Megi Topalli: Një vend që harron dëshmorët e vet, komprometon të ardhmen e tij
Dje ishte përvjetori i Konferencës së Pezës. Një datë që meriton nderim. Atë ditë të 16 shtatorit 1942 shqiptarët bashkuan përfaqësuesit e tyre pa dallim bindjesh idesh dhe krahinash për të luftuar okupatorin në emër të Shqipërisë dhe lirisë. Qëllimi i saj idealist u tradhëtua shumë shpejt. Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se historine e shkruajnë fitimtarët. Në fakt atë e shkroi tirani me kalemxhinjtë e tij, e tradhëtoi dhe manipuloi atë.
Dje nostalgjikët e tij bij të tjetërsimit dhe ideologjisë e përkujtuan Enverin e tyre. Një tjetër turp në vargun e turpeve që ndodhin çdo ditë.
Askush nuk u kujtua për Kryetarin e Konferencës së Pezës, ministrin e qeverisë së Ismail Qemalit, për intelektualin, patriotin dhe politikanin shkodran Ndoc Çoba, i cili pak vite më vonë do të vdiste nën torturat e regjimit komunist. Nuk u kujtua shteti dhe institucionet, nuk u kujtuan partitë sepse harresa dhe padija ju ka lëbyrur ndërgjegjen e cila funksionon veç për retorikë politike dhe interesa personale.
Por gjaku nuk bëhet ujë.
Kudo nëpër ngjarjet e mëdha të vendit tonë Ndoc Çoba shkëlqen dhe mirënjohja e brezave është detyrim.
Pardje rrënuan shtëpinë e Prek Calit, heroit të rezistencës antikomuniste, personazhit më të lavdishëm të qëndresës në të gjithë lindjen komuniste.
Por dua tju kujtoj të gjithëve fjalët e filozofit At Gjon Shllaku, një tjetër martiri të lirisë: “Një vend që harron dëshmorët e vet kompromenton të ardhmen e tij”.
Personalisht jam krenare që mbiemri i nanës sime është Çoba. Nderim për Ndoc Çobën, nderim për të gjithë ata burra e gra që e deshën Shqipërinë pa interes për të cilën dhanë jetën duke na lënë pas modelin sublim të idealizmit që nuk shitet, nuk blihet dhe nuk korruptohet.
17 shtator 2017