Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Moska ngriti bazat e saj ushtarake në Sazan dhe kapacitetet ushtarake që kishte Shqipëria, arsyet e shkarkimit të Beqir Ballukut

CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohet se BRSS ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska dhe po ashtu bazat ajrore. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i Beqir Ballukut nga funksionet në ushtri.

Korrik 1961

Aktivitetet sovjetike në ushtrinë e Shqipërisë

Shqipëria e ashpër malore po kthehet nga sovjetikët në një “Gjibraltar të kuq” në mes të Mesdheut. Që prej përjashtimit të Jugosllavisë nga bashkësia komuniste e Kominform, Shqipërisë po i kushtohet rëndësi e madhe nga BRSS. Ata po pajisin ushtrinë shqiptare me mjete moderne dhe kanë ngritur baza detare dhe raketore në Shqipëri. Inxhinierët dhe teknikët sovjetikë kanë punuar prej vitesh në vend dhe kanë modernizuar bazat. Ata kontrollojnë tashmë shtatë baza ajrore dhe pesë baza nëndetësesh. Baza ajrore e Rinasit pranë Tiranës, Devolli dhe Diranova pranë Beratit, Ergiri në Gjirokastër, Delvina e Aulona pranë Vlorës, dhe Ishmi, një fshat pranë Tiranës. Katër baza detare janë vendosur rreth Vlorës. Një prej tyre është në kepin Linguetta, në veriperëndim të gjirit të Vlorës, dy baza gjenden në Gjirin e Vlorës dhe një në ishullin e Sazanit. Nëndetëset sovjetike besohet se janë shpërndarë në këto baza. Shqipëria rimori ishullin e Sazanit pas Luftës së Dytë Botërore. Sovjetikët kuptuan rëndësinë e tij strategjike dhe nisën ndërtimin e stabilimenteve për vendosjen e nëndetëseve. Besohet se janë ndërtuar rreth dymbëdhjetë vendqëndrime nënujore për nëndetëset në ishullin e Sazanit, teksa pas krizës së kanalit të Suezit u vendos të ndërtohen edhe pesë të tjera. Katër depozita nëntokësore për karburante janë ndërtuar, teksa rreth 12 nëndetëse janë stacionuar aktualisht në ishull. Tre nëndetëset e fundit, erdhën këtu gjatë vizitës së flotës sovjetike. Ishulli i Sazanit është fortifikuar gjithashtu me artileri të rëndë të vendosur në shina. Civilët nuk lejohen aty dhe anijet nuk lejohet të kalojnë pranë ishullit, pasi zona kontrollohet ashpër nga sovjetikët. Nafta e prodhuar në Kuçovë vjen në Vlorë me anë të rrjetit të tubacioneve. Sovjetikët kanë nisur ndërtimin e një rafinerie nafte, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së plotë mbështetëse për bazën detare të Sazanit. Flota detare ruse në Sazan ka si shënjestër Flotën e Gjashtë të SHBA dhe anijet e saj mbështetëse. Gjashtë nga nëndetëset ruse të dislokuara në Sazan janë vërejtur të ndjekin Flotën e Gjashtë dhe anijet e saj të furnizimit. Ato janë nëndetëse të kategorisë “Ë” me aftësi lundrimi deri në 5000 milje pa nevoja rifurnizimi, që do të thotë se mund të lundrojnë nga Egjeu në Mesdhe dhe brigjet afrikane me lehtësi. Sovjetikët janë gjithashtu të aftë të dërgojnë nëndetëset e tyre në Vlorë në formë të çmontuar, për t’i montuar më pas aty. Më shumë se 400 punonjës shqiptarë dhe ekspertë rusë punojnë në montimin e nëndetëseve sovjetike. Vitet e fundit është vërejtur se disa nga nëndetëset po ndërtohen nën masa fshehtësie në bazën e Vlorës. Raportime të tjera thonë se nëpër tunelet e bazës besohet se janë depozituar një numër i madh pjesësh nëndetësesh të gatshme për t’u montuar.

Bazat ajrore

Sovjetikët kanë të paktën gjashtë baza ajrore në Shqipëri dhe të paktën shtatëdhjetë e pesë avionë gjuajtës MIG 21. Baza e shtatë ajrore sovjetike po ndërtohet në Ishmi pranë Tiranës. Personeli sovjetik prej rreth 4000 ushtarakësh e teknikësh furnizohen me dërgesa të rregullta ajrore dhe detare nga portet e Burgas dhe Konstanta. Avionët MIG 21 raportohet se bëjnë patrullime të rregullta, dhe dy avionë nga skuadronet janë gjithnjë në ajër. Sovjetikët kërkojnë siguri ajrore 24-orëshe. Patrullat e tyre përqendrohen në brigjet e Shqipërisë dhe kundër objektivave të njohur detarë dhe ajrorë. Sovjetikët kanë përfunduar instilacionet e dy njësive raketore dhe kanë nisur ndërtimin e një pike të tretë raketash balistike. Lëshueset kanë kapacitet të mesëm prej 2500 km. Pikat e lëshimit janë të vendosura pranë Tiranës dhe ekzistenca e tyre është sekret i ruajtur ngushtë. Kohët e fundit numri i avionëve rusë MIG 19 të dislokuar në Shqipëri është shtuar shumë.

Forcat detare

Marina e Shqipëri është përforcuar me shtimin e dy luftanijeve nga Rusia. Për momentin personali sovjetik i tyre nuk është zëvendësuar ende. Sovjetikët kanë premtuar se do të sjellin edhe tre luftanije të tjera për Shqipërinë. Anije sovjetike peshkimi të pajisura me radarë dhe antena elektronike po kryejnë survejime hidrografike në disa pika të detit Mesdhe. Në të njëjtën kohë këto anije patrullojnë detin Mesdhe dhe mbajnë nën mbikëqyrje Flotën e Gjashtë të SHBA. Anijet ruse të peshkimit po tregojnë shumë vëmendje në ndjekjen dhe survejimin e Flotës së Gjashtë dhe po kryejnë shumë veprime të tjera sekrete përveç përpilimit të hartave. Sovjetikët kanë përforcuar ushtrinë shqiptare me armë të rënda dhe pajisje të fundit elektronike ushtarake. Aktivitet i konsiderueshëm është dalluar mes misionit ushtarak dhe teknikëve sovjetikë në Shqipëri. Qëllimi i shpenzimeve dhe përpjekjeve të BRSS në Shqipëri është aftësimi për të kontrolluar forcat evropiane ushtarake në brigjet e Afrikës veriore, në zonën e Atlantikut verior dhe në Evropën Perëndimore.

 

Nëntor 1975

Lideri shqiptar Enver Hoxha duket se po vazhdon sulmet dhe mbikëqyrjen ndaj intelektualëve dhe burokratëve të vendit. Mahmut Bakalli, presidenti i lidhjes së komunistëve të Kosovës në Jugosllavinë fqinje, tha se ka pasur “zhvendosje të mëdha politike në administratën e Shqipërisë. Bakalli, i cili është më i afërt me ngjarjet në Shqipëri nga sa mund të jenë njerëzit jashtë saj, tha se sulmet mbi intelektualët vijnë si rezultat i frikës së Hoxhës nga tendencat pro-sovjetike të disa zyrtarëve në Tiranë, dhe se zhvendosjet ende po vazhdojnë në qeveri dhe në sferat ekonomike të vendit. Raportimet për spastrimet e zyrtarëve në Shqipëri tani kanë arritur te mediat evropiane. Heshtja e Tiranës për largimet bën që të shtohen edhe më shumë spekulimet e vendeve, por duket e qartë se ato kanë lidhje që me shkarkimin e ministrit të Mbrojtje Beqir Balluku në verën e 1974. Largimi i tij ndodhi mes shenjave në rritje për përplasje brenda partisë, mes komunistëve të linjës së ashpër në Shqipëri dhe në politikën e jashtme, dhe atyre për një qëndrim më të moderuar.

Bakalli dukej i bindur se spastrimet e kësaj vere vinin nga debati i planifikimit ekonomik dhe tregtisë së jashtme. Dy nga zyrtarët e spastruar ishin ministri dhe zëvendës-ministri i tregtisë. Bakalli tha se nevoja e Shqipërisë për kapitale do ta detyrojë Tiranën të shikojë nga Perëndimi, por deri tani nuk ka pasur shenja se Hoxha dhe regjimi i tij janë të interesuar për këtë. Tirana vazhdon të ruajë linjën stoike të refuzimit të bashkëpunimit me Moskën. Ndërsa në Moskë, parada e sivjetshme ushtarake e Sheshit të Kuq, nuk përfshiu mjetet me raketat e mëdha që janë parë zakonisht në të kaluarën. SHBA ka vëzhguar dy prova të përgjithshme të paradës dhe kemi konstatuar vetëm gjysmën e pajisjeve dhe asnjë nga mjetet e mëdha të para në vite të shkuara. Provat zakonisht përputhen qartë me vetë paradën kryesore, edhe pse ka ndodhur që në paradën e përvitshme të 7 nëntorit janë prezantuar pajisje të tjera, të pa para gjatë provave. Nëse pajisjet e mëdha janë eliminuar nga parada, kjo mund të tregojë se Kremlini kërkon të ulë profilin e festimeve dhe shfaqjes së forcës, që është në përshtatje me programin aktual “të paqes” prek konferencës së Helsinkit. Vitin e kaluar pjesa mbyllëse me civilë e paradës u anulua papritur, zyrtarisht prej motit të keq, por me shumë gjasa për të mbrojtur shëndetin e liderëve të moshuar sovjetikë në podium. Prandaj dhe dominimi i pjesës ushtarake të saj solli dënimin e shtypit perëndimor dhe rrjedhimisht edhe survejimin më nga afër të paradës së këtij viti. Por ndoshta për reduktimet e shfaqjeve ushtarake të këtij viti mund të ketë pasur dhe arsye më pak të rëndësishme siç është mbrojtja e rrugëve të bulevardeve që janë shtruar së fundmi.

Situate e brendshme ne tremujorin e parë të 1953

Numri i qytetarëve sovjetikë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. të ardhurit përfshijnë punonjës bura dhe gra, shoferë e teknikë. Teknikët punësohen në aktivitete të ndryshme të vendit, përfshi dhe inspektimet sanitare. Inspektorët sanitarë kanë fuqinë të mbyllin vendet që nuk zbatojnë urdhrat e tyre. Shumë nga sovjetikët kanë sjellë me vete familjet e tyre. Mes tyre nuk u dallua reagim i veçantë pas vdekjes së Stalinit, dhe as nuk kishte largime të papritura. Pas vdekjes së Stalinit qeveria shqiptare mori masa shtesë për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe kufijve. Urat dhe rrugët kryesore u fortifikuan me armë anti-tank dhe mitralozë të rëndë. Mes popullatës civile nuk u vërejtën shenja trazirash. Në pjesën e parë të vitit shtyp shqiptar njoftoi me jehonë për publikimin e një artikulli të Enver Hoxhës në të përditshmen ruse Pravda. Udhëheqja gjithashtu bëri përpjekje të mëdha për të siguruar popullin për miqësinë e fortë mes Shqipërisë dhe BRSS. Por në disa raste dallohej njëfarë varësie dhe dukej që këto dhënie sigurie ishin kërkuar. Në këtë vit u nënshkruan disa marrëveshje tregtare dhe kulturore me vende të tjera komuniste. Në to përfshihej marrëveshja me Rumaninë, Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore dhe Hungarinë. Shqipëria mban marrëdhënie të mira dhe me vende të tjera komuniste dhe disa qindra zyrtarë dhe anëtarë partie janë larguar drejt BRSS dhe vendeve satelite për kurse të avancuara trajnimi në fushat e minierave, pylltarisë, bujqësisë, ndërtimit apo shkencave të tjera. Propaganda shtetërore vazhdon të përshkruajë vendet perëndimore si agresorë dhe organizatorë luftërash. Ajo sulmon gjithashtu Paktin e Ballkanit të kohëve të fundit, si dhe Jugosllavinë për akuzat e shkeljeve kufitare dhe dërgimet e diversantëve dhe informatorëve në Shqipëri. Qeveria ka raportuar kapjen e një numri të madh spiunësh dhe informatorësh që vijnë nga Jugosllavia. Së fundmi autoritetet kanë raportuar për vrasjen ose eliminimin e rreth 50 personave të tillë në përplasje të armatosura. Mes popullatës jo-komuniste është dalluar tension për qëllimet e Titos dhe vendeve perëndimore për përdorimin e Shqipërisë si një mjet pazari në politikën e Mesdheut. Gjatë kësaj kohe autoritetet komuniste kanë vënë theksin në fushatën e tyre mediatike për “mbrojtjen e sekreteve shtetërore”. Kjo u interpretua nga disa rrethe si përgatitje për një gjyq të rëndësishëm.

 

Gusht 1950

Jugosllavia pengon riatdhesimet shqiptare

ATSH

Me gjithë akuzat e agjencisë shtetërore të lajmeve Tanjug më 1 mars se Shqipëria ka shkelur marrëveshjen në lidhje me riatdhesimin e qytetarëve jugosllavë, vendi ynë ka nxjerrë vazhdimisht viza për qytetarët jugosllavë. Prej tetorit 1949 Shqipëria ka lëshuar viza për 28 familje jugosllave në një total prej 56 persona. Madje autoritetet shqiptare kanë siguruar dhe transportin për ta deri në kufi. Nga ana tjetër qeveria jugosllave vazhdimisht po pengon riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë atje, pasi deri në tetor 1949 autoritetet jugosllave kanë lëshuar viza vetëm për katër qytetarë shqiptarë. Qeveria jugosllave jo vetëm që po pengon riatdhesimet po punohet t’i bindë shqiptarët në Jugosllavi të ndryshojnë mendje. Qeveria shqiptare i ka tërhequr vërejtje për këtë homologëve në tetë raste.

Nëntor 1950

Përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi

Një mosmarrëveshje serioze ka lindur në qeverinë e Jugosllavisë në lidhje me problemin shqiptar. Përfaqësues të komitetit shqiptar pro-Tito të Kosovës kanë ofenduar serbët pas deklaratave të tyre në lidhje me shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. Në to theks i veçantë u vu në kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë dhe mundësinë e përfshirjes së saj në federatën e Jugosllavisë. Serbia pretendon që në hartën e ardhshme të vendit të përfshihen disa lokalitete shqiptare që historikisht dhe etnikisht kanë qenë serbe. Deklaratat janë kundërshtuar dhe nga përfaqësues maqedonas. Javën e fundit të korrikut 1950 ndodhën përplasje në Prishtinë mes serbëve dhe shqiptarëve të rajonit, gjatë të cilave dy vetë mbetën të vrarë. Në Ristovaç serbët raportohet se vranë një shqiptar që kishte keqtrajtuar serbët gjatë luftës, kur ai kishte qenë me ushtrinë gjermane.

Shkurt 1951

Vizita e gjeneralit Balluku në kufirin verior

Gjenerali Beqir Balluku i shoqëruar nga tre oficerë sovjetikë arriti në Kukës në 5 shkurt 1951 me qëllim inspektimin e instilacioneve ushtarake kufitare. Operacionet policore në zonë u reduktuan paksa gjatë vizitës së tij, me qëllim dhënien e mbrojtjes së përshtatshme gjeneralit

1952

Jugosllavia mohon synime unilaterale mbi Shqipërinë

Përfaqësuesi jugosllav në Athinë ka siguruar dje qeverinë greke se Jugosllavia nuk do të trazojë gjendjen aktuale në Shqipëri. Ai tha se në rast të një revolte të brendshme atje, qeveria e Jugosllavisë do të veprojë vetëm në koordinim me fqinjët e tjerë. Deklarata besohet se është pranuar nga përfaqësuesit grekë.

Koment: Varësia e Jugosllavisë nga ndihma e SHBA dhe dëshira për të mbyllur marrëveshjet e leverdishme të mbrojtjes me Greqinë dhe vende të tjera të NATO, ia diktojnë asaj respektimin e rekomandimeve për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë Jugosllavia kërkon të forcojë kapacitetet e saj në përmbysjen e regjimit Hoxha, për një dominim të mundshëm në qeveritë e ardhshme anti-komuniste në Shqipëri. Me gjithë shprehjen e besimit nga Greqia për qëllimet jugosllave, Shqipëria mbetet si gjithmonë pikë delikate interesi mes Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë.

Eksportet e Shqipërisë nga Hungaria

Fabrika Orion dorëzoi më 5 prill 1954, 2000 llamba radio për Shqipërinë, të cilat u nisën nga aerodromi i Debrecenit më 10 prill. Fabrika optike hungareze Magyar Optikai Muvek ka dorëzuar 42 periskopë për Shqipërinë të cilët priten në aerodromin e Debrecenit më 15 prill 1954. Fabrika Beloianisz ka dorëzuar 250 radio-transmetues në arka metali të hollë, për përdorim si për bateri dhe për rrjetin kryesor elektrik në Shqipëri. Ato u nisën nga Budapesti më 10 prill 1954 dhe arritën në aerodromin e Debrecenit në 15 prill. Uzina farmaceutike Chinoin Gyogyszerarugyar ka dorëzuar disa arka me medikamente për Shqipëri, që i ngritën nga Debreceni më 10 prill. Fabrika Egyesult Izzo ka dorëzuar 500 llamba elektrike me voltazh të ndryshëm për Shqipëri. Dërgesa i nis nga Budapesti drejt Debrecenit më 10 prill. Fabrika e telefonave në Budapest ka dorëzuar 400 telefona të tipit CH46 për Shqipërinë, që u nis drejt Denrecenit më 10 prill 1954. Fabrika Gamma ka dorëzuar 16 arka të drunjta me instrumente preçizioni për Shqipëri, që më 15 prill u nisën për në Debreceni. Fabrika e instrumenteve mjekësore Orvosi Muszergyar ka dorëzuar 23 arka të drunjta për në Kinë, të nisura për në Debreceni më 15 prill. Fabrika Baloianisz ka nisur 54 radio-transmetues për në Kinë, të nisura drejt Debrecenit më 14 prill. Fabrika Orion ka dorëzuar radio-marrës të tipit me llampa 3,4 e 5, në 12 arka të drunjta drejt Shqipërisë. Ngarkesa u nis më 15 prill për në Debreceni. Fabrika Gamma ka dorëzuar 10 arka me instrumente preçizionit për në Kinë deh 5 për në Shqipëri, të nisura drejt aerodromit të Debrecenit më 20 prill. Fabrika Beloianiesz ka dorëzuar një instilacion të plotë radari në 24 arka, për në Kinë, më 30 prill 1954.

Please follow and like us: