Raporti anglez për Shqipërinë: Ka ministra që s’dinë as shkrim e këndim
Ka hoxhallarë që shpallen nacionalistë grekë dhe priftërinj grekë që përkrahin planet turkoshake; shqiptarët janë një popull që nuk kanë unitet kombëtar, princi bën ç’i thotë gruaja, edhe familjet janë të përçara, ka njerëz me kulturë po ka edhe ministra që s’dinë as shkrim e këndim!
Kjo është Shqipëria e 1916-ës, sipas një raporti sekret që bën në këtë kohë Shërbimi i Zbulimit i Admiraliatit të Marinës Ushtarake Angleze. Ishte mesi i Luftës së Parë Botërore dhe raporti mban titullin “Personazhet – Shqipëria – Fiset, Populli”. I përkthyer nga Pirro Misha, tanimë ka ardhur si botim nga “IDK”. Hedh dritë mbi ata që ishin njerëzit më me ndikim në Shqipërinë e vitit 1916.
Misha vetë, shënon se raporte të tilla sidomos të shkruara në mes të një lufte botërore, s’kanë qëllime akademike, edhe pse shpesh ndodh që me to të punojnë akademikë të shquar, siç është e sigurt që raportin në fjalë e kanë hartuar njohës, padyshim mjaft të mirë, të botës shqiptare. Qëllimi i raportit të Marinës Angleze ishte të jepte një vështrim panoramik për historinë dhe realitetin e një vendi fare pak të njohur.
“Rezultati është një galeri mjaft e pasur, piktoreske e pse jo groteske, personazhesh, shumë syresh emra ende të njohur, por shpesh të ndryshëm nga ç’i njohim nga tekstet e sotëm të historisë. Mjaft të tjerë me ç’duket njerëz me mjaft peshë në atë kohë, tashmë janë fshirë pa kurrfarë mëshire nga kujtesa historike”.
Botuesi e përkthyesi Pirro Misha, shënon se mes tyre gjenden “patriotë, luftëtarë, trima, aventurierë, mercenarë, spiunë, turkofilë, grekofilë, austrofilë, hoxhallarë, që shpallen nacionalistë, grekë dhe priftërinj grekë, që përkrahin planet turkoshake të Esad Pashës, familje të ndara e të përçara, njerëz me kulturë e ministra që s’dinë as shkrim e këndim, ngjarje që në atë kohë perceptohen si tejet të rëndësishme, të cilat sot janë fshirë tërësisht nga rrëfimi i historisë”.
Vëmendje, i kushtohet në këtë raport sekret edhe origjinës dhe gjuhës për çka, thuhet se “ka shumë të ngjarë që shqiptarët të jenë pasardhësit e ilirëve dhe të trakasve të epokës klasike, origjinë kjo që shpjegon elementë të veçantë të gjuhës shqipe që e dallojnë atë aq shumë, si nga greqishtja, ashtu dhe gjuhët e tjera fqinje – elemente këto që kohët e fundit janë bërë subjekt diskutimesh pa fund mes filologëve”.
Për shqiptarët në Turqi vihet re se për breza me radhë, shqiptarët myslimanë kanë luajtur rol të rëndësishëm, por sidomos gjatë shekullit të fundit, kur u kthyen në strumbullarin e qeverisjes osmane në Turqinë Europiane. Sulltanët, sidomos Abdyl Hamiti, preferonin shqiptarët në gardën e tyre perandorake, të përbërë përgjithësisht nga pasuesit më besnikë të prijësve myslimanë shqiptarë
Për anglezët, ka shumë arsye që shpjegojnë prapambetjen e Shqipërisë, mes tyre vihet karakteri luftarak i shqiptarëve, çka shfaqet në rastet e shumta të gjakmarrjeve.
E nuk lihet jashtë vëmendjes as “Mungesa e unitetit kombëtar”, për çka, në raportin sekret, thuhet se “asnjëherë shqiptarët s’janë shfaqur si një komb, me përjashtim ndoshta të një periudhe të shkurtër nën udhëheqjen e Skënderbeut heroik (1443-1467). Edhe pas pushtimit turk, elementi më vital në veri të vendit qe fisi, ndërsa në jug mbizotëronin ligjet lokale të vendosura prej çifligarëve apo bejlerëve. Ideja e unitetit apo pavarësisë kombëtare vazhdon të jetë diçka krejt e huaj për shqiptarin”. Në mesin e këtyre “kabllogrameve” të 1916-ës ka një portretizim për secilin personazh të kohës, me anën “e errët e të ndritur”, si më poshtë.
PROTAGONISTËT NË SHQIPËRI
PRINCI WILHELM VON WIED
– Djali i madh i princit Wilhelm von Wied. Lindi më 1876. Komandant i regjimentit të 3-të prusian të Uhlandëve në Gardë. Farefis me mbretin e Suedisë si dhe mbretë-reshën e Holandës; nipi i preferuar i ‘Karmen Silvës’, Elizabetës së Rumanisë. Froni i Shqipërisë iu ofrua në vitin 1914, dhe ai e pranoi. Mbërriti në Durrës, në 7 mars 1914.
Njeri simpatik, por me karakter të dobët. I arsimuar mjaft mirë. Do që në oborrin e tij të flitet anglisht. Disa prej adjutantëve të tij, në fakt, i kishte anglezë. Është njeri pa kurrfarë ambicie, dhe bën ç’i thotë Princesha Sofia. Ka dy fëmijë, një djalë e një vajzë. U largua nga Shqipëria në 2 shtator të vitit 1914. Në fillim të muajit dhjetor të vitit 1915, thuhej se ndodhej në Novi Pazar, pastaj në Elbasan.
PRINCESHA SOFI
– E bija e Princit Schonburg-Waldenburg. Lindi më 1885. Ambicioze. Artiste. Njeri me forcë të madhe morale. Nën mbrojtjen e mbretëreshës Elizabet (Karmen-Silva). Në të vërtetë, pjesën më të madhe të letrave që i atribuohen Princit, ia ka shkruar ajo me makinë shkrimi.
ABDI BEJ TOPTANI
– Nga Shqipëria e mesme. Farefis me Esad Pashën; njeri me mjaft ndikim. I pat premtuar Esadit që do ta ndihmonte, por me kusht që ky i fundit të mos kërkonte të bëhej e të zgjidhej Princ. Ministër i Financave në qeverinë e përkohshme të krijuar në Vlorë, nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ushqen simpati për turqit si dhe për austriakët. Xhentëlmen i vërtetë dhe një ndër shqiptarët më të shquar. E urren Esadin, të cilit s’ia ka besën.
ABDI KOLA
– Bajraktar i Gimajt, një ndër dy bajraqet e Shalës.
ABDI TOJA
– Bën pjesë në parinë e Krasniqëve. Pjesëmarrës në Kuvendin e Parisë së Malësisë, të mbajtur më 1 dhjetor 1913.
ABDULLA EFENDIU
– Nga Shkodra. Anëtar i Klubit Shqiptar. Mori pjesë në Kuvendin e Parisë, të mbajtur më 2 dhjetor 1913.
ABDULLAH
– Bajraktar i një pjesë të Rrjollit.
ABDULLAH BEU
– Nga Kolonja. Me mjaft ndikim në Starje. Tani është sekretar i Prefekturës së Beratit.
ABDURAHAMAN AGA SHASHKA
– Një nga njerëzit e Ismail Qemalit. Me mjaft ndikim.
ABDURAHIMI – MYFTI.
Nga Elbasani. Pjesëmarrës në Kuvendin e thirrur prej Misionit Holandez, më 1913.
ABDYL AGA MILUTA
– Nga Shkodra. Mori pjesë në Kuvendin e Parisë, më 2 dhjetor 1913.
ABDYL BEJ KOPRENCKA
– Nga Skrapari. Ka mendime të ndryshme nga ato të të vëllait, Xhelal Bej Koprenckës. Aktualisht, është një prej prijësve që Turqit e Rinj kanë dërguar për të armatosur bandat shqiptare kundër italianëve.
ABDYL BEU
– Nga Berati. Punon në Ministrinë e Punëve Botore. Pjesëmarrës në Kuvendin e Parisë, të thirrur prej Misionit Holandez.
ABDYL YPI
– Njeriu më inteligjent i Shqipërisë; krahu i djathtë i Esadit dhe turkofil i zjarrtë. Ka ushqyer simpati dhe për grekët dhe serbët, por tani është bërë sërish partizan i flakët i turqve. Urren gratë. Trim i madh. Gjatë kohës së qeverisë së Princ Vidit ishte guvernator i Konicës dhe i Kolonjës. Aktualisht gjendet në Stamboll.
Abraham (C.), nga Korça. AÇIKO
– Sekretari i Preng Big Dodës. U zu rob nga serbët, të cilët ia dorëzuan atë Esadit. Ahmed Bej Borshi – Nga Himara, Kurvelesh. Me ndikim në zonën e vet. Ithtar i Ismail Qemalit.
AHMED BEJ ZOGOLLI
– Lindur ne Mat. Bajraktar i popullatës së kësaj zone. Ka mjaft ndikim në këtë zonë, e cila përfshin 70 fshatra. Turkofil. Ka qenë mbështetës i Esadit, por më pas, pas një sherri që pati me bullgarët, kaloi bashkë me bandën e vet, në anën e austriakëve, duke dalë bashkë me të vetët në mal. Ndonëse ende fare i ri në moshë, ka autoritet të plotë tek pasuesit e tij të egër.
AHMED DACI PROGONATI
– Nga Himara-Kurveleshi. Me ndikim në zonë.
AHMED DAKA BORSHI
– Nga Himara-Kurveleshi. Me peshë në zonën e vet.
AJETULLAH BEU
– Nga Libohova. I vëllai i Myfid Beut dhe Ekrem Beut. Që të tre ndajnë të njëjtat mendime me të atin, Maliq Pashën. Ajetullahu është dhëndri i Syrja Beut.
ALEKSANDËR XHUVANI
– Nga Elbasani. Drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit. Mori pjesë në kuvendin e thirrur nga misioni holandez.
ALEM TOTO KALARATI
– Nga Himara-Kurveleshi. Me ndikim në zonë.
ALI AGHIAH BEU
– Nga Elbasani. Mori pjesë në Kuvendin që thirri misioni holandez.
ALI HAJDARI
– Prijës i Sumës.
ALI KETSJANI
– Pjesëtar i fisit të Krasniqëve. Pjesëmarrës në Kuvendin e Parisë së Malësisë, që u mbajt në 1 dhjetor 1913.
ALI KOKA
– Nga Delvina. Njeri i shkathët dhe me mjaft ndikim në Epirin e veriut. Nacionalist i zjarrtë.
ALI RIZAI
– Prijës shqiptar gjatë revolucionit të vitit 1912. Ka vdekur.
ALLIOTI, BARON CARLO
– Ministri italian në Shqipëri. Vjen nga një familje levantine nga Smirna.
ALUSH EFENDIU
– Nga Elbasani. Sekretar i qeverisë në Elbasan.
ALUSH EFENDIU KONISPOLI
– Nga Filati. Me ndikim në Çamëri.
ALUSH LOHJA, HAKI HAFIZ
– Njeri fanatik dhe turkofil i zjarrtë, një nga njerëzit e parisë myslimane të Shkodrës. Dikur ka qenë ithtar i Esadit, por tani e ka braktisur dhe atë. President i Klubit 79 ‘Lidhja Kombëtare’. Gjatë kohës së pushtimit malazez të Shkodrës, këta e trajtuan me respekt, por me ç’thuhet, është pushkatuar nga austriakët.
ANDON BISTHE
– Nga Elbasani. Pjesëmarrës në Kuvendin e thirrur prej misionit holandez.
AQIF PASHA
– Nga Elbasani, ku ka një ndikim të madh si në qytet, ashtu dhe rrethina. Kundërshtar i Esadit. Njeri i ndershëm, por me karakter të dobët. Është në konflikt të vazhdueshëm me kushëririn e tij, Dervish beun, ithtar i Esad Pashës. Guvernator i Elbasanit dhe mbështetës i Ismail Qemalit. Në janar 1914, Dervish beu i kurdisi një komplot në Mat, si rezultat i të cilit ndodhi një përleshje mes pasuesve të Dervish beut dhe policisë së Elbasanit. U largua nga Durrësi së bashku me princ Vidin, por në shkurt të vitit 1915, kthehet sërish në Shkodër, ku malazezët kur pushtojnë Shkodrën, pasi e burgosin, e dërguan në Podgoricë.
ARIF DEMUSHI
– Nga fisi i Krasniqëve. Pjesëmarrës në Kuvendin e Parisë së Malësisë, që u mbajt në 1 dhjetor 1913.
ARSLAN BEU
– Nga Skrapari.
ASMI BEU
– Lindur në Tiranë. Farefis me Esad Pashën.
ASO FEROVIÇI
– Nga paria e Plavës. Nga një prej familjeve që janë vendosur aty jo shumë kohë më parë.
AVNI BEU
– Nga Berati. Këshilltar i Qeverisë. Pjesëmarrës në Kuvendin e thirrur nga misioni holandez, më 1913. Flet frëngjisht. Djalë i mirë. /Gazeta Shqiptare