Edicioni XXI i Festivalit Ndërkombëtar te Poezisë “Ditët e Naimit”
POETI XHORXH UALLAS – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”
Fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti amerikan Xhorxh Uallas (George Wallace). Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga poeti dhe kritiku letrar, Ndue Ukaj (Kosovë), poeti dhe laureati amerikan Craig Czury (SHBA) dhe studjuesi i letërsisë, Xhelal Zejneli (Maqedoni). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu, ka shpallë laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 22 tetor 2017, në qytetin e Tetovës.
Kjo u bë e njohur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 18 shtator, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, kryetari i Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj, dhe anëtari i jurisë, Xhelal Zejneli. Laureatë të mëhershëm të këtij festivali janë emra e njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Athanase de Thracy (Bullgari), Lionel Ray(Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA), Kuei shien Lee (Taivan) etj.
Në edicionin e sivjetëm janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Indi, Danimarkë, Holandë, Islandë, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Poloni, Izrael, Greqi, Turqi, Tunis, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poetë shqiptare nga Mali i Zi, Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia.
Në vazhdim kryetari i Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj, paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”, ku thuhet se, “Poeti amerikan Xhorxh Uallas, që është laureat i sivjetshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është bursist-shkrimtar, i cili banon përkohësisht në shtëpinë e lindjes së Walt Whitman-it. Ai është autor i shumë librave dhe shquhet për origjinalitet poetik, me të cilin ka joshë admiruesit e poezisë dhe fjalës së bukur artistike. Poezia e tij iu ngjan engjëjve të natës që shtegtojnë në një errësirë të pahijshme që e shoqëron jetën bashkëkohore: të topitjes intelektuale, shpirtërore e kulturore… Shkrimtari Xhorxh Uallas, me imazhet dhe depërtimet e thella poetike, përçon një botë të pasur e të dëlirë të idalitetit estetik, që grish njeriun të mbetet njeri, edhe në kohën e qytetërimit të mjegullës dhe të shiut idiot. Për më tepër, ai grish lexuesin për shpresë, ashtu siç bënë e gjithë poezia e mirë. Poezi e tij flet me gjuhën e kohës dhe është sinjalizim i dritës që shpërndan ajo me fuqinë e tejkohshme dhe të pamatshme të gjuhës. A është e mundur që mjegulla e këtij qytetërimi dhe shiu idiot të qartësohet me poezi? Me këtë sfidë dhe dilemë na përballë poezia e laureatit të sivjetshëm, që vjen në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” nëpërmjet një estetike të kondensuar, ku mjegulla dhe shiu idiot janë të pavrejtshme, sepse prapa rri qytetërimi i poezisë së shpirtit dhe flakadani i saj rrezatues, të cilin nuk mund ta pengojë asnjë fuqi. Më pas, drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, lexoi Deklaratën e laureatit, Xhorxh Uallas, ku thuhet se, “Me një parandjenjë emocionuese dhe përulësie, e pranova nderin që më keni bërë duke më caktuar mua fitues të Çmimit Poetik Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” 2017. Me të vërtetë një nder i madh, të shkosh në gjurmët e poetëve të tillë të shquar si Ismail Kadare, Desmond Egan, Ewa Lipska, Athanase Vangchev de Thracy dhe të kolegut poetit amerikan Craig Czury, të cilët e kanë marrë më parë këtë çmim. Dhe një koinçidencë e veçantë që si shkrimtar në rezidencë në vendlindjen e Uollt Uitman në Nju Jork, më është dhënë kjo mundësi për të ndërtuar një urë mes këtij poeti të madh kombëtar amerikan dhe ikonës tuaj, poetit Naim Frashëri.
Për mendimin tim, lidhja ndërmjet Uitman dhe Frashërit është e thellë. Të dy këta figura letrare monumentale të shekullit XIX kanë luftuar përmes gjuhës poetike për të promovuar bashkimin ndërmjet njerëzve dhe ndjenjën e humanizmit duke respektuar ndërkohë diferencat e thella të religjionit, zakoneve dhe dialektikës brenda kombeve të tyre respektive. Kjo shpallje e një patosi humanist të fortë dhe mbizotërues i ka shërbyer procesit të shtet-ndërtimit dhe ka ndihmuar për të kapërcyer ndarjet e thella social-kulturore gjatë gjithë jetës së tyre.
Për më tepër, arritjet e tyre shërbejnë si model për ne në kohën e sotme.
Besoj se ndaj me organizatorët e festivalit “Ditët e Naimit” bindjen se poezia i ka kapacitetet për të bashkuar njerëzit e kulturave të ndryshme, duke iu ofruar atyre një “kod gjuhe” të qartë përmes të cilit afirmohet identiteti i tyre social dhe kulturor dhe krijojnë lidhje me njëri-tjetrin me respekt dhe vlerësim. Veçanërisht në këto kohë me sfida sociale dhe politike, kjo vlerë është e një rëndësie vitale ndërkombëtare.
Në emër të ndërtimit të urave ndërmjet njerëzve dhe nxitjes së shkëmbimeve ndërkulturore, bazuar në respektin reciprok, pres me padurim të mblidhemi në këtë tubim të këtij viti të poetëve të shquar për të organizuar një festival të “ Ditëve e Naimit” të gjallë dhe të paharrueshëm”.
Në fund anëtari Jurisë, Xhelal Zeneli,lexoi një biografi të shkurtër të fituesit, ku theksoi se, poeti amerikan Xhorxh Uallas është bursist-shkrimtar që banon përkohësisht në shtëpinë e lindjes së Walt Whitman-it, poeti-laureat i parë në Suffolk County, NY, dhe autori i 31 librave poezie në SHBA, Angli dhe Itali. Ish-vullnetari në Trupin e Paqes të SHBA-ve në Kore ka jetuar dhe punuar në Europë dhe Azi si dhe në vende të shumta në Shtetet e Bashkuara. Ka lindur në Nju Jork, ka jetuar dhe punuar për 5 vite në Mbretërinë e Bashkuar, ku ende udhëton rregullisht.
Xhorxhi, ish-studenti i Marvin Bell-it dhe WD Snodgrass-it, ka kryer studimet për shkrim krijimtar në Pacific University në Oregon dhe jep mësime shkrimi në zonën e Nju Jorkut në Peace University dhe Westchester Community College. Vepra e tij është mbledhur në arkivat në Hofstra University, dhe poezia e tij është dokumentuar në Qendrën e Poezisë dhe Letërsisë në Librarinë e Kongresit në Washington DC.
Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do te hapet nje ekspozite pikturash, do te promovohen libra, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj.
Artan Arsllani
Tetovë, 18 shtator 2017