Bardhyl Hysenbegasi: I pavaruri dhe i paharruari, Ferit Hysenbegasi
I PAVARR DHE I PAHARRUAR FERIT HYSENBEGASI, im at, sot mbush 70 vjet pa varr.
Njëra foto e tij ndodhet në kupolën hyrëse të “ BUNK ART 2″.
Fotoja tjetër në Muzeun Historik Kombëtar në pavijonin e genocidit komunist shqiptar.
U shua nga kjo botë 70 vjet më parë, në mënyrë tragjike, nga barbaria kriminale komuniste.
Doli nga një derë e lartë, nga një familje me tradita patriotike e arsimdashëse. U diplomua në drejtësi. Ashtu si vëllai i tij, doktor Isuf Hysenbegasi “Nderi i Kombit”, im at i përkiti grupit të intelektualëve që, pasi u shkolluan e u formuan në perëndim, morën përsipër të ktheheshin në atdhe e të vinin në shërbim të tij kulturën, dijet dhe ndershmërinë e tyre. Por bishat komuniste, injorantët që dritën e dijes e urrenin me shume se tymin në sy, u turrën me mjetet më barbare për ta shfarosur elitën intelektuale.Tim at e torturuan gati 10 muaj në hetuesi deri sa e zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.
Aty nga fillimi i viteve ‘70, një burrë nga një fshat i Korçës me një fëmijë të vogël e të sëmurë për dore, nipin e tij, merr rrugën drejt Vlorës dhe troket në shtëpinë e doktor Isufit. Im ungj, human i pakursyer siç e njohën të gjithë, e viziton djalin me kujdes, teksa fshatarit po i rridhnin lotë nga sytë.
-Ç ‘ke, pse qan, i thotë doktori, mos u shqetëso, do të ta shëroj djalin…
-Jo , doktor, nuk qaj për djalin, por qaj se kam një peng e duhet ta rrefej….në 1947-ën unë shërbeja si polic …
-Lëre atë fjalë, i thotë im ungj duke menduar se do t’ i kujtonte burgun e tij, për mua është një kapitull i mbylllur…
-Jo për ty, doktor, e kam për vëllanë tënd, e kam peng që duhet ta rrëfej. Isha polic në Tiranë në ‘47-ën tek burgu ku mbanin të arrestuarit në dhomat e paraburgimit. Atje ishte edhe vëllai yt, Feriti. E torturonin vazhdimisht. Nje ditë hetuesi po e merrte në pyetje e po e torturonte egërsisht, te varur me kokë poshtë. Kur hetuesi del nga qelia, Bedri Spahiu që po priste jashtë i thotë: “Hë mo, nxori gjë?” “Jo” , i përgjigjet ai. Atëhere Bedriu i tërbuar hyri vet në qeli dhe duke bërtitur e sharë “po fol, mor qen”, e godet në gjoks me majën e çizmes fort … për vdekje….Kështu doktor, ti nuk e di , por vëllai yt iku nga kjo jetë me gropën që i la në trup çizmja e Bedri Spahiut…
Në vitin ‘91 , në kuadër të reabilitimit të të përndjekurve politikë, u përpoqa të gjeja dokumente për statusin e babait tim, por në organet e shtetit nuk gjeta gjë. Atëhere, sipas fjalëve të dikujt, shkoj në Tiranë të takoj doktor Petraq Progrin. Ky zotni burrë, i moshuar, kur mori vesh se i biri i kujt isha, më futi në shtëpi. I thashë se më duhej të vërtetoja që im at kishte vdekur në burg e s ‘ po gjeja dokumente dhe se “kam dijeni që ju keni lëshuar një raport mjekësor”.
-Dëgjo, mor bir, është e vërtetë, në atë kohë unë isha mjek ushtarak. Një mbasdite më thërret Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Brendshme e më thotë se kishin në burg një të burgosur të sëmurë që duhej ta vizitoja. Vete atje, hyj në qeli… dhe ç ‘ të shoh… Feriti i vdekur, i degraduar nga torturat…Më detyruan të lëshoj një raport mjekësor ku të shënoja se ai kishte vdekur nga zemra .
Doktor Progri më lëshoi një deklaratë ku vërtetonte se babai im kishte vdekur në hetuesi. Më tha gjithashtu se im at kishte qenë njeri i nderuar e me vlera, e kishte pasur të njohur, e unë duhej të ndihesha krenar për të .
Një deklaratë të tillë më dha edhe ai ish-polici nga Petrusha e Korçës .
Më vonë komisioni i drejtuar nga av. N. Bezhani e nxori faktin e vdekjes në hetuesi të tim eti nga procesverbalet e gjyqit të teneqexhiut ministër K.Xoxe. Nga arkiva e Ministrisë së Brendshme , zoti Kastriot Dervishi ka vërtetuar se në listën emërore të të ekzekutuarve pa gjyq dhe të vdekurve në burg në nr.rendor 1874 rezulton Ferit Jashar Hysenbegasi, ekzekutuar në dt. 17.09.1947 .
Duargjakpërlyerit kriminelë, me instinktet e tyre shtazore, (shumica e tyre me profesion furxhi, teneqexhi, këpucar etj) , nuk lanë torturë pa përdorur kundër elitës intelektuale të këtij vendi, vrasjen deri edhe në zhdukjen pa nam e nishan. Kainët komunistë shqiptarë që kryen genocidin “made in Albania” dhe bunkerizimin e vendit, lanë pas pjellat e tyre që sot po realizojnë gjeocidin dhe betonizimin e Shqipërisë. Dhe janë këta që për një çerek shekulli kanë kapur tempullin më të lartë të vendit dhe, pa shkundur nga ndërgjegja të shkuarën kriminale të etërve të tyre, çirren e bërtasin duke bërë be e rrufe për dekriminalizimin, hapjen e dosjeve, lustracionin, vetingun duke talllur e qorrollepsur këtë popull.
Mallkimi rëntë mbi ta!
E kam peng që, qysh kur kam filluar të mbaj mend, nuk arrita ta shqiptoj fjalën baba. E kam peng që nuk e ndjeva aromën tënde, nuk i shijova dot përkëdheljet e duarve të tua. I shtrenjti, i miri, i bukuri im, intelektuali, që ta këputën jetën në moshën 42 vjeç. Shikoj fotografinë tënde. Ty të lexohet në sy mënçuria e fisnikëria. Të vranë barbarisht, të zhdukën gjurmët, por nuk vranë dot kujtimin dhe frymën tënde që jeton në mëndjen dhe zemrën time.
I pavarri im.
I paharruari im.
Loti im…