Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Xharo: Mbrojtja dhe zhvillimi i vlerave kombëtare ka nevojë për institucione

Debati virtual, që ende vazhdon, në rrjetet sociale lidhur me ‘incidentin’ në monumentin e Skënderbeut gjatë festës së Bajramit, edhe për aq sa  ndiqet, tregon se ekziston gjithmonë mundësia e krijimit të mjedisit për të reflektuar ndasi edhe për çështje unike kombëtare. Më së paku,  ai tregon se aktualisht mungojnë institucione që të kujdesen për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe ndjenjës kombëtare për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.   Krenaria për kombin dhe ruajtja e identitetit kombëtar janë vlera që mbarten dhe zhvillohen pavarësisht kohës dhe ndryshimeve. Në mjaft shkrime flitet për cenim të vlerave kombëtare, por ndjehet nevoja për të afruara alternativa për ruajtjen dhe konsolidimin e tyre. Në këtë kontekst, ideja që afrohet në këtë shkrim është që vlerat dhe kultura kombëtare kanë nevojë për institucione, ku një prej tyre, i provuar gjerësisht i suksesshëm mund konsiderohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Krenaria  e identiteti si  kulturë kombëtare.  E harruar dhe e fjetur përgjatë gjithë tranzicionit, krenaria dhe ndjenja e identitetit edhe pse si tipare kryesore të një kombi arritën të mbijetojnë  vetëm në mënyrë spontane dhe fragmentare. Më parë, gjatë sistemit të kaluar, u pleksen  edhe me vijën ideologjike, dhe ndoshta ishte kjo ‘arsyeja’ që  me flakjen e ideologjisë, të mos  ndjehej aq një lloj keqardhje që të flakeshin edhe vetë institucionet. E shoqëruar me një situatë sociale dhe politike tepër të vështirë, askush nuk u përpoq dhe kujdes për ta ruajtur identitetin dhe krenarinë  si vlera të kulturës kombëtare dhe të interesave jetike të kombit. Është e vështirë ti referohemi një institucioni shtetëror, përgjatë kësaj periudhe që të jetë investuar për ruajtjen e vlerave. Edhe ato pak përpjekje me dashje ose indirekt u pleksën me ndasitë partiake dhe për pasojë nuk arritën ti mbijetonin vështirësive. I vetmi vend dhe e vetmja kohë ku shqiptarët të manifestonin dhe tregonin identitetin e tyre kolektiv, për fat të mirë apo të keq,  ishte festivali evropian i futbollit..

Identiteti kombëtar është ndjenja e përkatësisë në një shtet ose në një komb – shprehet Ashmor profesor në universitetin e Oksfordit. Ndërsa fjalori i këtij universiteti e përcakton identitetin “…si ndjeshmëria e kombit, në një tërësi kohezive, që  përfaqësohet nga tradita, kultura, gjuha dhe principet e veçanta…”  Më tej, referuar këtij përcaktimi, identiteti kombëtar përcaktohet  si një ndjenjë subjektive që afron individët dhe  grupet rreth një kombi, pavarësisht nga statusi i shtetësisë.  Shprehja e identitetit kombëtar e parë nën një dritë pozitive është patriotizmi i cili karakterizohet nga krenaria kombëtare dhe emocioni pozitiv i dashurisë për vendin, shumë më e ndryshme nga nacionalizmi dhe shovinizmi i cili i referohet ndjenjës së  fortë në superioritetin  dhe verbërinë ekstreme ndaj vendit të tij.

Identitetit kombëtar kërcënohet në mënyrë dinamike…  Studiues të ndryshëm të shkencave politike dhe sociale, larg të qenit nacionalist, vlerësojnë se identiteti kombëtar, si një ndjenjë e dashurisë dhe e patriotizmit të një kombi ndodhet më tepër se asnjëherë nën një kërcënim dinamik. Globalizmi veç avantazheve që sjell, nuk mund të shmang erozionin ndaj identitetit, prirjen për degraduar në ndjenjën e konkurrencës së egër dhe shpërndarjes së antivlerave, që rrëzojnë jo vetëm individin, por edhe identitetet kombëtare. Një sondazh evropian i 2016 kur rendit  dhjetë  rreziqet më të mëdha globale, vlerëson se më rrezikshëm ato sfidojnë identitetin,  zhvillimin, prosperitetin dhe sigurinë. Ato nuk shfaqen në formatin klasik: me zhurmë, me rreshtime dhe me paralajmërime, por më tepër në  formatin ‘darvinian’  duke ju përshtatur kohës dhe shoqërisë.

Vendet sipas kapaciteteve të fuqisë dhe aftësive ndërtojnë strategji për tu përballur. Vendi ynë nuk mund t’ju shmanget kërcënimeve, ndërsa si vend i vogël ka kapacitete të kufizuara për tu përballur. Periudha, veçanërisht,  e pas viteve ’90 dallohet për një numër dukurish që tronditën nga themelet identitetin kombëtar. Një emigrim masiv (mbi 30% e popullsisë), dhe me një prirje aktuale në mbi 60% për tu larguar nga vendi i origjinës,  kërcënimi  shtohet edhe më tej në një tronditje për sigurinë e vet kombit. I frymëzuar edhe nga një boshllëk i plotë ideologjik, një politikë tërësisht e fragmentuar, mungesë strategjie dhe institucionesh,  kriza shtrihet në nivele të mbijetesës. U krijua dhe ekziston një vakum që nxituan ta mbushnin ideologjitë fetare, ndasitë politike, shtresëzimi i shoqërisë, shoqatizimi, lokalizmi  deri në krahinalizimi (viti ’97). Aq i fortë është presioni i këtyre faktorëve sa jo rrallë feja tejkalon kombin deri edhe në debate televizive, partitë ‘në emër të kombit’, kupto të vetes, jo rrallë e kanë çuar kombin në buzë të humnerës. Shoqata me emër apo anonime dalin e zhduken sipas amplitudave të luhatjeve kombëtare.  Ligjërues politikë apo pseudo-personalitete hedhin mbrojnë ide të çoroditura duke krahinalizuar dhe venë kundër njëri-tjetrit pjesë të vendit.  Të gjitha,  e plot dukuri të tjera godasin direkt ndjenjën e përbashkët të identitetit kombëtar. Kërcënimi vjen dhe zhvillohet nga brenda dhe paraqet një rrezik edhe më të madh, pasi ai zhvillohet në ide dhe ndjenjë dhe nuk ka aspak trajtë dhe formë fizike me të cilën kemi qenë mësuar për ta vlerësuar  e përballur më parë.

Shërbimi i detyrueshëm shkon shumë përtej konceptit për fuqinë ushtarake…. kështu mendon Charles Moskos një nga studiuesit më të shquar të shkencave sociale dhe të sigurisë.    Shërbimi i detyrueshëm rrit fuqinë e kombit dhe kohezionin e shoqërisë. Vendet nordike që konsiderohen edhe vendet më paqësore, por edhe me mirëqenien më të lartë nuk kanë dilema për shërbimin e detyrueshëm. Ai aplikohet pa asnjë dallim. Ndërsa në mjaft vende që e kanë suprimuar atë shërbimi i detyrueshëm është një temë në qendër të debatit publik. Dhe sondazhet janë mjaft domethënëse. Në mënyrë dërrmuese opinioni publik pa dallim, meshkuj e femra,  mbështesin rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm në mjaft vende në perëndim e në lindje. Dhe këtë nuk e bëjnë se po mendojnë të shkojnë në luftë. Sondazhet e formuluara nuk e përmendin aspak fjalën ‘luftë’,  por kanë në qendër kërcënimet aktuale për shoqërinë.  Në mënyrë dërrmuese shqetësimi lidhet me mënyrën  për të përballuar rreziqet e brendshme, që i kanosen shoqërisë.  Pra nuk është më shumë çështje e fuqisë ushtarake sesa e fuqisë së shoqërisë shtetit-kombit. Sondazhi në Gjermani e tregoi,  se për çfarë ka nevojë kombi gjerman. Ndërsa në Francë, pas  ngjarjeve terroriste në Paris,  sondazhi i zhvilluar nga IFOP-2016  zbuloi se mbi 80% e francezëve dëshirojnë të kthehet  shërbimi i detyrueshëm. Ata e shohin atë si mënyrën kryesore për t’ju dhënë shtetasve, veçanërisht  të rinjve “vlera kombëtare”. Të anketuarit besojnë që “..ky vend ka nevojë për mënyra të fuqishme për të nxitur  integrimin, për të afruar në vlera të përbashkëta të rinjtë me prejardhje dhe nivele të ndryshme sociale, për të demonstruar vlerat qytetare dhe kohezionin kombëtar”.

Ideja e shërbimit të detyrueshëm, përtej fuqisë ushtarake,  argumentohet edhe në US Global Issues -2017,  ku  jepet një analizë e thellë  për avantazhet dhe vështirësitë në aplikimin e shërbimit të detyrueshëm. Midis dhjetë arsyeve se përse është i nevojshëm shërbimi i detyrueshëm spikatin: promovon identitetin dhe unitetin kombëtar; promovon ndjenjën e barazisë midis njerëzve; mundëson marrjen e aftësive të domosdoshme praktike për të rinjtë; bën më të ndërgjegjshëm njerëzit për shoqërinë demokratike, të drejtat dhe detyrimet, ligjet; dhe në fund,  por jo e fundit,  rrit kapacitetet e fuqisë ushtarake duke krijuar një rezervë të fuqishme, në çdo kohë për kërcënimet ndaj vendit.

Shërbimi i detyrueshëm përballë sfidës.  Nuk është  thjesht dhe vetëm çështje ushtarake. Të tjerë më parë janë shprehur  se në një vend  ku nuk ekziston asnjë institucion formal apo jo formal i kohezionit kombëtar,  shërbimi i detyrueshëm është i vetmi institucion që mund të vendos në mënyrë të barabartë shtetasit e vet përballë të njëjtës përgjegjësi. Të rinj/të reja,   që vijnë nga shtresa super të pasura deri në  ato ekstremisht të varfëri mund të jenë në të njëjtin ë vend e kohë ku të ndjehen të barabartë përballë një përgjegjësie sublime,  që është kombi. Të ndjerët të barabartë, më shumë se kur shohin një ndeshje të kombëtares,  ju jepet mundësia të sfidohen dhe të sensibilizohen përballë të njëjtës përgjegjësi, që është më e madhe se partitë, më tej se besimet, më shumë se kulturat, apo se lokalizmat.   Dhe jo vetëm me atë që ndjejnë, por edhe me atë që marrin, shërbimi i detyrueshëm nuk mund të zëvendësohet me diçka tjetër të përafërt në  ndjenjën dhe sjelljen sociale,  në një shoqëri të dërrmuar pothuajse  në të gjitha vlerat e saj.  Padyshim, që ndikon më tepër se gjithçka  në  kapacitetet e fuqisë kombëtare.  Është fuqi njerëzore dhe siç shprehet Robert Kaplan në “ Anarkia që po vjen” është më e rëndësishme se çdo lloj teknologjie.

Shërbimi ushtarak promovon unitetin kombëtar, vlerat më të larta të një kombi – Edhe pse është i vetmi mjedis ku aktiviteti nis me  betimin solemn dhe himnin kombëtar ai promovon  vlera vitale, jo nacionalizëm. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak  edukon dhe nxit vlerat   kombëtare në shumë mënyra. Së pari, është nga të paktit, në mos i vetmi, institucion që  afron unitetin kombëtar mbi baza  dhe interesa  vitale të kombit.  Të rinjtë (të rejat)  mundësohen  të kuptojnë dhe të zhvillojnë konceptet  për  kombin, kulturën dhe interesat kombëtare. Në ditët e sotme asnjë institucion tjetër  nuk  e zhvillon këtë proces më mirë.  Shërbimi i detyrueshëm ushtarak mundëson që njerëzit  të ndjehen së bashku,   sidomos kur përballen  me sfida apo  kërcënime të  identitetit,  me ndarje kulturore apo religjioze, politike apo ideologjike, nga çfarëdo lloj drejtimi,  që mund të veprojë.  Ai ua mundëson të rinjve  për të mësuar dhe trajnuar së bashku, duke krijuar ambientin që të ndajnë eksperienca  të përbashkëta.  Më tej, ndihmon  të kuptuarit e përgjithshëm për jetesën, vështirësinë dhe përgjegjësinë, që thuajse  është e nevojshme për çdo lloj angazhimi të mëvonshëm.  Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk nxit nacionalizmin,  por  ndërgjegjëson qytetarët e vet  për konceptin real të kombit dhe përgjegjësinë e secilit për  vendin tënd.

A ndikon shërbimi ushtarak në këtë model shoqërie? – Kjo është pyetja që studiuesi për çështjet e sigurisë dr. Halil Xh. Hyseni shtronte në një shkrim të tij, në vitin 2010, në periodikun shkencor për  “Marrëdhëniet Ndërkombëtare’,   shprehej se  “…ai (shërbimi) është  një ndryshim i rëndësishëm nga përvojat e mëparshme për të rinjtë/të rejat; një ndryshim në perspektivë që mund ti ndihmoj ata të shohin të ardhmen në një nivel tjetër nga ai spontan,   të frymëzojë ata që të punojnë më shumë në të ardhmen, dhe të nxisë një ndjenjë më të madhe të interesit jo vetëm kombëtar,  por edhe përgjegjësisë qytetare…”  Për të rinjtë (por jo vetëm)  shërbimi i detyrueshëm kthehet në një benefit që prodhon  tipare të  rëndësishme dhe po aq të vlefshme të karakterit të individit.  Dhe vërtete, gjatë shërbimit të detyrueshëm , të rinjve  ju mësohet jo vetëm respektimi i autoritetit, i vetë-disiplinës, të sjellurit dhe punuarit në grup, por edhe aftësi të tjera, të përballjes me problemin dhe vështirësinë, aftësi  menaxhuese apo drejtuese, cilësi këto për të cilat shërbimi i detyrueshëm është unik. Në të kundërt, mungesa e tyre, edhe siç po provohet dita-ditës  po  kthehet  në një fenomen virusal.  Editorialisti  Kennet Andreson, kur Suedia ndërpreu shërbimin e  detyrueshëm në vitin 2010 shkruante se  “…është një bazë e fortë për tu frikësuar,  se me ndërprerjen e  shërbimit ushtarak,  të deritanishmes do ti shtohet edhe një nivel tjetër  i zhdukjes së ndërgjegjes publike …dhe vetë identitetit kombëtar… lidhja mes detyrimeve dhe të drejtave e cila po bëhet gjithmonë më pak dhe më pak e qartë. “  Shërbimi ushtarak nxit ndjenjën e ndërgjegjes qytetare, një fenomen i dërrmuar aq rëndë nga ndasitë politike, kulturore, religjioze, të origjinës apo të vendlindjes. Shoqëria jonë gjithmonë e më tepër po demonstron frikshëm  ndarjet dhe dallimet sociale.  Asnjë strukturë  institucionale  nuk përballet me fenomenin. Shërbimi i detyrueshëm është një ambient ku  mundësohet  që dallimet të shkrihen dhe  unifikohen.

A është opinioni i publikut shqiptar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak? Nuk ka sondazhe të mirëfillta për këtë çështje. Por, e besueshme është që Shqipëria ka ndryshuar shumë nga ajo e 10 viteve më parë (2008),  kur në mes të ovacioneve dhe duartrokitjeve u shfuqizua ligji i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Mungesa e debatit midis palëve politike në atë kohë dukej se më tepër bazohej në llogaritje elektorale se në analiza të mirëfillta. Duke i veshur edhe sloganin demagogjik se “është standard i NATO-s”, zërat kritikë u shuan. Në të vërtetë nuk ekziston një standard i tillë në NATO. Mjaft vende të NATO-s, përfshirë edhe ato fqinje e aplikojnë shërbimin e detyrueshëm, ashtu si mjaft të tjera po synojnë ta rivendosin. Duke qëndruar jo në analizën e kërcënimeve ushtarake, që nuk mungojnë, por në një kënd më të gjerë, vendi ynë, përballet nga të njëjtat rreziqe që kërcënohen shoqëritë  edhe në vendet e tjera. Rreziqet janë sa në aspektin social, aq edhe në kontekstin kombëtar. Ndasitë sociale edhe në vendin tonë nuk po zvogëlohen, por po thellohen. Raporte të frikshme të shtresëzimeve, ekstreme të pasurimit, të dallimeve kulturore, të arsimimit dhe analfabetizmit,  religjioze, e të ideologjive të ndryshme, kanë vënë  nën shënjestër edhe shoqërinë tonë. Dhe, në këto kushte besohet që opinioni po ndërgjegjësohet se duhet të gjenden mënyra për tu përballur me kërcënimet në të gjitha nivelet. Nisur edhe nga mënyra se si po përballen mjaft vende, edhe për vendin tonë mund të debatohet për  shërbimin e detyrueshëm kombëtar.

A mund të jetë shërbimi ushtarak një mënyrë integrimi edhe e të rinjve shqiptarë që tashmë jetojnë jashtë atdheut?Po. Siç u shprehëm më parë, popullsia shqiptare që jeton në emigracion i kalon shifrat e 30%. Pas dhjetë viteve sipas një studimi, të publikuar edhe në media, perspektiva e rënies së popullsisë është shumë më e zymtë.  Ndaj vëmendja ndaj të larguarve është qëndrim  për më shumë se 1/3 të popullsisë. Ka eksperienca mjaft të suksesshme në  vendet e tjera. Më pranë nga vendeve nordike, Austria, Zvicra, Greqia e mjaft vende të tjera e inkuadrojnë në identitetin e vet duke e lidhur dhënien e nënshtetësisë me kryerjen e shërbimit ushtarak.  Është një mënyrë e frytshme që lidh kombësinë me nënshtetësinë nëpërmjet edhe  kontributit ndaj vendit. Angazhim në shërbim afron në një të përbashkët të rinjtë brenda e jashtë vendit, por edhe të huaj që jetojnë në vendin tonë. Ai afron mundësinë e barazisë, harmonisë dhe integrimit në vlera të përbashkëta. Jo vetëm ‘betimi dhe himni’ me të cilën fillon periudha e shërbimit, por edhe angazhimi i përbashkët në sfidat dhe vështirësitë që afron kjo lloj dinamike krijon lidhje midis njerëzve që mbesin eksperienca të vlefshme për të gjithë jetën.

Ndërsa partitë politike janë, në deklarime, shumë të interesuar për votën e emigrantëve, shërbimi i detyruar ushtarak është një formë edhe më bindëse  në këtë kontekst. Mund të jetë një lidhje e dy-anshme: “si për të identifikuar ndjenjën e identitetit nga të rinjtë e larguar, por edhe nga ana e shtetit për të njohur kontributin e kësaj pjese të konsiderueshme të popullsisë”. Kjo, kërkon që vetë shteti dhe institucionet e tij të zhvillojnë veten në mënyrë  sa më atraktive, si burim vlerash dhe sprovë të karakterit kombëtar. Modelet e shërbimit të detyrueshëm nuk duhet të jenë “eksperimente shqiptare”. Eksperienca e trashëguar dhe modelet moderne evropiane janë bazë për një format  të suksesshëm. Kohëzgjatja dhe mënyra e aplikimit mund të referohen në ato më efektivët (austriak, skandinav apo edhe të tjerë). Me idenë dhe qëllimin që ti shërbej objektivit, ai duhet të jetë sa më atraktiv dhe i frytshëm jo vetëm për shoqërinë,  kombin, por edhe për individin.

Please follow and like us: