Albspirit

Media/News/Publishing

Jorgos SEFERIS: PANTUM

 

Ruajnë yjet një botë të tyre
anijet në det sjellin mbrapa flakë
shpërthe o shpirt vargonj errësire
tek lutesh me zell ndër zjarre hidhnakë.

Anijet në det sjellin mbrapa flakë
nata tkurret dhe si e huaj qëndron
tek lutesh me zell ndër zjarre hidhnakë
o shpirt ti e di ç’kanun të zapton.

Nata tkurret dhe si e huaj qëndron
dritat janë shuar pëlhurës së zezë
o shpirt ti e di ç’kanun të zapton
dhe ç’do të të lërë dhe ç’do të të mbesë.

Dritat janë shuar pëlhurës së zezë
veç rraketaket e kohës dëgjohen pareshtur
dhe ç’do të të lërë dhe ç’do të të mbesë
në ndodh të vetojë frëngjia e heshtur.

Veç rraketaket e kohës dëgjohen pareshtur
shtyllë metalike në dhimbë përskaj
në ndodh të vetojë frëngjia e heshtur
as ëndërr s’do gjesh jo më lot pastaj.

Shtyllë metalike në dhimbë përskaj
lartohet çasti si presë prej ere
as ëndërr s’do gjesh jo më lot pastaj
tek mblidhen si gjarpër të tuat etere.

Lartohet çasti si presë prej ere
sikur qetimi të vijë kësodore?
tek mblidhen si gjarpër të tuat etere
nuk është qiell as hare engjëllore.

Sikur qetimi të vijë kësodore?
Në njerëz të kyçur brenge e mynxyre
nuk është qiell as hare engjëllore
ruajnë yjet një botë të tyre.

Përktheu Romeo Çollaku

Please follow and like us: