Albspirit

Media/News/Publishing

Ardit Bido: Rreziku i përçarjes fetare si produkt i injorancës dhe radikalizmit

Kam shumë vite që, me format modeste që kam, i bie kambanës mbi rrezikun e përçarjes fetare si produkt i injorancës dhe radikalizmit (fetar ose ateist).

Debati te ‘News 24’ është faktim skandaloz i kësaj frike. Thonë se Skënderbeu masakroi myslimanë, me krahasimin e tmerrshëm me Mlladiçin. A thua se është faji i Skënderbeut që forcat pushtuese ishin pjesë e një feje apo a thua se nuk luftoi edhe kundër venedikasve kur e deshën rrethanat. Është si të thuash që Isa Boletini apo Themistokli Gërmenji luftuan kundër të krishterëve. Marri mjerane të paaftësh, por mbi të gjitha të paguarish. Këtu ndërfutet dhe një pseudoimam, që do luftonte krah çdo armiku të Atdheut, sepse ashtu është milkuar.

Mirëpo, faji nuk ndodhet te ta. Fakti që në skenën tonë publike ka njerëz që fenë e përdorin për qëllimet politike të Amanit, Athinës, Ankarasë, Beogradit, Romës a çdo qendre tjetër nuk mund të jetë faji i investimit kombëtar të shteteve të tjera. Ata janë thjesht për t’u respektuar. Problemi qendron te një politikë radikale (ateiste ose fetare) që ka zgjedhur formën unike antikombëtare të trajtimit të fesë: islamin si e do Turqia, ortodoksinë si e do Greqia, katolicizmin si e do Italia e kështu me radhë.

Ky është përçundimi i Vehbi Agolli Dibrës, Fan Nolit, Gjergj Fishtës; asaj elite që krijoi një kornizë ligjore të plotë për të garantuar liri fetare e vëllazërim kombëtar. Ky është turpi i Evropës, që në vend të aplikohet modeli gjerman, italian apo amerikan mbi raportin shtet-fe, është lënë qëllimisht pa një ligj për këtë raport, duke mbushur vendin me xhami me para arabe e turke, kisha me para greke e italiane e me varësi, kuptohet, nga financuesit.

Prej rreth nje dekade u përfshiva në ata pak shqiptarë që studimet e thelluara ia përkushtova raportit shtet-fe dhe kam po aq vjet që ndjek i turpëruar e i vështirosur, se asnjë prej kolegëve të pakët nuk është pyetur një herë për politikbërjen në këtë fushë. Krahkundërt, sipas paradigmës që përpiqem mos t’i besoj, se vendi ynë nuk ndryshon dot, kam parë lloj lloj radikalësh (ateist a fetarë) që kanë luajtur rol këshillimor pranë vendimmarrjes.

Ky është problemi. Dhe jemi thjesht në fillim të një procesi të gjatë dizintegrues, që na i la peshqesh diktatura, na i shfrytëzojnë të gjithë të huajt, të përsosur në politikën e tyre, dhe e vazhdon me marrinë e padijes, elita (pa dallime) politike e antifetares, ateistes, radikales fetare, apo fesë së mësuar si produkt i një kombi të huaj; vite drite larg shembullit të përsosur të vëllazërisë mes feve universale të shprehura në realitetin kombëtar shqiptar, që na lanë trashëgimi paraardhësit tanë.

Please follow and like us: