Albspirit

Media/News/Publishing

Nikos Grigoriadhis: Ftesë nga dashuria


 

E megjithatë e ndjeva përnjëherë, e kuptova
se përseri një ftesë nga dashuria po më vinte,
që nga ai çast që një veshtrim i yti rastësor e vezullues
u ndal për një moment brënda meje, më pushtoi
duke më dërguar një sinjal, një premtim.
Oh, i njeh mirë zemra ime këto mesazhe, nuk iu drodh qerpiku
asnjëherë në momente të tilla, delikate.

Nxitojnë këmbët e mia drejt shtëpisë,
një banjë e shpejtë, me balsame erëmira,
rroba të porsalara që ndriçojnë,
e trupi im i gatshëm e i ngrohtë,
të të ofrojë pasion, e epsh të rrallë.
Se ku banon s’e di, por do ta gjej˙
aroma që le mprapa kudo ndihet,
në rrugë, në park, në hapësirë e gjer në qiell.

Të gjeta, midis luleve tek ecje
mes ajrit mbarsur me aromën tënde.
Dhe kur të erdha pranë, me një buzëqeshje
si shegë e kuqe lulëzove, gjithë shkëlqim.

E dorën time shtrij krejt i përhumbur,
më ndoqe pas e bindur, hap pas hapi
deri tek porta e shtëpisë që pa e ngarë njëri
i hap kanatat dhe mirseardhjen të uron.
Në krah pret erosi, në këmbë,
na merr të dyve e në dhomë na shoqëron,
mbuluar me petale, plot aroma dehëse.

Me drithërimë të zhvesh në gjysëmterr,
shpërthejnë në kthinë hiret e tua, ndrin e bukura lëkurë,
me dritë ëndërrimtare, shekullore të pashuar.
E malli për parajsën më s’ më merr,
përder’ sa jam me ty në të ëmblin ferr.

Shqipëruar nga Arqile Garo
Janninë, qershor 2013

Please follow and like us: