Sonila Meço: Që patriotizmi të zëvendësojë përpjekjen për të bërë ekonomi, nuk e ka kërkuar asnjë shqiptar
Vendimi i parë i qeverisë: Shpallja e vitit të Skënderbeut. (Pse nuk konsiderohet si viti i Gjergj Kastriotit, pyeste një mik i mençur sot, por ky është tjetër debat)
Që patriotizmi të zëvendësojë përpjekjen për të bërë ekonomi, nuk e ka kërkuar asnjë shqiptar.
Askush nuk ka kërkuar të bashkojmë trojet ku korrupsioni i administratës, paraja e pistë në qarkullim, vjedhja masive e pasurive publike të bëhet nga ata që nuk i luftuan dot, përkundrazi.
Askush nuk ka kërkuar të shpallim vite Skënderbeu, kur Sheshin me emrin e tij e kemi shtruar me procedura të dyshimta, ku historinë e tij nuk ia kemi lënë në dorë studimeve të thella akademike, por ia kemi lënë stërhollimit deri në vulg politik, identitar e fetar nga çdo kontribuues rrjetesh sociale.
Askush nuk kërkon shtet në letër kur në praktikë ke prodhuar kriza zinxhir në hapësirat ku flitet shqip.
Ndaj, servirja e patriotizmit ngjan si ftesë për t’u ushqyer me erëza që rriten vetë, në mungesë të ushqimit të gatuar.