirë të ketë momente pa dhimbje, qoftë edhe në qetësi.
Pavarësisht se efektet e artrozës nuk janë të rikthyeshme, trajtimi i hershëm i saj mund të të ndihmojë në shmangien e dhimbjes dhe në ngadalësim të përparimit të sëmundjes. Në rast se jeni në etapat e para të zhvillimit të artrozës së artikulacionit koksofemoral, atëherë alternativat tuaja për trajtim mund të përfshijnë:
1. Shmangia e përdorimit të tepërt të artikulacionit koksofemoral.
2. Një program fizioterapie me ushtrime të lehta, të rregullta, si për shembull ushtrime aerobike në ujë, not, biçikletë në mënyrë që të ruhet funksioni i artikulacioni dhe të rritet forca dhe amplituda e lëvizjes.
3. Përdorimi i medikamenteve antiinflamatore për dhimbjen të tilla si ibuprofeni.
4. Fjetje e mjaftueshme gjatë natës.
Në rast se gjendja juaj tashmë është e rëndë, atëherë mund t’iu vijë në ndihmë kirurgjia. Artikulacioni koksofemoral është një mekanizëm i përbërë nga një sferë dhe një kavitet. Sfera ndodhet në pjesën e sipërme të kockës së kofshës (femur). Kirurgjia me zëvendësim të plotë të artikulacionit koksofemoral zëvendëson pjesën sferike të dëmtuar të kockës me një sferë metalike. Kaviteti i artikulacionit zëvendësohet me një kornizë metalike me veshje plastike.
Trajtimi kirurgjikal
Artroskopia. Artroskopia e artikulacionit koksofemoral përfaqëson një procedurë minimalisht invazive dhe përdoret rrallë.
Osteotomia. Kandidatët për osteotomi janë pacientë të rinj me artrit të hershëm, veçanërisht ata me displazi koksofemorale.
Zëvendësimi i plotë i artikulacionit përfaqëson një procedurë ortopedike rutinë. Procedura tradicionale kryhet me anë të një incizioni 25 deri 30 cm në njërën anë të legenit.
Fizioterapi, ja ushtrimet që kontrollojnë gjendjen
Kërci i shëndetshëm përthith impaktin e tronditjeve të ndryshme mbi artikulacionin koksofemoral. Realizimi i ushtrimeve të rregullta mund të ndihmojë në kontrollin e simptomave të artritit koksofemoral. Një nga ushtrimet më të mira për legenin tuaj është një shëtitje e përditshme. Të ecurit ruan artikulacionin dhe e mban atë të lubrifikuar mirë. Për më tepër, ecja fortëson muskujt përreth artikulacionit, çka do të reduktojë fërkimin kockë me kockë që vjen si pasojë e artrozës. Shëtitja duhet të zgjasë 20 deri 30 minuta. Në rast se artroza juaj është e përparuar, atëherë përdorni pajisje ndihmëse dhe mos dilni për të ecur vetëm. Gjithashtu, mund të ecni në një tapet rrotullues dhe të ndaloni sapo të ndiheni të lodhur. Një alternativë tjetër për ushtrimet është imitimi i lëvizjes së shkelmit duke qëndruar në vend. Ky ushtrim punon një grup muskujsh të legenit që quhen abduktorë, të cilët gjenden në pjesën e jashtme të artikulacionit. Për ta realizuar këtë ushtrim, qëndroni me këmbë të bashkuara. Më pas, këmbën e djathtë lëvizeni anash sa më në të djathtë që të mundni. Nëse është e nevojshme, mund të mbështeteni në shpinën e një karrigeje ose në tavolinë. Ruajeni pozicionin për 3 sekonda. Pastaj përsëriteni ushtrimin me këmbën tjetër. Bëni dy ose tre seri me 10-20 përsëritje. Bëjeni këtë ushtrim tre deri pesë herë në javë. Së fundmi, kemi ushtrimin me ngritje të këmbës gjatë qëndrimit ulur. Ky ushtrim forcon muskujt që bëjnë fleksionin e artikulacionit. Për të realizuar ushtrimin uluni në tokë dhe mbëteshni pëllëmbët e duarve prapa. Mbani këmbën e djathtë drejtë dhe ngriheni 30 cm nga toka duke e mbajtur për 3 sekonda. Më pas përsëriteni me këmbën tjetër. realizoni dy ose tre seri me 10-15 përsëritje. Në rast se keni dhimbje pas ushtrimeve mund të përdorni akull ose ndonjë antiinflamator. –
****************************
Osteoporoza, si kurohet “sëmundja e heshtur”
Osteoporoza është një sëmundje që çon në hollimin e kockave dhe thyerjen e kyçeve dhe të shtyllës kurrizore. Shumë mite ekzistojnë rreth saj. Shumë nga mjekët dhe specialistët thonë se vetëm gratë preken prej kësaj sëmundjeje. Por e vërteta është se edhe burrat mund të preken prej saj, madje edhe të rinjtë. Por osteoporoza është e trajtueshme. Osteoporoza shpesh quhet sëmundje e heshtur sepse ajo nuk ka simptoma dhe njerëzit ndoshta nuk e dinë se janë prekur prej saj derisa fillojnë të ndjejnë dhimbje në kurriz ose pësojnë ndonjë frakturë në kockë. Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetit përllogarit se gratë 30-40-vjeçare pësojnë një humbje të dukshme të densitetit të kockës. Dhe kur kocka me densitet të ulët krahasohet me një kockë normale, dallimi duket qartë. Ndërkohë që 80 për qind e atyre që preken nga osteoporoza janë gra dhe shpesh të moshuara, por edhe burrat mund të preken nga kjo sëmundje. Njerëz të racës së bardhë dhe aziatike janë më në rrezik prej osteoporozës, por edhe njerëz të racave të tjera mund të preken prej saj
Osteoporoza
Osteoporoza është një sëmundje kockash. Kockat dobësohen dhe humbin fuqinë e tyre, prandaj dhe kanë tendencë të thyhen. Njerëz me këtë sëmundje kanë një risk për plasaritje edhe në lëvizje të përditshme si p.sh. duke u përkulur por dhe duke u kollitur. Zhvillimi i kësaj sëmundjeje mund të shfaqet për shkak të ndryshimeve të hormoneve te gratë, mungesa e kalciumit, prezenca e tiroideve ose konsumimi i madh i alkoolit dhe duhanit. Kjo sëmundje nga statistikat është më e përhapur tek gratë e racës së bardhë dhe të verdhë, aziatike. Është më e rrallë tek gratë e racës së zezë. Mjekimi i përshtatshëm i osteoporozës mund të japë përparime në mirëmbajtjen e sasisë së kockave dhe të pakësojë simptomat që mund të shfaqen.
Efektet e sojës mbi kockat
Shkencëtarët kanë pasur arsye të mendonin se soja mund të ndihmonte gratë për të luftuar shenjat e plakjes siç janë humbja e kujtesës, dobësia e kockave dhe shtimin e kolesterinës. Mjekja Lampe, në bashkëpunim me tre institute mjekësore në Holandë, studiuan efektet e sojës tek gratë mes moshave 60-75 vjeç. Shkencëtarët analizuan të dhënat mjekësore të 100 grave për një vit, duke matur densitetin e kockave të tyre dhe nivelin e kolesterinës. Në moshën 60 vjeç mund të jetë shumë vonë për proteinën soja që të ketë ndonjë efekt pozitiv në këtë drejtim. Mjekja Lampe thotë se nuk ka ndonjë të dhënë që të tregojë se përdorimi i sojës është i dëmshëm, në fakt soja është një burim i plotë proteinash.
Sëmundja e kockave dhe depresioni
Shkencëtarët thonë se sëmundjet mendore ndikojnë rrezikshëm në zhvillimin e sëmundjeve fizike. Sipas tyre, dobësimi i kockave ose osteoporoza, është pasojë e depresionit. Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se depresioni në moshë të re ndikon në dobësimin e kockave kur njeriu arrin moshën mbi 40 vjeç. Doktor Philip Gold thotë se gratë para periudhës së menopauzës që kanë kaluar depresion, kanë 30 për qind gjasa të preken nga dobësimi i kockave. Mjekët rekomandojnë që gratë të cilat kanë kaluar periudha depresioni duhet të bëjnë analizat për matjen e densitetit të kockave. Kjo për arsye se tani ekzistojnë ilaçe jo vetëm për të ndalur procesin e dobësimit të kockave.
Vitamina K shmang osteoporozën
Një mënyrë për të shmangur osteoporozën është duke marrë vitaminë K. Osteoporoza shfaqet në një në çdo tre gra të moshës mbi 50 vjeç në Britani dhe faktorët që e shkaktojnë janë menopauza e hershme, anoreksia si dhe përdorimi për një kohë të gjatë i kortikosteroideve. Siofra Sharpe, nga Shoqata Ndërkombëtare e Osteoporozës, rekomandon ngrënien e luleshtrydheve gjatë sezonit të tyre të prodhimit. Këto janë produkte të pasura me vitamina K, e cila është identifikuar si një trajtues i efektshëm i osteoporozës. Kërkimet kanë treguar se vitamina K, kontribuon në eliminimin e problemeve të kockave. Përveç ilaçeve, metoda më e mirë e zëvendësimit të estrogjenit është ajo dietike, duke pirë sa më shumë produkte qumështi si dhe karota, portokalle, të cilat përmbajnë vitaminën D.
Si mund ta di nëse kam osteoporozë?
Për të kuptuar nëse keni osteoporozë, mjeku juaj duhet të kryejë testin e densitetit të eshtrave. Kjo shpesh është test i veçantë i rrezeve X, që quhet DXA (dex-ah), i cili mat dendësinë e eshtrave tuaja. Testi mund të konfirmojë nëse eshtrat tuaja janë të dobëta, por jo edhe me siguri të plotë nëse ato mund të thyhen. Mjeku juaj mund të ju tregojë nëse densiteti është mjaft i ulët, që të keni osteoporozë.
KALCIUMI DHE VITAMINA D
Shumë njerëz nuk marrin mjaftueshëm kalcium dhe vitaminë D. Kalciumi është tullë ndërtuese për eshtra. Vitamina D i ndihmon eshtrat për të përdorë kalciumin. Ato punojnë së bashku, për të ndërtuar eshtrat.
KALCIUMI
Gratë kanë nevojë për më shumë kalcium pas menopauzës. Gjatë ditës duhet të marrin së paku: 1,200 mg kalcium. Tabletat e kalciumit mund të ju ndihmojnë për të arritur këtë qëllim. Dozat e vogla prej 500 mg apo më pak të marra gjatë ushqyerjes janë më të mirat.
VITAMINA D
Vitamina D është e nevojshme pavarësisht prej moshës. Çdo ditë ju keni nevojë për së paku: 400 IU vitaminë D nëse jeni 51 gjer në 70 vjeç; 600 IU vitaminë D nëse jeni 71 vjeç e më shumë. Shumë tableta kalciumi dhe multivitamina përmbajnë vitaminë D. Kontrolloni etiketën për t`u siguruar.
**********************
Osteoporoza, kush rrezikohet më shumë nga sëmundja e kockave?
Sëmundja e osteoporozës, ose dëmtimi i kockave, nuk është ende e njohur si duhet në vendin tonë. Ndërkohë që përveç kësaj, mungon informacioni për mënyrat e parandalimit të saj, por edhe për trajtimin e të sëmurëve, i cili tashmë është i mundshëm. Statistikat botërore tregojnë se 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të moshës mbi 50 vjeç janë të prekur nga sëmundja e kockave, ndërsa në vendin tonë, sipas mjekëve, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shkallës së ulët të diagnostikimit. Indi kockor është një ind i organizimit njerëzor, që është në ndërtim të vazhdueshëm. Në kushte normale ekziston një ekuilibër midis proceseve që shkatërrojnë kockën dhe atyre që e ndërtojnë atë. Humbja e masës kockore fillon si te burri dhe te gruaja pasi kanë kaluar 35 vjetët. Por tek femrat kjo theksohet edhe më shumë në menopauzë e pas saj. Gjashtë vjet pas menopauzës vihet re një humbje e konsiderueshme e masës kockore, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me mungesën e estrogjeneve. Në disa raste humbja e masës kockore mund të jetë aq e madhe, sa mund të çojë në thyerje të kockave në mënyrë spontane (pa ndonjë shkak të vërtetë). Në këtë rast thuhet se gruaja paraqet osteoporozë. Të rrezikuarit Gratë kanë një rrezik tetë herë më të lartë se burrat për të zhvilluar osteoporozë. Fillimisht shenjat e osteoporozës janë: pakësim i masës kockore, zvogëlim i gjatësisë së kockës, dëmtime të lokalizuara, shtypje në nivelin e vertebrave, sidomos atyre të mesit, dëmtime të kyçit të dorës, qafës së femurit ose edhe në vende të tjera kur gruaja pëson një traumë, qofte edhe të vogël. Osteoporoza shkakton dhimbje vetëm në rastet e thyerjeve dhe të dëmtimit të vertebrave. Dhimbjet e kyçeve, nga të cilat ankohen gratë pas periudhës së menopauzës, nuk janë të lidhura me osteoporozën. Rreth 25-30 për qind e grave në menopauzë preken nga osteoporoza. Sipas mjekëve, për ta parandaluar atë është e rëndësishme që të individualizohen më parë gratë që janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje.
Përkrah femrave edhe meshkujt janë të rrezikuar nga sëmundja e osteoporozës
Sipas mjekëve, burrat mbi 50 vjeç janë të rrezikuar për të pësuar fraktura të shkaktuara nga osteoporoza, e cila është edhe më kërcënuese se kanceri i prostatës tek ata. Sipas disa studimeve të ekspertëve amerikane ortopedë, delikatesa e kockës mashkullore është më e rëndomtë sesa mendohet edhe pse disa herë e lënë pas dore, por ata janë më të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje për shkak të alkoolit dhe dietave të rregullta, shpesh me mungesa proteinash, të cilat gjenden shumë te qumështi. Alkooli, në të kundërt, dëmton mëlçinë dhe ndryshon metabolizmin e vitaminës D, e nevojshme për të ngjizur kalciumin në kockë.
Parandalimi
Për të parandaluar osteoporozën, sipas mjekëve, duhet që qysh në periudhën e fëmijërisë dhe adoleshencës të ndiqet një aktivitet fizik i përshtatshëm, si: ecje në këmbë, me biçikletë, bërja e ekskursioneve të përditshme, ose të paktën tri herë në javë dhe ndjekja e një regjimi ushqimor korrekt, me pak mish dhe shumë fruta, perime, zarzavate, qumësht (të skremuar në qoftë se ekzistojnë probleme të yndyrave në gjak), djathë, kos etj. Gjithashtu duhet të ndërpritet ose të pakësohet përdorimi i duhanit dhe i alkoolit. Një kujdes i veçantë duhet pasur nga rrëzimet, sepse shtojnë rrezikun e thyerjeve të kockave. Marrja e kalciumit çdo ditë, e shoqëruar me vitaminë D, është gjithashtu e rëndësishme, por për këtë duhet më parë të këshilloheni me mjekun. Për arsyet e përmendura më sipër është e rëndësishme të ndiqet një regjim ushqimor i ekuilibruar dhe i larmishëm, por në të njëjtën kohë duhet të kryhen ushtrime fizike të paktën tri herë në ditë. Afrimi i periudhës së menopauzës mund të jetë edhe një mundësi për të ndryshuar disa zakone të të ushqyerit jokorrekt. Rregullat e të ushqyerit mund të ndihmojnë gruan për të ndjekur një regjim ushqimor të mirë si për vete, ashtu edhe për të gjithë familjen. Përdorni larmi ushqimesh, por që gjithnjë të jenë sa më të freskëta. Përdorni sa më shumë fruta e zarzavate. Filloni vaktin me sallatë ose me supë me zarzavate. Pakësoni vaktet me mish (jo më shumë se 4 herë në javë) dhe zëvendësojini ato me ushqime me zarzavate. Ulni përdorimin e yndyrave gjatë përgatitjes së ushqimeve. Pakësoni sa më shumë që të jetë e mundur përdorimin e ëmbëlsirave. Hani fruta, por jo menjëherë pas ngrënies së vaktit.
Dieta
Duhet të hani tre vakte dhe tri minivakte në ditë. Minivaktet janë ushqime si fruta, arra, jogurt etj., që të mbani metabolizmin lart. Gjithmonë hani mëngjes, është vakti më i rëndësishëm i ditës. Hani diçka çdo tri orë, që të mbani sheqerin në nivelin normal dhe metabolizmin lart. Në qoftë se jeni shumë aktiv, hani çdo dy orë. Sasia e ujit në trupin tonë duhet të jetë 75 për qind. Kështu që pini ujë, rreth 10 gota (250 ml) në ditë. është e rëndësishme të merrni proteina (mish, vezë djathë etj.), bulmet (djathë, qumësht, kos etj.), perime, fruta, yndyra të shëndetshme, brumëra dhe ujë çdo ditë. Çdo gjë që konsumoni duhet të jetë me sasi mesatare. Zakonisht pjata që serviret në restorante është dyfishi i sasisë që duhet të hani. Kjo është këshilla më e rëndësishme që ju duhet të keni parasysh. Të paktën katër ditë në javë duhet të bëni vrap ose ecje të shpejt, për 1 orë. Dhe tri ditë në javë duhet të bëni ushtrime për muskujt si ngritje peshash. Për shembull: 15 pompa, por me 3 raunde (15 sekonda deri në 1 minutë pushim pas çdo raundi).
Faktorët që ndihmojnë në zhvillimin e osteoporozës te femrat:
1. Mosha e fillimit të menopauzës
Sa më shpejt të fillojë menopauza, aq më i madh është rreziku i osteoporozës. Kur menopauza është kirurgjikale (menopauza quhet kirurgjikale kur pas ndërhyrjeve është hequr mitra dhe bashkë me të edhe vezoret), rreziku është akoma më i lartë.
2. Trashëgimia
Në familjet e personave që vuajnë nga osteoporoza rritet rreziku edhe për personat e tjerë.
3. Karakteristikat etnike
Gratë e bardha janë më të rrezikuara nga osteoporoza se ato të zeza.
4. Pesha
Personat e dhjamosur preken rrallë nga osteoporoza.
5. Mënyra e të ushqyerit
Një dietë jo e mirë mund të pengojë zhvillimin e rregullt të kockave qysh në fëmijëri, adoleshencë dhe ta theksojë procesin e humbjes kockore tek të moshuarit. Vegjetarianët kanë një densitet kockor më të madh në krahasim me ata që ndjekin një dietë të pasur me mish.
6. Ushtrimet fizike
Bërja e ushtrimeve të përditshme është e nevojshme për zhvillimin dhe mbajtjen e shëndetshme të kockave dhe kjo vlen për të gjithë, si për fëmijët, ashtu dhe për të moshuarit.
7. Duhani
Gratë që pinë duhan kanë rrezik të hyjnë në menopauzë rreth 5 vjet më parë se ato që nuk e pinë, dhe kjo mund të shpjegojë lidhjen që ekziston midis përdorimit të duhanit dhe thyeshmërisë së kockave në këto përdoruese.
8. Alkooli
Ul thithjen e kalciumit nga zorra dhe favorizon zhvillimin e osteoporozës.
9. Ilaçet
Kortizonet si ultrakorteni, nëse përdoren për një periudhë të gjatë, çojnë në hollimin e kockës deri në osteoporozë. 10. P
Shenjat dhe simptomat më të cilat shfaqet osteoporoza
1. Artriti reumatoid është simetrik, prek gjunjët, këmbët dhe kyçet
2. Simptomat janë më të forta në mëngjes. Tipikisht, pacientja ose pacienti e ka të vështirë të lahet, të vishet, dhe të krihet në mëngjes
3. Shoqërohet edhe me serozit, që do të thotë efuzione pleurale, perikardit, anemi, xhunga nën lëkurë.
4. Kur sëmundja përparon, ajo shkakton shformime karakteristike të gjymtyrëve: gishtërinjtë e duarve zhvendosenlateralisht për nga ulna, gishtërinjtë pësojnë kontrakturë etj.
5. Përparimi i sëmundjes shoqërohet me shkatërrim të kërcit të kyçeve dhe me ankilozë të kockave
Ushtrimet trupore mbrojnë nga osteoporoza
Ushtrimet trupore në moshën e adoleshencës ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të eshtrave pas menopauzës, njoftojnë shkencëtarët japonezë. Revista “British Journal of Sports Medicine” ka publikuar rezultatet e një studimi ku kanë marrë pjese 46 femra të moshës mbi 52-vjeçare, të cilat iu janë përgjigjur pyetjeve të ekspertëve nga Universiteti i Suzukit në lidhje me aktivitetin trupor në moshën e adoleshencës. Në bazë të këtyre rezultateve është treguar se aktiviteti trupor në moshë të re, siç është p.sh. notimi, në moshën e mëvonshme iu ndihmon femrave në ruajtjen e shëndetit të eshtrave dhe në këtë mënyrë pengon zhvillimin e osteoporozës.
Këshilla për të luftuar sëmundjen që në fëmijëri:
1-Për të luftuar shfaqjen e osteoporozës është e nevojshme ajo që hamë. Për këtë duhet të ndiqet një dietë ushqyese e balancuar me një përbërje kalorike, të përshtatshme me nevojat fiziologjike të individit.
2-Dieta duhet të përmbajë një gram proteinash për çdo kile të organizmit tonë.
3-Duhet të përmbajë një përbërje të duhur yndyrash dhe karbohidratesh që nuk duhen të jenë më tepër se 55-60% të kalorive totale. Po që duhen marrë çdo ditë.
4-Po ashtu rekomandohen sasi të larta kalciumi, potasi, magnezi dhe sasi të pakta sode.
5-Vitamina D është nga ana tjetër një përbërës i rëndësishëm për asimilimin e kalciumit dhe për këtë duhet marrë me dietë apo me tableta.
6- Përveç kësaj vitaminat: A, C, E, K dhe minerale të tjera si fosfori, fluori, hekuri, zinku dhe bori janë të nevojshëm për një metabolizëm normal të kockave dhe mund të merren falë një ushqyerjeje të larmishme dhe korrekte.
7-Së fundmi rekomandohet eliminimi i alkoolit, kafeinës dhe pijeve të gazuara. Këto të fundit duket se e rrisin më shumë riskun për fraktura te gratë që i konsumojnë.
Kush rrezikohet më shumë?
-Gratë
-Ato që janë të dobëta
-Ato që i kanë flokët apo lëkurën ngjyrë të hapur.
-Ato që hyjnë herët në menopauzë.
-Ato që kanë pak lëvizje.
-Ato që përdorin alkool dhe cigare.
-Ato që përdorin pak qumësht apo produktet e tij.
-Ato që përdorin kortizon.
-Ato që i kanë të dëmtuara funksionin e veshkave.
-Ato që kanë bërë shumë lindje
-Ato që kanë tek të afërmit e tyre një problem të tillë.
Trajtimi i osteoporozës?
A ka vlerë kalçiumi dhe vitamina D?
Po, sidomos gjatë rritjes së një fëmije për një zhvillim sa më të mirë të skeletit. Dhe nevoja për kalcium vazhdon përgjatë gjithë jetës e jo vetëm në fëmijëri. Kalciumi duhet më mirë të merret me dietë. Dobia e atij të marrë me ushqime është 30%. Burimet kryesore janë qumështi dhe nënproduktet e tij. Pastaj perimet me gjethe jeshile, fasulet, fistiqet, lajthitë,dhe peshqit e vegjël. Nëse sasia e nevojshme ditore nuk mund të kompensohet me ushqime duhen marrë në formë kripërash kalciumi.
Si ndikon alkooli dhe cigarja?
Alkooli ndikon keq tek hormonet që merren me rregullimin e kalciumit dhe pakëson formimin e kockës. Duke aktivizuar citokrom P 450 rrit shkatërrimin e vit D në mëlçi. Gjithashtu prish edhe thithjen e kalciumit. Alkooli bëhet shkak për hipogandizëm, hiperkortizolizëm, dhe cirozë hepatike apo acidozë metabolike. Nëse mendohet se rrit edhe mundësinë për tu rrëzuar atëherë dalin qartë në pah dëmet e tij. Duhani me nikotinën që përmban bëhet shkak për aktivizimin e citokrom P450 që sjell pakësimin e vitaminës D. Gjithashtu ka veti antiestrogjenike. Pakëson thithjen e kalciumit. Gratë që pinë duhan janë më të dobëta dhe hyjnë në menopauzë më herët.
Diagnostikimi
Ka disa aparatura. Më e përdorura sot është metoda DEXA. Nuk e dëmton të sëmurin. Pasi ajo shtrihet burimi i dritës përshkruan trupin e saj dhe të dhënat grumbullohen në një kompjuter. Kjo mund të zgjatë rreth 30-45 minuta megjithëse ndryshon sipas aparatit. Osteoporozat e theksuara mund të shihen e dhe në grafinë direkte roentgen. Nëse arrihet të shihet në grafi kjo do të thotë se rreth 30% e masës së kockës është pakësuar. Megjithatë edhe klinika dhe shenjat e të sëmurit ndihmojnë shumë në diagnozë.
Si të ruhemi nga osteoporoza?
-Kontrolloheni veten tuaj shpesh. Një diagnostikim i hershëm ka shumë dobi për të ardhmen. Kujdes kini edhe dietën.
-Merrni sa më shumë qumësht dhe nën produkte të tij por kujdes yndyrnat në të, që mos të jenë shumë.
-Merrni shtesa magneziumi dhe kalciumi. -Ruhuni nga ushqimet me shumë proteina.
-Pakësoni kripën.
-Hani sa më shumë zarzavate.
-Larg alkoolit dhe kafesë.
-Ushtrimet patjetër të jenë të rekomanduara nga mjeku.
-Vishini çorapet dhe këpucët ulur (që të mos rrëzoheni).
-Zgjidhni një këpucë të përshtatshme.
-Mos ngrini pesha të rënda.
-Nëse ju duhet të përkuleni bëheni duke përthyer gjunjët e jo belin.
-Kujdes lëvizjeve të menjëhershme.
-Kujdes teksa ecni mbi akull.
-Ndriçojeni shtëpinë tuaj sa më mirë.
-Gjithmonë korridori për tek dhoma e gjumit apo e banjës të jenë të ndriçuar mirë. –
***************
Mitet që duhen rrëzuar mbi reumantizmën
Kur një person preket nga reumatizma, do të thotë se sistemi imunitar i organizmit ka filluar të sulmojë krahas baktereve dhe viruseve edhe qelizat normale. Një studim i ri i kryer nga qindra amerikane për parandalimin e sëmundjeve tregon se reumatizma përbën një problem kryesor për ata që punojnë. Mjekët analizuan të dhënat e një ankete në shkallë kombëtare dhe panë se 1 në çdo 3 persona me reumatizëm ndeshet me vështirësi kur punon. Reumatizma apo Artriti, është një prej shkaktarëve kryesorë të paaftësisë në Shtetet e Bashkuara. Prej saj preken rreth 46 milionë amerikanë. Shumë vetë e mendojnë reumatizmin si kufizuese të veprimtarive për të moshuarit. Duke qenë se nga kjo sëmundje po preken shumë amerikanë revista prestigjioze “TIME” duke marrë këshillat e mjekëve më të njohur amerikanë ka sjellë 5 mitet që ekzistojnë mbi këtë sëmundje, që njerëzit të dinë ta kurojnë atë, por edhe ta parandalojnë. Në këtë këndvështrim gazeta “Tirana Observer” për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë janë të prekur nga sëmundje po sjell specialen e revistës amerikane të përkthyer në shqip.
Miti Nr. 1:
Artriti Remautoid është një sëmundje që prek vetëm të moshuarit
Fakt: Artriti Reumatoid mund të zhvillohet në çdo moshë. Sëmundja e reumatizmit, që shkakton inflamacion në indet e organizmit, zakonisht fillon ndërmjet moshës 25 dhe 60 vjeç.
“Ky mit bën që artriti të përhapet tre herë më shumë”, shprehet Dr. Erik Mateson, drejtori i repartit reumatologjik në Klinikën Mayo në Roçester, SHBA. “Duke thënë është ‘thjesht mosha e rritur’, ka të njëjtin impakt si të thuash ‘ti bëhesh me rrudha dhe të bien flokët’”. Sipas Dr. Patience White, z/president i Shëndetit Publik për Fondacionin e Artritit, pjesa më e madhe e personave që vuajnë nga kjo sëmundje janë nën moshën 65 vjeçare, përfshi dhe 300 mijë fëmijë që kanë artritin reumatoid. “Njerëzit mendojnë se kjo sëmundje “pritet” të shfaqet në moshë të rritur dhe kjo nuk është e vërtetë”, shprehet ajo. (Artriti Reumatoid nuk duhet ngatërruar me osteoartritin, që është çrregullimi më i zakonshëm dhe është në të vërtetë pasojë e plakjes.)
Artriti Reumatoid mund të shkaktojë probleme serioze për ata që vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo mund të zvogëlojë aftësinë për të lëvizur dhe përfshirjen në aktivitetet e jetës së përditshme, që rezulton shpesh në nevojën për ndërhyrje kirurgjikale. Pritshmëritë mbi jetëgjatësinë e pacientëve me artrit reumatoid të lehtë ose të rëndë mund të jetë shtatë vjet më pak se jetëgjatësia e personave që nuk vuajnë nga kjo sëmundje, dhe janë dy herë më në rrezik për të patur sëmundje zemre. Kjo sepse artriti reumatoid mund të prekë pothuajse çdo pjesë të trupit, duke shkaktuar zmadhim të arterieve, dëmtuar indet e mushkërive, inflamacion të enëve të gjakut dhe inflamacion të zemrës.
“Duke thënë se ajo është një sëmundje e njerëzve të moshuar krijon përshtypjen e “ajo nuk përbën një problem të madh”, shprehet Mateson.
Miti Nr. 2:
Personat që vuajnë nga artriti nuk duhet të bëjnë ushtrime
Fakt: Njerëzit që vuajnë nga artriti, edhe ata që vuajnë nga osteoartriti i gjunjëve, duhet të kryejnë rregullisht ushtrime për të reduktuar dhimbjen dhe për të forcuar nyjet muskulore.
“Ushtrimet ndihmojnë në stabilizimin e nyjeve,” shprehet doktor Mateson. “Mbajtja e muskujve të fortë dhe elastik ndihmon në përmirësimin e tyre dhe në zvogëlimin e dhimbjes.” Ai rekomandon ushtrime të thjeshta si për shembull të ecurit me këmbë ose me biçikletë. Joga, gjithashtu mund të jetë një mënyrë e përshtatshme për forcimin dhe tërheqjen e nyjeve të muskujve.
Fondacioni i Artritit inkurajon pacientët me artrit të përfshihen në ushtrime që ngadalësojnë progresin e artritit dhe lindjen e osteoartritit kronik. “Ne nuk u themi njerëzve të bëhen pjesë e maratonave të vrapit; por ushtrimet ndihmojnë realisht, dhe humbja në peshë mund të ndihmojë gjithashtu në kontrollimin e dhimbjes së muskujve”, thotë Dr. Ëhite. “Nëse njerëzit mbajnë peshën në bazë të standardeve dhe janë fizikisht aktivë, ndihmon në uljen e simptomave.
Miti Nr. 3:
Dieta e duhur mund të kurojë artritin.
Fakt: Ngrënia e ushqimeve të caktuara nuk do të shërojë osteoartritin apo artritin rheumatoid, apo ta përmirësojë atë.
“Asnjë dietë nuk do ta kurojë artritin tuaj, por të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme ka gjithmonë anët e saj pozitive,” thotë Dr. White. “Të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme mund të çojë në humbje në peshë, që mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave të artritit.” Fondacioni i Artritit rekomandon një dietë që përfshin pak yndyrna dhe kalori dhe të pasur në fruta, perime dhe drithëra.
Edhe pse dieta juaj ushqimore nuk do të shërojë artritin tuaj, ato mund të ndikojnë simptomat e sëmundjes suaj, sipas Fondacionit të Artritit:
• Ndjeshmëria ushqimore. Disa pacientë me artrit mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj ushqimeve specifike që mund të përkeqësojnë simptomat.
• Yndyrat e ngopura. Konsumimi i tepërt i yndyrave dhe vajit vegjetal mund të nxisë reagime inflamatore dhe të ndikojë në inflamacionin e nyjeve muskulore dhe të indeve.
• Shëndeti në përgjithësi. Dieta ushqimore ndikon në shëndetin në përgjithësi dhe në sëmundje të tjera si diabeti apo sëmundjet e zemrës. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si trupi i njeriut përballon dhe reagon ndaj simptomave të artritit.
• Kequshqyerja. Të paturit artrit mund të ndikojë në dietën tuaj ushqimore; ta përkeqësojë atë. Dhimbja dhe lodhja mund të shkaktojnë humbje të oreksit ose ta bëjnë të vështirë të ngrënin dhe përtypjen.
Miti Nr. 4:
Podagra është kryesisht shkaktar i artritit
Fakt: Simptomat e podagrës, një formë e artritit inflamator (ekzistojnë më shumë se 100 lloje artriti), mund të jenë më të rënda se dhimbjet e nyejve muskulore. Krijimi i acidit urik në gjak, që shkakton inflamacionin e nyejve muskulore dhe të podagrasë, është gjithashtu i lidhur me një risk të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.
Në periudha të caktuara podagra shkakton dhimbje të mëdha të papritura. Ajo zakonisht shfaqet në nyejt e mëdha të shputave, por gjithashtu mund të prekë nyje të tjera muskulore si këmbët, gjunjët, kyçet, duart dhe bërrylat. Nëse nuk trajtohet, podagra mund të bëhet kronike dhe mund të prekë nyje të ndryshme muskulore në të njëjtën kohë. Ajo gjithashtu mund të shkaktojë krijimin e kristaleve të acidit urik nën lëkurë; dhe nëse prodhohen në sistemin urinar ato mund të prodhojnë gurë në veshka. Me kujdes mjekësor, gjithsesi, podagra zakonisht mund të trajtohet brenda disa orëve.
Ndryshimet në stilin e jetës mund të ndihmojnë gjithashtu në shfaqjen e podagrës. “Duke kontrolluar nivelet e acidit urik, duke ruajtur një peshë normale për njerëzit që janë mbipeshë, dhe duke mos konsumuar birra, që njihet si ndikuese në rritjen e rrezikut të podagrës, janë të rëndësishme në reduktimin e rrezikut të podagrës dhe komplikimeve në nivelet e larta të acidit urik”, thotë Dr. Mateson.
Këshilla nga Kilnika Mayo:
• Pini shumë lëngje, kryesisht ujë. Limitoni pijet e ëmbla.
• Limitoni konsumimin e mishit, peshkut dhe shpendëve. Merrini proteinat nga ushqime më pak të yndyrshme.
• Arrini një peshë të shëndetshme, por mos merrni/humbni peshë shumë shpejt. Kjo mund të rrisë nivelin e acidit urik.
Përafërsisht, rreth 6.1 milion amerikanë kanë patur të paktën një atak podagra, sipas Fondacionit të Artritit. Ajo zakonisht prek meshkujt mbi 30 vjeç. Gratë janë më pak të predispozuara të preken nga podagra, por ato të cilat preken zakonisht ndodh pas menopauzës.
Miti Nr. 5:
Artriti Reumatoid do të ju dënojë në karrige me rrota.
Fakt: Trajtimet për artritin reumatoid janë përmirësuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, dhe trajtimi i hershëm mund të ndihmojë në parandalimin e progresit të artritit.
“Njerëzit mendojnë se do të bëhen të varur nga të tjerët për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme sit ë veshurit apo të larit e dhëmbëve,” thotë Mateson. “Ky nuk është fati që ka ndjekur pjesën më të madhe të pacientëve që janë trajtuar në mënyrën e duhur, shumë shpejt pas shfaqjes së simptomave të tyre.”
Studimet kanë treguar se trajtimi i hershëm mund të reduktojë simptomat dhe dëmet e nyjeve muskulare, duke shmangur që pacientët t’i nënshtrohen operacioneve kirurgjikale. “Trajtime të hershme si përdorimi i drogave për modifikimin e sëmundjes, mund të jenë të përshtatshme,” thotë Mateson. “Ato reduktojnë nevojën për ndërhyrjet në nyjet muskulore dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.”
Këto droga mund të kenë efekte të rënda anësore; megjithatë pacienti duhet monitoruar vazhdimisht dhe nga afër. Medikamente të tilla zakonisht jepen së bashku me drogat antiflamatore, dhe me ushtrimet fuqizuese dhe pushimin./TO/