Albspirit

Media/News/Publishing

Eqrem bej Vlora: Ju rrëfej personalitetin e Ahmet Zogut

Fitorja e fundit e partisë së bejlerëve

Në vitin 1923 Partia Konservatore e bejlerëve arriti një fitore të plotë, ndonëse të fundit! Po t’i kishte kuptuar më mirë ndryshimet e ndodhura dhe të kishte pasur më shumë frymën e kastës, me këtë fitore ajo do të kishte siguruar, madje në një mënyrë të padiskutueshme, udhëheqjen në Shqipëri edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë.

Më 26 nëntor të vitit 1923, kur u shpallën zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare legjislative, im atë dhe miqtë e mi ngulën këmbë që të vija edhe unë kanditaturën. Formova atëherë, pa entuziazmin më të vogël, ekipin tim me persona të kallëpit konservativ, të cilëve iu ecte fjala dhe kishin njëfarë peshe në krahinën e Vlorës. Dhe më dukej si gjëja më e natyrshme në botë që këto zgjedhje t’i fitoja sërish njëzëri. Miqtë, po edhe armiqtë me mendësi konservative, më mbështesnin pa rezerva. Më tej doli qartë edhe një herë se shumica e popullit nuk donte t’ia dinte për parullat e fryra të ekstremit të majtë. Për të pasur sukses, mua nuk m’u desh të harxhoja asnjë fjalë, të investoja asnjë lek, nuk pata nevojë të kurdisja asnjë komedi propagandistike. Më zgjodhën mua dhe grupin tim thjesht, sepse nuk mund të mendohej që të zgjidhej njeri tjetër përveç beut dhe, sepse prej meje pritej një Zot e di se çfarë. Por domethënës ishte fakti se ai grusht zgjedhësish të shkallës së dytë (në rrethin e Vlorës ata ishin 75), të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli nuk ma dhanë votën e tyre. Ata ishin rekrutuar nga radhët e shtresës së mesme dhe ishin njerëz që kishin parë sa e sa të mira nga shtëpia jonë. Ndërmjet tyre ishte edhe një fshatar imi, ortodoks nga fshati Poro. Kureshtar, e thirra një ditë në shtëpi dhe e pyeta përse nuk donte të ma jepte votën. “Ti je bej denbabaden, i përkëdhelur prej Zotit dhe kësmetit. Ti nuk më ke bërë kurrë të keqe e megjithatë unë nuk do të votoj për ty, se dua që të marrësh vesh edhe ti, njëherë, sa të dhëmb kur nuk bëhet dëshira dhe vullneti yt!” Unë nuk i mbajta mëri fshatarit për këto fjalë të çiltra dhe të hapura, ndonëse edhe krejt arkaike dhe nuk i mora në mënyrë tragjike. Por, pa dashur, m’u kujtua përgjigjja e atij fshatarit grek që, në një gjyq të kurdisur kundër Alkibinës, u shpreh për dëbimin e tribunit të popullit, pa e njohur fare atë. Kur e pyetën pastaj, përse votoi kundër këtij bashkëqytetari të nderuar, fshatari i ndershëm u përgjigj: “E di që ai meriton vetëm lëvdata dhe mirënjohje! Por po bëhen ama kaq e kaq vjet që dëgjojmë vetëm ditirambin e tij! Mjaft më! Të mësojë edhe ai njëherë si shijon kur të shajnë!” Më vonë unë mësova se rebelimi vetjak I fshatarit tim kishte një motiv mjaft prozaik: një saraf nga Narta, një përfaqësues i klasës së re në ngjitje të pazarit, i kishte premtuar një zgjatje afati për larjen e borxhit, me kusht që të votonte kundër meje. Dhe për ta bindur xhelatin e tij se po i qëndronte besnik ujdisë, fshatari i mirë kishte dashur ta bënte publik opozicionin e tij. Fundja nuk rrezikonte shumë – të gjithë e dinin që “beu i zvetënuar” nuk merrej me këso hakmarrjesh të vogla. Gjatë këtyre zgjedhjeve, krahu gjoja demokratik në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë u përpoq të siguronte fitoren e kandidatëve të tij, duke përdorur mashtrimet, shpifjet dhe dhunën më të pabesueshme (me ndihmën edhe të xhandarmërisë). Dhe më kot! Në Shqipërinë e Jugut u zgjodh vetëm një pjesë e vogël e tyre (21 nga të 102 deputetët). Por propaganda e shfrenuar midis nëpunësve shtetërorë dhe në rrethet e klasës së mesme ishte kaq e zhurmshme, e paturpshme dhe e bezdisshme
(ata kishin njerëzit e tyre në të gjitha zyrat qeveritare dhe në ushtri), saqë një njohës I sipërfaqshëm i çështjeve shqiptare do të krijonte përshtypjen se gjithë Shqipëria do të votojë për ta. Ndërsa Partia Konservatore e bejlerëve që luftonte në heshtje, me këmbëngulje dhe me stilin e vjetër, arriti një fitore të plotë, ndonëse të fundit! Po t’i kishte kuptuar më mirë ndryshimet e ndodhura dhe të kishte pasur më shumë frymën e kastës, me këtë fitore ajo do të kishte siguruar, madje në një mënyrë të padiskutueshme, udhëheqjen në Shqipëri edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Por sqima dhe kapadaillëku, mënyra e saj e veprimit, mungesa e shpirtit organizues, paaftësia për të përshtatur mendësinë dhe mënyrën e jetesës, bënë që ata të lëshojnë pe (1923) përpara disa qindra poterexhinjve, të maskuar prapa një etikete demokratike, ndërsa vetëm pak më vonë, kur fati ua dha edhe një herë në dorë pushtetin (1925), ndihmuan të hipë në shalë një diktator nga klani i tyre, një njeri që as mendonte fare të ruante interesat e tyre. Bejlerët ishin degraduar, veçse jo në kuptimin që mendonte klasa e mesme. Ata nuk ishin as cuba dhe as tiranë, por ata nuk ushtronin më asnjë funksion. Më tej ata nuk ishin në gjendje të mbronin as interesat e tyre vetjake, as interesat e tyre kolektive, ata jetonin me një të kaluar tashmë të kapërcyer. Shumica e tyre ishin varfëruar dhe, për më tepër, ishin edhe të paarsimuar, popullariteti i tyre kishte rënë, ata ishin bërë të huaj për vendin ose për shkak të sjelljes së tyre demokratike, ose se, për shkak të pamundësisë për të mbajtur në këmbë “derën e madhe”, kishin bërë kaq shumë lëshime, saqë tani me shumë vështirësi mund të quheshin si “primi inter pares”. Ndërsa shqiptari atë që do ta njohë si udhëheqës kërkon ta shohë “të madh”.

Çfarë personaliteti kishte kryeministri Zogu

Si filloi ngritja e Ahmet bej Zogut

Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: ishte më I zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata.

Dhe më 1923/1924 i tillë mund të ishte në Shqipëri vetëm një bej – Ahmet bej Zogu. Ndaj edhe përreth tij u mblodhën të gjithë ata që kërkonin udhëheqje dhe përfitim. Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte I varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk I kishin ata – ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Atij i duhej të luftonte që, së pari, të afirmohej mes sërës së vet, pra për diçka që të tjerëve u kishte rënë nga qielli. Ndaj edhe meritat e tij ishin më të mëdha, kurse sukseset më të përligjura dhe më të çmueshme. Në fund të vitit 1923, kur ne deputetët e Asamblesë Kombëtare Legjislative u mblodhëm në Tiranë, ai ishte kryeministër dhe pa dyshim, personaliteti më i rëndësishëm në Shqipëri. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’I shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij. Por, po këto veti e kishin çuar deri në pikën e vlimit edhe urrejtjen e zilinë e ish-bashkëpunëtorëve të tij demokratë. Tirana e atëhershme ishte një fshat, ndonëse në rritje, me të gjitha të këqijat dhe kërkesat e një selie. Ardhja e menjëhershme e disa qindra vetëve, disi me pretendime, e keqësoi edhe më tepër ngushticën, edhe më parë, të ndjeshme, të strehimit. Zoti Vianxoni, hotelieri italian që mbante në Vlorë “Hotel Albania” kishte improvizuar në dy shtëpi tiranase një si pension evropian. Pajimi i tyre është vështirë të përshkruhet, sepse konceptet evropiane nuk mjaftojnë për të pasqyruar një primitivitet të tillë. Dhe neve, deputetëve të Asamblesë Kombëtare, që të shoqëruar nga trimat tanë, shkonim rëndë-rëndë nëpër rrugët e baltosura e plot gropa për në vendin e mbledhjes, na dukej vetja si ca burra të mëdhenj shteti dhe udhëheqës, edhe pse në thelb, nuk ishim e shumta veçse ca kryepleq fshatrash që kapardiseshim si misërokë. Kjo ishte fusha ku zhvillohej gara midis pothuajse gjithë pjesëmarrësve të panairit politik në Tiranë, ndërkohë që Ahmet Zogu, i mbrojtur nga autoriteti i shtetit dhe i trimave të vet në shtëpinë e tij apo në zyrë, vriste mendjen seriozisht për mjetet dhe rrugët që mund ta çonin përpara ngjitjen e tij, por edhe që të konsolidonin idenë e shtetit dhe organizimin e tij. Kjo punë i duhej lënë atij! Kur kësaj I vë përbri veprimtarinë e kundërshtarëve të tij, intrigat e përhershme, spicat dhe paralizimin e bisedimeve në Asamble, atëhere nuk të habit edhe zhvillimi i mëtejshëm I ngjarjeve. Tirana në atë vjeshtë dhe dimër të 1923/24-s nuk të ofronte, siç vazhdojnë të besojnë edhe sot disa fantastë, pamjen e një qendre liberale, demokratike, por në rastin më të mire të një çerdheje mjerane intrigash, ku nga mëngjesi në darkë zhvillonin punët e tyre të errëta llafazanët dhe cubat armëvringëllitës. Ata pak që kishin koncepte të tjera për konkurrencën demokratike, rrinin mënjanë dhe vështronin nga larg me neveri, duke dashur të mos ndyenin duart në këtë lojë. Midis tyre isha edhe unë. Unë nuk kasha asnjë dyshim se kujt duhej t’ia jepja votën, apo cilën anë duhej të mbështesja – për këtë bindjet e mia konservatore ishin tashmë të pjekura – por shpesh kisha ndjesinë se me botëkuptimin, parimet dhe kulturën time, unë qëndroja më afër grupit të urryer demokratik, sesa grupit konservativ, i cili me mungesën e tij të plotë të qëllimeve, më dukej krejt i huaj. Për më tepër që fati ma kishte caktuar edhe karrigen pranë grupit demokratik. Unë rrija në një bankë me peshkopin ortodoks, Fan Noli, njeri shumë I kulturuar dhe simpatik, udhëheqës i Partisë Demokratike, me të cilin më hahej muhabeti për mrekulli. Këtë e patën zbuluar shpejt ca spiunë demokratikë dhe e kishin diskutuar në një mbledhje partie. Por një udhëheqës tjetër i tyre, Luigj Gurakuqi, një shqiptar I shkolluar dhe i jashtëzakonshëm i asaj kohe, i shprehu me këto fjalë të qëlluara dyshimet e tij: “Si mund të jeni kaq budallenj dhe të besoni se Eqrem beu mund të kalojë ndonjë ditë në anën tonë? Si mund të besoni se ai, përparimet e rëndomta të të cilit në shkallën e ulët të gjimnazit i njoftoheshin vazhdimisht telegrafisht të jatit nga Ministria e Jashtme p. dhe m. në Vjenë, do të bëhet, befas, demokrat? Ai është aristokrati më i shkolluar dhe më i regjur nga të gjithë: po të ishte nevoja, qoftë edhe kundër pikëpamjeve të veta, ai do të bashkohej edhe me djallin, mjaft që të na kundërvihej neve!” Ky zjarr i kryqëzuar komplimentesh të dyanshme, nuk do të kishte qenë, megjithatë edhe aq i rrezikshëm, të mos kishte kaluar grupi demokratik në disa veprime të një natyre tjetër. Paladinëve të mendësisë demokratike u kishte rënë në kokë për poste dhe ofiqe zyrtare; me demokraci ata nënkuptonin artin për të zënë një post drejtues dhe për ta përdorur atë pastaj, sipas qejfit. Por meqenëse kjo ishte e pamundur me rrugë legale parlamentare (sepse ata nuk mund të shpresonin kurrë për shumicën në parlament), ata kërkonin t’i arrinin qëllimet e tyre me mënyra jolegjitime dhe të dhunshme, ndër të cilat, më e para, ishte mënjanimi i kundërshtarit që u dukej më i rrezikshëm, Ahmet Zogut.

Marrë nga libri “Kujtime”

Please follow and like us: