50 mijë pranime/Departamenti i Shtetit e konfirmon lotarinë për 2018, përfitojnë edhe shqiptarët
Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se për vitin fiskal 2018, do të ketë sërish 50.000 viza në dispozicion të fituesve të Lotarisë Amerikane nëpër botë.
Përzgjedhja si përherë është rastësore përmes një shorti kompjuterik. Numri i vizave shpërndahet mes gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend nuk mund të marrë më shumë se 7% të totalit të vizave të shumëllojshmërisë të akorduara në një vit për këtë qëllim.
Shqipëria hyn në mesin e shteteve që kualifikohen si përfituese të Lotarisë. Periudha e aplikimit nis në 3 tetor 2017 e zgjat deri në 7 nëntor 2017.
Këshilla megjithatë është të mos pritet deri në ditët e fundit për të aplikuar, sepse kërkesat e shumta e rëndojnë website-n përkatës.
Nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar për lotarinë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur.
Para aplikimit për lotarinë, duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për t’u kualifikuar, janë të kufizuara. Kualifikimet nuk shqyrtohen para intervistës, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë.