Albspirit

Media/News/Publishing

Sali BERISHA: Dy fjalë për pushtimin e Veriut nga hordhite serbo-shqiptare të Tiranës

Këto ditë fadromat e shtetit shembën muret e kullës së Prek Calit, njerit prej prijësve më në zë, atdhetarve më të flaktë të Veriut të Shqipërisë. Edivin Kristaq Rama, pas këtij akti të shëmtuar, shpërthimi të urrejtjes së tij atërore, fshehu dorën e tij të zezë, por, pak orë më vonë, Ramën e përgënjeshtroi zëdhënësi i tij në krye të bashkisë së Koplikut. Fadromave të qeverisë ndaj kullës të tribunit legjendar Prek Cali, iu bashkuan menjëherë argatët e saj në mediat e tij me pseudo argumenta të bazuar kryekeput në fallsifikimin e historisë. Dokumenta të pakundërshtueshme kanë faktuar sot se vërshimi i hordhive të udhëhequra nga xhelatë si Mehmet Shehu, Shefqet Peçi dhe shefat e tyre jugosllavë në Veri, nuk ishte gjë tjetër veçse shtrirje e luftës civile në këto zona nga klika shqiptaro – serbe e Tiranës.

Pas aktit madhor të tradhëtisë kombëtare, anullimit brenda javës të Marrëveshjes historike së Mukjes, në gusht të vitit 1943 udhëheqësit serbo-malazezë të PKSH; Popoviç dhe Mugosha, me veglën e tyre Enver Hoxha dhe kriminelët e terroristët, agjentët që kishin emëruar në krye të njësive partizane, i dhanë luftës kundër pushtuesve karakter vëllavrasës, ndezën flakët e luftës civile në jugun e vendit, zonën e parë operative dhe më gjerë. Ata, si terroristë të vërtetë torturuan, ekzekutuan pa gjyqe në rrethet Gjirokastër, Vlorë, Përmet, Tepelenë, Skrapar, Fier, Berat, Lushnjë qindra luftetarë lirie të Ballit Kombëtar, qytetarë të thjeshtë, mbështetës të nacionalistëve dhe dogjën qindra banesa, plaçkitën qindra pasuri. Vetëm në Matjan të Lushnjës, Mehmet Shehu do të ekzekutonte në një natë tetori të vitit 1943 së bashku me komandantin e tij Dushan Mugosha, 67 djem dhe burra, luftëtarë lirie të Ballit Kombëtar të zgjedhur nga Dushani bazuar në synetin pra racizmin fetar.

Në atë periudhë terrori, edhe më të egër se sa ai i pushtuesve nazifashistë, arenë e masakrave vëllavrasëse u bë jugu i Shqipërisë pasi në zonat e tjera udhëheqja serbe e PKSH dhe vegla e tyre Enver Hoxha nuk mundeshin të ndërmerrnin akte të tilla. Kurse në vjeshtën e vitit 1944, flakët e luftës civile, udhëheqja serbo-shqiptare e PKSH i ndezi në rrethet e Matit, Dibrës, Kukës, në të cilat në Kurdari, Sine, Tërnove, Fushaliaj, Buzbardhë etj, vranë qindra banorë të pafajshëm, burra gra, fëmijë midis tyre edhe shumë luftëtarë lirie, bashkëluftëtarë të komandantit të shquar anti-fashistit Muharrem Bajraktari, që kishin luftuar me guxim e heroizëm pushtuesit nazifashistë vite me radhë. Në këto operacione terrori të vërtetë ata dogjën e poqën fshatra të tëra. Të gjitha këto operacione autorët e tyre do t’i cilësonin vetë në plenumin e dytë të Beratit të PKSH si akte të mirëfillta terroriste.

Menjëherë pas instalimit në Tiranë klika shqiptaro – serbe që erdhi në pushtet në krye të PKSH, do të ndante vendin në tre zona ushtarake, de facto dhe de juro të pushtuara ushtarakisht. Për ata të cilët mund të mendojnë se po abuzohet me fjalën “të pushtuara ushtarakisht”, iu sugjeroj të lexojnë telegramin që terroristi Mehmet Shehu i dërgon nga Shkodra shtabit të përgjithshëm në Tiranë më datë 18 shkurt të vitit 1945. Në këtë telegram ai thotë: “Qarkun e Shkodrës, në kuptimin ushtarak e kemi pushtuar tërësisht”. Kështu pra hordhitë terroriste të udhëhequra nga xhelati Mehmet Shehu nuk shkuan në Shkodër për të luftuar kundër pushtuesve por shkuan për të zëvendësuar pushtimin nazist me pushtimin e ri komunist shqiptaro – serb.

Shkodra dhe Veriu, pushtuesit, që kishin shkuar vetëm e vetëm për terror, vrasje dhe spastrime i pritën në një rezistencë heroike të pashoqe për kohën. Ndonëse të vendosur midis dy zjarreve, atij të fallangave të shqiptaro-serbve të Tiranës dhe në anën tjetër të kufirit ushtrive serbo – malazeze, që me ndihmën e Kalit të Trojës, brigadave shqiptare kishin pushtuar, larë në gjak dhe vendosur në administrim ushtarak Kosovën, banorët e Veriut qëndruan. Ata nuk mund të pajtoheshin kurrë me ideologjinë komuniste dhe regjimin shqiptaro-sllav të Tiranës. Elita e Shkodrës, e kryeqytetit të nacionalizmit shqiptar, qytetarët e saj, banorët e rrethinave të saj, Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës, Matit, Dibrës, Kukësit, Hasit e Tropojës organizuan një rezistencë të fuqishme ndaj pushtuesve të rinj. Qindra mijra prej tyre rrokën armët dhe morën malet, organizuan një seri kryengritjesh antikomuniste në Malësi të Madhe, Koplik, Postribë, Mirëditë, Nikaj Mërtur. Njëri nga udhëheqësit më kryesorë të kësaj qëndrese antikomuniste ishte tribuni popullor Prek Cali. Ai luftoi me heroizëm të rrallë kundër barbarëve që po iu merrnin liritë shqiptarëve dhe vendosnin ata nën një pushtim të ri sllavo-komunist, më i egri dhe më mizori që ata kishin njohur në historinë e tyre.

Veriu i Shqipërisë përjetoi gjatë këtij pushtimi nga hordhitë partizane, brigadat e sigurimit të shtetit dhe njësitë e OZNAS jugosllave (të vendosura zyrtarisht në Shkodër), masakrat më të mëdha që nga pushtimi serb i viteve 1913. Në këtë terror të egër vëllavrasës u pushkatuan pa gjyq, u burgosën, torturuan, mijra e mijra burra, gra e fëmijë. Vetëm në korrik të vitit 1945 në Shkodër u pushkatuan 150 qytetarë për qëndresën e tyre antikomuniste. Barbaritë dhe aktet terroriste ndaj popullsisë civile nuk kursyen as gratë dhe fëmijët.

Sipas dokumentave zyrtare, në Dukagjin u pushkatuan së bashku me nënat e tyre edhe fëmijë, në Pukë gra u hodhën në erë me dinamit, në Bulqizë u varrosën njerëz për së gjalli, në qelitë e zeza të burgjeve në Shkodër kundërshtarëve, u sharruan këmbët për së gjalli apo iu ngulën në trup hekurin e skuqur të hellit për të torturuar dhe marrë jetën. Qindra gra, fëmijë, vdiqën në male nga të ftohtit e akullit të Alpeve. Qindra e mijra fëmijë së bashku me nënat e tyre mbushën kampet e përqëndrimit të Turanit, Memaliajt, Tepelenës, Kamzës etj, etj.

Rezistenca e Shqipërisë së Veriut kundër fallangave terroriste pushtuese te udhëheqjes shqiptaro-serbe të Tiranës ishte rezistenca më e fuqishme antikomuniste në Europën e Pasluftes. Ajo nuk arriti qëllimet e saj të larta e të një rëndësie jetike për liritë e shqiptarëve sepse ajo ishte si një ishull i rrethuar nga të gjitha anët nga hordhitë e Titos dhe veglës së tij Enver Hoxha.

Ajo nuk arriti qëllimin edhe sepse aleatët perëndimore duke vlerësuar Shqipërinë si një protektorat të Titos zgjodhën fatalisht për ne jo ndihmën por injorimin e saj. Prishja me fadromat e shtetit, të Kullës së Prek Calit ishte një hakmarrje e pashuar atërore dhe një vazhdim me mjete të tjera i luftës vëllavrasëse civile, siç e konsideronte edhe Edi Rama në vitin 1991 luftën partizane në Shqipëri, por, siç duket, me hipokrizi të plotë dhe vetëm si përpjekje për të ngjitur shkallët e pushtetit. sb

Please follow and like us: