Për “Ligjin e Luftës” dhe pronat e çamëve
Intervistë me një gazetar grek…
“Ligji i Luftës” është hequr në kohën kur ju ishit në detyrën e Presidentit. Po me problemin e pronave të camëve kur jeni njohur e përse qeveria juaj nuk e ka ngritur në atë kohë?
Së pari, do të them se ne ishim të interesuar, kryesisht, të kishim marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Greqinë. Prandaj kur Junta ushtarake pranoi të vendos marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, në vitin 1971, kjo kishte rëndësi për ne. Përsa i përket ekzistencës së “ligjit të luftës”, ne s’e kishim në llogari; për ne ai ishte një ligj absurd, sepse Shqipëria dhe populli shqiptar, asnjëherë nuk kanë qenë në luftë me Greqinë e popullin grek. Në kohën kur Italia fashiste sulmoi Greqinë nga territori shqiptar, viti 1940, vetë Shqipëria ishte e pushtuar nga fashistët italianë.
Së dyti, kur u hoq, në vitin 1987, “ligji i luftës” nga qeveria e A.Papandreut, ky fakt na u komunikua zyrtarisht nga qeveria greke, pa na u përmendur se ka mbetur edhe “bishti” i atij ligji, pra ai i pronave të camëve. Personalisht çështjen e pronave dhe lidhjen që ka zgjidhja e tyre me “ligjin e luftës”, e kam mësuar pas vitit 1990.
Kam dëgjuar se shteti shqiptar, në të kaluarën, i shikonte camët si një faktor regresi? Kjo duket se vertetohet edhe nga disa masa dhe dënime që u dhanë kundër disa camëve që njiheshin si bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve si rasti i një pjesëtari të familjes Dino…
Nuk e di nga i keni gjetur dhe kush ua ka dhënë këto informata. Ato nuk i përgjigjen së vërtetës. Popullsia çame ka ardhur në Shqipëri, pasi u përzu me forcë nga gjenerali Zervas dhe bandat e tij në vitin 1945. Kanë qenë disa dhjetëra mijë vetë, burra, gra, pleq e fëmijë. Duhet të keni parasysh se në atë kohë Shqipëria ishte thuajse plotësisht e shkatërruar. Ajo sapo kishte dalë nga lufta dhe të gjitha urat e portet e vendit ishin hedhur në erë nga gjermanët. Edhe shtëpitë në mjaft fshatra, si dhe bagëtia ishin dëmtuar rëndë. Megjithatë camët u pritën si vëllezër dhe për ata u kujdesën organet shtetërore, qëndrore e lokale që t’u siguronin strehë e ushqim. U vendosën në plazhin e Vlorës e të Durrësit. Bile edhe në Pallatin e Zogut në Durrës. Pra nuk u kursye asgjë. Më vonë, me përmirësimin e gjendjes camët u shpërndanë në qytete të ndryshme të vendit dhe iu nënshtruan rregullit, punës dhe normave si të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
A ka pasur të dënuar? Nuk di ndonjë gjë konkrete, por edhe për camët janë zbatuar të njëjtat ligje si për shqiptarët. Kështu janë gjykuar e dënuar kolaboracionistë si camë, ashtu edhe ballistë shqiptarë ; janë burgosur dhe ndoshta edhe dënuar me vdekje njerëz që kanë shkelur ligjet ose janë akuzuar se kanë shkelur ligjet, si qytetarë shqiptarë, ashtu edhe camë. Pra nuk është e saktë se camët janë trajtuar ndryshe nga pjesa shqiptare e popullsisë. Mund të them se camët përbëjnë një pjesë të suksesshme të shoqërisë si në biznes etj.
Sipas dokumenteve arkivore të Partisë Komuniste Greke është kërkuar nga PK Shqiptare ndihmë për të mobilizuar çamët në mënyrë që të marrin pjesë në luftën civile përkrah PK greke ? A dini gjë për këtë?
Jo, nuk jam në dijeni për këtë gjë. Por kam dëgjuar se midis dy partive tona ka pasur kontakte në atë kohë, pra në vitin 1948-49. Nga ana tjetër më ka rënë në vesh se camët nuk kanë pasur asnjë dëshirë që të ktheheshin për të luftuar përkrah partizanëve grekë në luftën civile. Për pasojë megjithë përpjekjet që bënin të dërguar nga PKGreke, vullnetarë nuk kanë dalë camë nga Shqipëria.
Si i shihni ju marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë?
Mendimi im është se miqësia midis dy vendeve tona është kryesore. Pra asgjë nuk duhet të bëhet shkak për t’i dëmtuar sadopak marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ceshtja e pronave came është një problem i rëndësishëm, jetik dhe ai kërkon zgjidhje. Unë besoj se të dy palët, si pala shqiptare, ashtu edhe pala greke, me mirëkuptim dhe në emër të miqësisë do të gjejnë rrugën e zgjidhjes së tij.
Aktualisht në Greqi ndodhen qindramijë emigrantë shqiptarë. Ata punojnë atje duke siguruar të ardhura që u nevojiten për sigurimin e jetesës së atyre vetë, ashtu edhe të familjeve që kanë lënë në Shqipëri. Por ata, në të njëjtën kohë, me djersën e mundin e tyre, në një masë të caktuar, ndihmojnë për zhvillimin ekonomik të Greqisë. Ata nuk janë parazitë, por me punën e tyre të dobishme e shpërblejnë mikpritjen e popullit grek. Këta shqiptarë, ashtu si edhe minoriteti grek në shqipëri janë faktorë që e forcojnë miqësinë midis dy vendeve tona. Edhe problemi i pronave came dhe zgjidhja e drejte e tij duhet parë në kuadrin e forcimit të miqësisë midis Shqipërisë e Greqisë.