Kaosi i vitit 1997, flet kryeministri Aleksandër Meksi
Një fjalim i kryeministrit demokrat në janar të vitit 1997, ku bën fajtorë komunistët për shkatërrimin e institucioneve pasi kishin nisur trazirat për shkak të fajdeve dhe situata po dilte jashtë kontrollit.
Në fjalim ka shpjegime edhe për rolin e qeverisë në firmat piramidale dhe një përbetim që nuk do të tolerohej askush që shkel ligjin: dhe po të jetë nevoja të kapërcejnë mbi ne. Këtë gjë ta keni të qartë!
Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë kishte vendosur të thërriste në seancë ministrin e Brendshëm, Halil Shamata, për të raportuar për gjendjen dhe trazirat që kishin ndodhur në disa qytete të Shqipërisë lidhur me problemin e fajdeve. Ishte djegur Albpetroli megjithë arkivën dhe paralalisht me të po digjeshin e shkatërroheshin institucione shtetërore në disa qytete të vendit.
Në këtë situatë, Kuvendi ishte mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të marrë masat për stabilizimin e vendit. Protestat ishin masivizuar në mbarë vendin pasi kishte nisur falimentimi i firmave piramidale.
Në atë seancë të 26 janarit të vitit 1997, deputeti demokrat Azem Hajdari kërkonte shpjegime direkte nga kryeministri Meksi, duke lënë mënjanë raportimin e ministrit të brendshëm Halit Shamata, i cili sipas Hajdarit po kryente siç duhej detyrën.
“Është momenti që neve shpjegime në parlament të na japi zoti Kryeministër. Ky parlament duhet të ngrihet në nivelin e duhur.
Jemi Republikë Parlamentare dhe sipas dispozitave kryesore kushtetuese, ju e dini shumë mirë që në muajt e e fundit të konkurrimit për mandat mungojnë disa kompetenca. Prandaj, meqë Kryeministri aktual i ka votat tona, unë edhe një herë ju bëj thirrje që të komunikojmë me të dhe të shmangemi nga zoti Shamata, nuk ka pse të raportoj Ministri i Brendshëm, ai që është shumë korrekt”. Menjëherë pas Hajdarit, kryeministri Meksi, mbajti këtë fjalim.
Aleksandër Meksi
Demokracia shqiptare për herë të parë ndodhet ne rrezik dhe është detyra e secilit prej nesh dhe e çdo shqiptari demokrat, e çdo shqiptari të ndershëm, pavarësisht nga idealet e tij politike, që preokupohet për Shqipërinë, të ndërgjegjësohet për veprimet e tij.
Dua t’ju informoj që kemi të bëjmë jo me inat të të gjithë shqiptarëve, por kemi të bëjmë me banda komuniste, të njerëzve të paguar nga armiq tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët kanë porosinë të djegin gjithçka që është shtetërore, sepse është e të gjithë shqiptarëve, për të përulur Shqipërinë
Dhe për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë, ne këtu dhe të gjithë ata që kanë dalë në shesh, ata që qeshin duke djegur pasurinë e tyre. Dhe të atyre zotërinjve që mundohen ta lidhin me fajdet këtë fenomen, pavarësisht nga implikimi i tyre, nga shkaku, nga nxitja, nga ngacmimi që ka dhënë ky fenomen, do t’ju thoja: Mos i fyeni, mos i përulni shqiptarët që t’i thonë botës që për para djegim gjithçka, që të mos vini në Shqipëri, se paratë tuaja nuk janë të sigurta!
Unë ju bëj thirrje në radhë të parë të gjithë shqiptarëve që të largohen nga njerëz të papërgjegjshëm, sepse çdo dëm ia bëjmë vetes sonë dhe për këtë të jemi të sigurt të gjithë. Në qoftë se përpara gjysmë ore është djegur Albpetroli me arkivin e tij qindra milionë dollarësh, kjo do të thotë që nuk e kanë as me qeverinë, as me Leka Meksin, as me mustaqet e tij, por e kanë me Shqipërinë.
Nuk djeg shqiptari shtëpinë e tij kur humb paratë. Dhe të jeni të sigurt që nuk kanë humbur tërësisht paratë, ka humbur një pjesë e vogël me vullnetin e tij të lirë, i mashtruar nga njerëz të pafytyrë, kjo është e vërtetë.
Duhet thënë që Qeveria Shqiptare e ka ndjekur nga afër këtë fenomen, sepse ishte e preokupuar nga të dhënat që merrte nga gjithë sektorët e vet, drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi, që ishte një fenomen që mund të kishte edhe implikime jo të rregullta në qoftë se firmat investuese, sepse këto kanë qënë ato që njihnim të gjithë ne, do të ndodheshin në vështirësi për të përballuar kthimin e tyre.
Duhet thënë që në këtë vit të fundit, për mendimin tim dhe me synimin politik për varfërimin e të shqiptarëve, u krijuan fondacione bamirëse, që aspak nuk kishin qëllim bamirës, të cilat tërhoqën shuma mjaft të mëdha parash në tre muajt e fundit.
Qeveria e ka ndjekur në mënyrë të përjavshme thithjen e parave dhe ndërhyri në momentin kur ishte maksimumi i tyre, pa filluar rënia e parave të depozituara në banka, duke ditur mirë të gjitha strukturat e këtyre fondacioneve, njerëzit, vendet ku kishin punuar përpara, bindjet e tyre politike dhe synimet e tyre. Kjo qe rruga me të cilën u siguruan depozituesve në këto fondacione 300 milionë dollarë në një shifër të përafërt.
Janë ngritur komisione e nënkomisione, që kanë tashmë të qartë se kemi të bëjmë me firma me strukturë piramidale, që do të thotë: të josh të futësh një, që të marrësh dy apo tre. Dhe synimi i tyre ishte që, duke filluar nga fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit, të gjithë këto 300 milionë dollarë të dilnin për të përballuar një detyrim më tepër sesa 700-800 milionë dollarë, që do të thotë që më pak se 1/3 e njerëzve do të arrinin në datat e caktuara të merrnin paratë dhe atëhere mendohej se mund të bëhej e njëjta gjë që po ndodh në këto ditë.
Sigurisht, ka qënë e vështirë të merrej vendimi. Madje edhe kur u mor vendimi pati njerëz që thanë është e paligjshme ngrirja. Po, zotëri, mund të jetë në limit të ligjshmërisë, kjo është e vërtetë, por një qeveri ka edhe të drejtën në një limit të ligjshmërisë kur merr një vendim që është në dobi të të gjithëve, në dobi të vendit.
Për një vakuum legjislativ ose për një arsye tjetër, realisht është në limit të ligjshmërisë. Por unë nuk besoj që ata që e thanë këtë fjalë nëpër gazeta, e thanë për të mbrojtur ligjin; e thanë për të mos mbrojtur ata fatkeqë që kishin dorëzuar para në këto firma dhe besuan se mund të mblidhnin para me këtë mënyrë.
Ky fenomen, pra, që u përshpejtua ndërmjet dy fushave elektorale, mbas fushatës së fundit elektorale sigurisht mund të konsiderohet si një spirale jashtëzakonisht e dëmshme mbas një ose dy muajsh.
Ne u munduam të ndërhynim edhe më përpara, por edhe sot që ndërhymë, shumica e njerëzve shajnë pse ndërhymë dhe nuk i lamë në qejfin e tyre që të marrin paratë e tyre.
Unë do t’ju thosha të gjithë shqiptarëve që nuk do të merrnin paratë e tyre ndërmjet këtij spirali, që fut një dhe merr tre në një firmë që thotë jam fondacion bamirës, por qenë të tilla që përdornin vetëm skemën piramidale, që tashmë është e provuar tërësisht me regjistra, se janë grumbulluar të gjithë regjistrat e tërë qendrave dhe arkivave që kishin, të kompjuterizuara ose jo këto. Dihet mirë sa ka marrë gjithësecili nga depozituesit, pra është e lehtë të përcaktojmë sa i takojnë gjithësecilit nga këto para.
Qeveria është e angazhuar që brenda dy-tre ditësh të sjellë këtu në parlament me procedurë urgjente ligjin e shpërndarjes, i cili kuptohet që është në linjat e një falimentimi për këto fondacione që përdorin skemën piramidale. Gjithashtu ajo është e angazhuar që duke filluar nga data 5 shkurt, të filloj procesi i ndarjes me kujdesin më të madh, që të gjithë të marrin atë që u takon.
Është detyra jonë ta garantojmë këtë me kujdesin më të madh, që një gjë e tillë të mos lozi synimin që kishin këto fondacione: inflacioni, pra rrënimin e shqiptarëve, të kursimeve të tyre dhe të gjithçkaje tjetër. Unë jam i bindur se përqindja që marrin njerëzit që kanë depozituar para në këto fondacione është mjaft e lartë, sepse këto para u grumbulluan dhe do të fillonte cikli i ndarjes pak më vonë se sa këto ditë që flasim, pra janë bllokuar përpara.
Nga ana tjetër, qeveria me një komision të veçantë po studion dhe po merr kontakte me të gjitha firmat investitore për të njohur me saktësi gjendjen e tyre ekonomike, për të njohur saktë mundësitë që ka shteti shqiptar për t’i ndihmuar, për të krijuar, pra, lehtësi që të rikuperohen të gjitha investimet, me fitimin më të madh, të bëhen frytdhënëse dhe mbi të gjitha, depozitat në to të mos paraqesin rrezikshmëri për depozituesit. Ky cikël nuk do të jetë shumë i gjatë.
Qeveria është e angazhuar të ndihmojë, ashtu siç është e angazhuar të paguajë edhe përqindjen për paratë që ndërkohë janë depozituar nga fondacionet bamirëse, njëlloj si përqindja që nga ky çast ka qënë depozituar. Ato nuk janë më me 2%, si kanë qënë të caktuara nga fondacionet pseudobamirëse, por me përqindjen e interesit në këto para që ka banka e nivelit të dytë shqiptar. Kjo për arsyen e thjeshtë që të kapërcehet kjo vështirësi.
Ndërmjet dialogut me të gjitha firmat investitore, disa të suksesshme, disa në vështirësi, në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, ne jemi të bindur se do të arrijmë që ato të jenë frytdhënëse për ata që kanë investuar kursimet e tyre në këto firma. Shteti shqiptar me bankat e tij ka pasur mbase nivelin më të lartë që mund të ketë një depozitues.
Në vitin 1993 ka qenë 26%, 20% në 1994, 22% në 1995, 18% në 1996 rreth 18%. Kështu, gjatë katër vjetëve kursimet e shqiptarëve në bankat e nivelit janë shtuar 2,17 herë. Unë jam bindur që shteti këto banka i ka siguruar. Sigurisht, duhet punuar më shumë për privatizimin e tyre, duhet punuar më tepër për të krijuar banka private. Tashmë kuadri ligjor ekziston.
Ne mund të ndihmojmë të gjithë ata që janë në gjendje të bëjnë këtë punë. Sigurisht, të gjitha nuk bëhen brenda një dite.
Një gjë është e qartë, zonja e zotërinj, që synimi i atyre të cilët nga njëra anë dëshironin falimentimin total të këtyre fondacioneve dhe më tej edhe të firmave, synimi i tyre është djegia e gjithçkaje në Shqipëri për të nënshtruar demokracinë shqiptare, unë mendoj që ky synim është makabër.
Dhe unë jam plotësisht i bindur që të gjithë demokratët shqiptarë, të të gjitha partive demokratike që synojnë një Shqipëri të njerëzve të barabartë, të njëjtë përpara ligjit, nuk do të tolerojnë një gjë të tillë.
Ne kemi hyrë zonja dhe zotërinj, në lëvizjen demokratike dhe kemi punuar këto 5 vjet për lirinë e njerëzve, për mirëqënien e tyre, për drejtësi. Megjithatë mund të themi se sot duke qënë të qartë që mjaft prej nesh e kanë kuptuar në mënyrë jo të qartë barazinë e drejtësinë dhe mund të ketë edhe regjenerues të padrejtësisë e të pabarazisë përpara ligjit të njerëzve, unë mendoj që njerëzve të tillë u duhet treguar vendi sa më parë.
Unë dëshiroj t’ju them gjithë shqiptarëve që dita e sotme, 26 janari, është një ditë ku do të duhet mbase të luftojmë për Shqipërinë, për një Shqipëri të re dhe demokratike, për një Shqipëri si Europa, për fëmijët tanë, jo për veten tonë.
Të jeni të sigurt, zonja e zotërinj, që ne nuk do të lejojmë që godinat tona qeveritare t’i kapin rrugaçët e bandave komuniste, ata që sot janë vendosur me grupe 6-6-she në tërë Tiranën, jo në miting, sepse nuk duam ta mbyllin në mënyrë paqësore krerët socialistë, bijtë e kriminelëve të djeshëm dhe që ndodhen të armatosur nëpër Tiranë. Ne nuk do të tolerojmë të djegin godinat e shtetit dhe kur them “ nuk do të tolerojmë”, nuk do të tolerojmë dhe po të jetë nevoja të kapërcejnë mbi ne. Këtë gjë ta keni të qartë.
Unë ju bëj thirrje, zonja dhe zotërinj deputetë, të ndërgjegjësohemi të gjithë ne, të ndërgjegjësohen të gjithë shqiptarët, sepse shumica e shqiptarëve e duan Shqipërinë, duan fëmijët e tyre, pronat e tyre. do t’ju duhen para për të rikuperuar dëmin që bëjnë dhe këto para dalin nga të gjithë ne; krijojnë inflacionin, që e ul vlerën e parave të depozituara. Dhe këtë gjë ne nuk duhet ta tolerojmë.
Në qoftë se ka gjëra për të rregulluar në legjislacion, në sjelljen tonë, t’i rregullojmë, por jo të tolerojmë njerëz të tillë, sepse mjaft prej nesh në këto muaj kanë hedhur në vijën e ujit mullirin e antishqiptarizmës. Duhet ta keni të qartë që është synuar demokracia shqiptare, nuk është synuar Aleksandër Meksi, është synuar populli shqiptar dhe çështja kombëtare shqiptare, nuk është synuar një qeveri, është synuar Partia Demokratike dhe idealet e saj dhe këtë duhet ta keni parasysh të gjithë në radhë të parë.
Unë u bëj thirrje të gjithë demokratëve edhe njëherë në të gjitha partitë e djathta dhe të Qendës së Djathtë, të gjithë demokratëve në partitë jo të ekstremit të majtë, ata që kanë duart të lyera me gjakun e shqiptarëve, të distancohen sa më parë nga këto banda, që ta kemi më të lehtë t’i identifikojmë dhe t’i ndëshkojmë.
Dhe do t’ju lutem zotërinjve deputetë: mos u bëni ndërmjetës për të liruar nga burgu kriminelët, ata që djegin pronat e shqiptarëve, ata që grabisin banesat e qytetarëve në Berat, ata që i nxisin të kryejnë veprime të tilla. Është koha kur duhet të jemi të qartë që e kemi vendin në barrikadë.
Dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qeveritarëve të jenë në postin e tyre. Vetëm me dialogun, me njerëzit, vetëm me shpjegimin e qartë, ata do të punojnë për demokracinë, për Shqipërinë.