Fiq dhe vetëm fiq për zemrën dhe jetën seksuale
Një dietë me fiq ndihmon në: rregullimin e presionit të gjakut, kapsllëkun, parandalon sëmundjet e zemrës, përmirëson jetën seksuale, etj.
Dobitë e fikut janë të njohura që në lashtësi. Gjatë kësaj periudhe është shquar si një bimë medicinale dhe dietike.
Mbreti grek Mithridates(120-63 PK) e kish përcaktuar fikun si një antidot për të gjitha sëmundjet tek njeriu.
Plini(62-113) ka shkruar se: “fiqtë janë tonik dhe ushqim i mirë për ata që janë drobitur nga një sëmundje e gjatë, ndihmon në rimëkëmbjen e tyre. Rrit forcën në moshat e reja, ndërsa moshat e vjetra ruajnë një shëndet të mirë dhe i bëjnë të duken më të rinj dhe më me pak rrudha”.
Fiku si ushqim i freskët por edhe i përpunuar ose i tharë ndikon dukshëm në përmirësimin e shëndetit të njeriut. Sipas studimeve bashkëkohore një dietë me fiq ndihmon në: rregullimin e presionit të gjakut, kapsllëkun, mbipeshën, parandalon sëmundjet e zemrës, dhimbjet e fytit, përmirëson jetën seksuale, antidiabetike, parandalon kancerin tek gratë, etj.
Fiku
Fiku rrjedh nga Mesopotamia, në Egjipt përmendet 4.000 vite para Krishtit, por ishte edhe pema e preferuar e Kleopatrës. Konsiderohet që fiku është nga Azia Jugperëndimore, ndërsa përmes Turqisë ka arritur në Mesdhe. Sot kultivohet në të gjitha viset e ngrohta të globit të tokës. Fiku hyn në të ashtquajturat bimë të lashta, dobitë shëruese të të cilit njeriu i njeh që nga fillesat e civilizimit.
Përveç vlerave shëruese, fiku për popujt e lashtë me siguri ka paraqitur vlerë të rëndësishme religjioze ose simbolike.
Kështu, nëse do të ishit pjesëtar i Lojërave Olimpike në Greqinë Antike, në vend medaljes së artë rreth fytit do të kishin fituar pikërisht fikun. Sa u përket veçorive shëruese të fikut, me siguri një nga karakteristikat themelore është përqindja e lartë e magnezit. Magnezi është një nga elementet themelore që mbrojnë sistemin tonë nervor nga stresi. Është shumë i rëndësishëm për eshtrat, imunitetin, shëndetin e trurit dhe sistemim nervor. Nxit shëndetin dhe vitalitetin, shëron shumë sëmundje, dhe në mënyrë të konsiderueshme ngadalëson procesin e plakjes. Në vitet e fundit është konstatuar që përveç kalciumit, i cili është mjaft i theksuar tek kompanitë për shëndetin, magnezi po ashtu luan rol shumë të rëndësishëm, respektivisht, ekuilibri adekuat në mes kalciumit dhe magnezit, do t’i kontribuojë kualitetit dhe gjatësisë së jetës suaj. Të theksojmë që fiqtë e thatë përmbajnë trefish më shumë magnez se sa ata të zakonshmit. Përveç magnezit në fiq kemi edhe kalium, kalcium, hekur, fosfor, bakër dhe vitaminat B6, vitaminë C dhe beta-karoten. Fiku ka nivel shumë të ulët të yndyrave dhe përmbajtje më të lartë të fibrave se sa çdo pemë dhe perime tjetër. Pektina është fibër tretëse e cila redukton kolesterolin në gjak. Triptofani, ndihmon te problemet me qarkullim dhe tek pagjumësia.
Përqindja e lartë e sheqernave natyrore në fiq do të sigurojë që truri juaj të punojë më shpejt, të pranojë më mirë edhe informatat e ndryshme, kështu që mund të themi që fiku është stimulans i mirë natyror. Sigurisht, diabetikët duhen të kenë pak kujdes te fiqtë e thatë meqenëse përmbajnë përqindje më të madhe të sheqerit. Veprimi themelor i fikut ka natyrë laksative, sikurse edhe i kumbullave, por përveç kësaj fiqtë (saktësisht lëngu i bardhë i fiqve)në mjekësi natyrore përdoren edhe për shërimin e tumoreve, kollit, inflamacioneve të fytit, të thatit etj. Çaji nga fiqtë shëron sëmundjet e mëlçisë, fytit, organeve të frymëmarrjes, gurit të tëmthit, fshikëzës. Po ashtu popullor është aplikimi i tij si mjet në rastin e shërimit të sëmundjeve të kancerit, forcimin e imunitetit dhe forcimin dhe ripërtëritjen e vitalitetit.
Fiqtë e freskët përmbajnë deri 80 për qind ujë dhe 60 për qind sheqer natyral, prandaj përfitimet e konsumimit të fiqve, të freskët apo të thatë, janë të shumëfishta, shërbehen më ushqime të ndryshme, si meze, desert, pekmez, lëng, reçel, akullore etj. Është e nevojshme vetëm pak imagjinatë për t’u përzier biznesi me kënaqësi.
Kujdes! Një përdorim i tepruar mund të shkaktojë probleme tek njerëzit që kanë infeksione në veshkat ose në fishkëzën urinare duke shkaktuar diarre.
Llojet e fiqve janë të shumtë
Në botë njihen rreth 900 lloje fiqsh. Në Shqipëri, kjo bimë u përshtatet më së miri kushteve tokësore e klimaterike, ka një praktikë mijëra vjeçare, dhe llojet e tij janë nga më të mirët e më të shijshmit në Mesdhe e më gjerë. Edhe në vendin tonë ka me qindra lloje fiqsh.
Fiku kuron:
Mjekët dhe dietologët këshillojnë që çdo njeri të konsumojë çdo ditë të paktën nga një frut, ndërsa një shportë e madhe plot ngjyra do të ishte ajo idealja. Arsyet pse duhet ta konsumojmë fikun janë të shumtë, ndaj po listojmë disa prej shkaqeve. Shkencëtarët japonezë kanë bërë me dije se ekstrakti i fiqve, përbërësi i tyre benzaldehid, i kontribuon zvogëlimit të kancerit tek njerëzit. Fiqtë kanë treguar rezultate të shkëlqyera tek zvogëlimi i rrezikut të kancerit të prostatës.
Fiku redukton kolesterolin.
Për shkak të ngushtimit të arterieve, mund të pasojë goditja në zemër ose në tru. Përpos kolesterolit, në dëmtimin e zemrës ndikojnë edhe niveli i rritur i triglicerideve. Është dëshmuar veprimi i dobishëm i fiqve në nivelin e kolesterolit në gjak. Një tjetër arsye pse duhet të hamë sa më tepër fiq lidhet me faktin se parandalon shtypjen e lartë të gjakut Omega 3 dhe Omega 6, që fiqtë kanë me bollëk. Janë shumë të rëndësishëm për shëndetin e organeve kardiovaskulare. Fiqtë janë burim i mirë i kalciumit dhe mineraleve që rregullojnë shtypjen e gjakut.
-Për shkak të sasisë së sheqerit, nuk do ta mendonim asnjëherë se fiku ndihmon në shërimin e diabetit. Për shkak të sasisë së sheqerit që kanë fiqtë, diabetikët duhet të kenë kujdes me konsumimin e tyre. Por, nëse konsumohen me masë, mund të vijnë deri te zvogëlimi i nevojës për insulinë tek diabetikët.
-Ky frut përmirëson kujtesën. Konsumimi i rregullt i tyre parandalon aneminë dhe përmirëson kujtesën. Vetëm katër fiq të thatë, sigurojnë madje ¼ të sasisë së rekomanduar të hekurit, që i duhet organizmit tonë.
-Fiqtë i zëvendësojnë produktet e qumështit. Nëse s’i toleroni produktet e qumështit, fiqtë ju ndihmojnë. Janë të pasur me kalcium, ndaj janë alternativë e shkëlqyer për ata që s’mund të pinë qumësht. Të pasura me fibra dietale, përdoren në dieta tek personat me mbipeshë.
-Kanë nivel të ulët të yndyrave dhe sigurojnë fibra më shumë se çdo pemë ose perime tjetër. Fiku ruan eshtrat, pasi janë të pasura me kalcium, minerale që kanë shumë funksione, e ndër to edhe dendësia e eshtrave. Janë shumë të mirë për fëmijët në zhvillim, shtatzënat dhe gratë në menopauzë, që janë të prira për osteoporozë.
-Personat të cilët kanë probleme madhore me pagjumësinë, ilaçi natyral do të ishte fiku. Tritofani në fiq ndihmon në shërimin e pagjumësisë dhe çrregullimit të gjumit. Përbërja minerale, ndikon mirë te sistemi nervor.
-Sipas studimeve bashkëkohore një dietë me fiq ndihmon në: rregullimin e presionit të gjakut, kapsllëkun, mbipeshën, parandalon sëmundjet e zemrës, dhimbjet e fytit, përmirëson jetën seksuale, antidiabetike, parandalon kancerin tek gratë, etj
Fiqtë dhe seksi
Fiqtë janë gjithashtu shumë efektivë në rritjen e dëshirës seksuale te të dy partnerët dhe kryesisht për shkak të niveleve të larta të aminoacideve që përmbajnë. Aminoacidet luajnë rol jetik në funksionin normal seksual dhe ndihmojnë në rritjen e niveleve të oksidit nitrik në trup.
***
Kuriozitete dhe legjenda për fikun
Njeriu me fikun si një nga bimët më të lashta janë lidhur simbiotikisht prandaj ka dhe shumë mite e legjenda për të. Në to përshkruhet diku si një bimë mistike, diku biblike apo pema e jetës, diku shërues i sëmundjeve të njeriut, si simbol i prosperitetit dhe epshit mashkullor, bimë e mallkuar e diku si bimë pa vlerë, nofkë ofenduese apo për të hequr qafe kundërshtarët, etj. Në Bibël përmendet shpesh, sidomos në librin e Zanafillës në kopshtin e Edenit. Shumë studiues ngulin këmbë se “fruti jetës” që hëngri Eva me Adamin nuk ka qenë mollë, por fik. Pasi ata e hëngrën “frutin e ndaluar”, të gënjyer nga një gjarpër, rrobat e tyre u zhdukën dhe mbetën lakuriq. Për të fshehur pjesët e turpshme të trupit, organet gjenitale, ata i mbuluan ato me gjethet e fikut.
Bazuar në këtë mit, që nga lashtësitë e deri në mesjetë organet gjenitale të shtatoreve nëpër muzeume i mbulonin me gjethe fiku, sa që skulptorët filluan të gdhendnin gjethe fiku mbi to. Shprehja “gjethe fiku” ka marrë një kuptim metaforik negativ. Kuptohet si një mbulesë minimale për të fshehur diçka që dallohet: një veprim të turpshëm, një sjellje e pa këndshme ose një ofertë dredhi të një plani “ogurzi” por, i pa rrezikshëm.
Në Bibël thuhet se Krishti e ka mallkuar bimën e fikut, sepse kur Ai po kthehesh i uritur nga një udhëtim i gjatë nëpër shkretëtirë, dalloi së largu një fik dhe shkoi për të ngrënë frutat e tij por, fiku s’kishte fruta sepse nuk ishte koha e fiqve. I zemëruar Ai tha: “Mos i hëngërshim më frutat e tu” dhe të nesërmen ai fik u tha. Perëndia i ka thënë Moisiut: “Unë të kam vendosur në atë pjesë të botës ku rritet ulliri dhe fik !” Në fenë Islame në Kuran fiku përmendet disa herë, në njërën prej tyre Muhamedi ka thënë: “Nëse unë do të dëshiroja të sillja një frut nga Parajsa, me siguri do të ishte një fik.”. Në Budizëm përmendet e respektohet si bimë pasi krijuesit janë frymëzuar e kanë hedhur themelet e kësaj feje nën hijen e një fiku.
Në mitologjitë greke thuhet se Perëndeshës Demetër gjat udhëtimeve në kërkim te vajzës së saj Persofoni, ju rezervua një pritje tepër miqësore nga Phytalos, Ajo për ta shpërblyer këtë mirësi urdhëroi që në kopshtin e tij të dali nga toka fiku, ashtu si Minerva kishte bërë për ullirin. Në një tjetër mit thuhet se Zeusi ishte duke ndjekur Ge dhe djalin e saj Sykeaus, në luftën e Titanës, Ge për të shpëtuar djalin, e transformoi në një bimë fiku, për këtë ka marrë dhe emrin qyteti antik Sykea. Për grekët e lashtë fiku kishte një kuptim simbolik i shumimit, një pemë mit e Perëndisë epshor, dhe e adhuruesve mashkullorë. Ata thoshin se të gjitha lulet e bimëve (organet e shumimit seksual) janë të ekspozuara, ndërsa fiku i ka të fshehura. Për këtë mit në festën e Dionisit ata dhuronin shporta me fiq dhe verë.
Në një legjendë romake thuhet se themeluesit e Romës, Romulus dhe Remus, ushqeheshin me qumështin e ulkonjës nën kurorën e një fiku që më pas respektohej e vlerësohej si një peme e shenjtë nga Plini dhe romakët.