Ilir Kaduku: Basha po shkatërron vlerat e PD, këshillat e mia për ringritjen e demokratëve
“Sali Berisha mund të kishte filluar dhe më parë. Të vjetrit nuk duheshin përjashtuar në mënyrë selektive. Marrëveshja e 18 majit, e turpshme. Basha e ka kthyer PD në koncesion”
Është një nga qëndrestarët e “Çadrës së Lirisë”, ngritur nga Partia Demokratike në 18 shkurt të këtij viti deri në në 18 maj ditën kur mes dy liderëve të djathtë dhe të majtë u firmos marrëveshja. Profesori i ekonomisë, Ilir Kaduku, tashmë ndihet i zhgënjyer nga e gjithë ajo që përjetoi. Flet për qëndresën, kauzat e partisë që në fillim ishin ata që e bindën të jetë çdo natë në çadër, marrëveshjen e 18 majit që e konsideron të turpshme, pazarllëqet që sipas tij ka bërë Basha, qëndrimin e liderit Berisha, të përjashtuarit nga lista e deputetëve dhe në fund jep disa këshilla për Bashën. Thotë se PD aktualisht është në agoni dhe në një krizë të thellë morale.
Profesor Kaduku! Ju jeni një nga njerëzit që keni qëndruar në mënyrë konstante për 90 ditë në Çadrën e Lirisë. Cili është mbresa juaj në lidhje me këtë lëvizje të opozitës shqiptare?
Po. Është më se e vërtetë që kam qëndruar non stop për 90 ditë në të ashtuquajturën Çadër e Lirisë. Nga natyra jam opozitar dhe këtë e kam shprehur në mënyrë konstante gjatë gjithë jetës time. Qenia ime si opozitar i ka rrënjët thellë tek origjina ime. Dua t’iu kujtoj se jam shkodran, nga qyteti i demokracisë dhe lirisë. Shpirtin tim opozitar e kam paguar mjaft shtrenjtë : dy dënime për riedukim në epokën e Shokut Enver dhe katër pushime nga puna për arsye politike në periudhën 1991 – 2005. Prej 35 vite ushtroj profesionin fisnik të profesorit të universitetit dhe tërë jetën time nuk kam pasur asnjë funksion politik apo shtetëror. Kam përshtypjen që edhe kur ka qenë PD në pushtet, unë kam qenë në opozitë. Pra nuk bëj pjesë as në grupin e senatorëve të vjetër apo të rinj të PD. Kam qenë themelues i PD, profesori i lëvizjes studentore të ’90-s, organizator dhe pjesëmarrës i grevës historike të urisë të studentëve dhe pedagogëve (Shkurt ’91), arrestuar në revoltën popullore të 14 Shtatorit 1998 dhe pjesëmarrës aktiv në të gjitha aksionet e opozitës shqiptare. Me naivitet mendova se pas një periudhe të gjatë platonike të dashurisë në distancë midis pozitës dhe opozitës, më në fund erdhi moment i shumëpritur. Shpërthimi i shpirtit opozitar me anë të një lëvizje të mirëfilltë popullore. Ishte moment kulmor kur mungonin institucionet e lira, atëherë, si rrjedhojë erdhi revolta popullore. Në fakt protesta e 18 shkurtit shënoi një rekord pjesëmarrjeje në historinë e protestave në këto njëzet e shtatë vite demokraci dhe pluralizëm. Ngritja e një çadre në bulevard do të shfaqte simbolikën e një tempulli të lirisë, ku çdo ditë u bashkuan qindra edhe mijëra qytetarë, për të dhënë kontributin e tyre me pjesëmarrje dhe duke komunikuar nëpërmjet mikrofonit mendimin e tyre, sepse këto lloj mundësish të dhurojnë tempujt e lirisë: të drejtë fjale, të drejtë zgjedhjeje. Unë besova me naivitet në kauzën që ngriti opozita në atë çadër, besova për shumë arsye dhe një ndër kryesoret ishin vete argumentet e opozitës, akuzave për të inkriminuar në grupin parlamentar të mazhorances, të inkriminuar në administratë, kanabizimit të republikës edhe qarkullimit të parave të pista, akuza këto të vërtetuara katërcipërisht. Por shumë shpejtë e kuptova që thirrjet histerike të “liderit” të opozitës për “Qeveri Teknike” dhe “Republikë e Re” nuk ishin asgjë tjetër veç një falsitet, një mashtrim i paskrupullt. Urlatorizmat groteske të “liderit “ të opozitës : “Shpojini gomat, thyeni xhamat, goditini me grushta” e kthyen Çadrën e Lirisë në Tendën e Qypave. Këtë e kam shprehur dhe në statuset e përditshme që kam botuar në Facebook dhe në rrjete të tjera sociale. Me sinqeritet e pagëzova veten si Kryeqypi i Tendës së Qypave. Mendimi im është se Tenda e Qypave që filloi si një revoltë e madhe popullore nuk arriti të finalizohej si një lëvizje popullore. Finalizimi ishte marrëveshja e turpshme e 18 majit, nënshkrimi i kompromisit “historik” PD – PS. Pas një erotike të gjatë politike të dy liderëve dhe pas një qepallimi kolaboracionist të tyre, çdo sakrificë e dhjetëra mijëra qytetarëve shkoi në zero. Rezultati ishte : u pollën gjashtë kaskadorë si ministra dhe u shtynë një javë zgjedhjet! Bufatoria e radhës e lidershipit të opozitës! Turpi i “liderit” të opozitës u shpërblye me një humbje katastrofike në zgjedhjet e 25 Qershorit, turp për të cilin askush deri më sot nuk ka dhënë llogari. Sinqerisht nuk jam penduar aspak për naivitetin tim në pjesëmarrjen aktive në Tendën e Qypave, bile ju jap fjalën e nderit që pavarësisht se jam në moshë të thyer po të më lajmëronin për hapjen e ndonjë Tende të Re të Qypave, do të jem përsëri i pari në listë!
Profesor, Ju jeni një nga njerëzit e afërt të Partisë Demokratike në 27 vite të historisë të saj. E keni ndjekur në çdo hap. Tashmë jeni dëshmitar i një realiteti mjaft dramatik në selinë e PD. Vjen pas një humbje katastrofale me 25 Qershor, largimit të të vjetërve, konfliktet e mëdha për zgjedhjen e Kryetarit të PD, dhe se fundmi mospasja e një qëndrimi unik në votimin për Kryetarin e Kuvendit. Si e lexoni gjithë këtë kalvar humbjesh dhe përplasjesh?
Jam një njeri pa interesa kolltukësh dhe nuk kam frikë të shpreh mendimin tim mbi këtë problem kyç për demokracinë shqiptare. Më dhemb PD se aty është investimi më i madh i jetës time. Qëndrimin tim mbi situatën alarmante që ekziston aktualisht në PD e kam shprehur publikisht që më 20 Maj, 26 Qershor dhe do të vazhdoj ta shpreh në mënyrë konstante në çdo media të shkruar dhe vizive. Mendimi im i palëkundur është që Shqipëria është pa opozitë. Vendi ndodhet në demokraturë dhe po tenton drejt një diktature të re, një amalgame diktaturash moderne. Lidershipi i PD duhet urgjentisht të reagojë dhe të kuptoj se ku po e çon opozitën qëndrimi arrogant. Opozita ndodhet para një humnere me minus 230 000 vota, në një situatë flirti me pozitën, në një mungesë totale të orientimit moral, me një lidership të kamufluar. Për sa i përket largimit të të vjetërve mendoj se është vepruar në mënyrë selektive. Nuk kam ndërmend të bëj avokatinë e askujt sepse askush nga ata nuk ka bërë avokatinë time kur unë jam hedhur rrugëve dhe kam punuar dhe roje karburanti (kuptohet natën). Nëse me lejohet dua të bëj një paralelizëm: Jozefina Topalli dhe Genc Pollo. Znj. Topalli e njoh që në fëmijëri sepse jemi rritur në një rrugicë. Në këto kushte nuk mund të jap konsiderata për të se ndodhem në kushtet e konfliktit të interesit. Por askush nuk ma ndalon të shprehem për origjinën e saj. Një familje tradicionale fisnike shkodrane. Një familje me një histori të madhe. Të persekutuar në maksimum. E kam si tani parasysh skenën kur donim të hynim në Vlorë në ’97. Nuk e di nëse e mbani mend kur kësaj zonje i vunë automatikun në ballë? Ku ishte Z. Pollo në këto momente? Po luante nëpër kulisa me Valin, Ndokën, Shehin, Shehun e me karrigethyerit e FRD të famshme! Kush bëri opozitë frontale dhe reale në parlament? Kush i tregoi me gisht kriminelet në parlament? Kush ishte gjithmonë në krah të Berishës në çdo situatë serioze? Shikoni se me kë është zëvendësuar zonja në fjalë! Doni të dini mbi cilësinë e Shpurës Basha? Shikoni se ç’ndodhi në parlament në rastin e zgjedhjes të Kryetarit të Kuvendit! E turpshme! Tre deputetë të opozitës u shitën ditën për diell pa filluar parlamenti. Pa pikë turpi dolën komedianët e Shpurës Basha dhe deklaruan: na vodhën votat! Si u vodhën votat? Nën vëzhgimin e trupit diplomatik, në transmetimin direkt të 40 kanaleve televizive dhe në syrin e gjithë popullit? Me kë tallen këta bastarda? Me votën e popullit? Minimalisht kasnecët e opozitës që kemi dërguar në parlament duhet të mbanin qëndrimin që mbajti LSI dhe ambasadori amerikan. Një turp i rëndë për ata që uzurpuan dhe përdorën opozitën duke mashtruar me slogane të një partie që është ngritur mbi gjakun, dhembjet dhe idealet e atyre që u pushkatuan dhe u persekutuan nga komunizmi. Përkundrazi, Partia Demokratike sot më shumë se kurrë ngrihet mbi turpërimin apo talljen e shtresës me fisnike të shoqërisë shqiptare, të atyre që u masakruan nga komunizmi. Dhimbja do të na shoqërojë ne, siç do të shoqëroje hija e krimit, ata që e mbajtën në këmbë diktaturën, por edhe ata të cilët sot, sjellin në krye të vendit njerëzit e diktaturës. Kalvari i humbjeve periodike dhe përplasjeve në PD ka vetëm një regjisor dhe autor: Lulzim Basha. Ai është një njeri që në mënyrë konstante bën të kundërtën e asaj që thotë. Ai vuan nga Sindromi i Lapunovit. Nëse ai merr mundimin dhe e lexon këtë intervistë timen e këshilloj “liderin” të hape “Google” dhe të marrë masa urgjente për riparimin e situatës së tij mendore dhe morale. Në të kundërtën ai do të marrë në qafë veten, familjen e tij, vjehrrin dhe kunatin. Pa diskutim dhe shoqërinë shqiptare.
Si Ju duket qëndrimi i Z. Berisha me deklaratat e tij të fundit? Besoni se Z. Berisha nuk pasur “gisht” në hartimin e listave?
Qëndrimin e Z. Berisha e kam pritur me kohë. Megjithëse i vonuar, mendoj se konstatimi i tij ishte i dhimbshëm. I dhimbshëm për të dhe për këdo që do demokracinë. Mendimi im është se Z. Berisha e ka kuptuar më në fund se në dorë të kujt e ka lënë partinë dhe opozitën. Z. Berisha e kam takuar pesë herë në jetën time. Vetëm shtrëngime duarsh në tubime dhe në raste vdekjesh. Nuk kam pasur fatin e madh të ulem e të diskutoj me të e aq më tepër të jem bashkëpunëtor i afërt i tij. Me aq sa e njoh nga larg Z. Berisha kam përshtypjen se ai e ka kuptuar mjaft mirë situatën dhe do të japë kontributin e tij në ringritjen e PD dhe të opozitës shqiptare. Për sa i përket faktit, nëse ai ka gisht në hartimin e listës së Shpurës Basha, mendoj se këtë e dinë vetëm ata të dy. Koha është vërtetuesi më i mirë!
A duhej që Lideri historik të fliste para se kjo parti të përfundonte në gjendjen alarmante që është sot, pa vizion, pa stabilitet dhe pa drejtimin e duhur për të rigjetur veten?
Absolutisht po! Por edhe pse foli tani mendoj se nuk është gabim. Më mirë vonë se kurrë!
A duhej që Z. Basha të pastronte partinë nga të gjithë “veteranët” e saj?
Absolutisht jo! Roli i disa figurave të PD nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit. Për një nga këto figura sapo u shpreha me sipër. Në këtë operacion spastrimi mesa duket “lideri” i opozitës ka marrë mësime nga vepra e 4-të e Shokut Enver mbi teorinë e Zoi Fundos. Edhe nëse ky operacion spastrimi selektiv i “liderit” tonë Ju duket i drejtë, mendoj se paraprakisht duhej menduar se me kë do të përfaqësohej realisht opozita në parlament? Me djalin e Fahriut, me atë milionerin vlonjat, apo me të tjerë flugera politike si Nardi, Dule, Pollo, Shehi, Duka & Co që jam i sigurt që në rastin më të parë do të na tradhtojnë atje ne tempullin e padrejtësisë.
Për çfarë ka më shumë nevojë sot PD?
Publikisht është pranuar që PD është në krizë të thellë morale dhe integriteti. Lidershipi aktual i PD ka si parim bazë : mungesën e parimeve! Çdo demokrat e ndjen se kjo nuk është PD që duam. Pikërisht këtu qëndron madhështia e ortakut të Z. Basha në matrapazllëqet politike, e Z. Rama : ai e ka kuptuar se ky është momenti kur PD është më e dobët se kurrë dhe është e zhveshur totalisht nga çdo bindje, ide apo moral i djathtë dhe nxori asin nën mëngë : Ruci, Kryetar Kuvendi! Prisni, prisni se nuk keni parë gjë akoma!
Megjithëse jeni një nga themeluesit me konsekuentë dhe aktiv në këto 27 vite në të gjitha zhvillimet politike pse nuk jeni futur në politike?
Për politikën kam dëgjuar një aksiome të vjetër që për arsye etike nuk mund ta shpreh këtu. Pra në atë aksiomë bëhet fjalë për njerëzit që ndryshe thonë dhe ndryshe veprojnë. Unë e njoh veten. Nuk jam për atë profesion. Midis shumë e shumë të këqijave që kam, mendoj se kam edhe ndonjë të mirë. Një nga të mirat është që për mua mendimi është baras veprim. Kam preferuar të merrem me profesionin tim të nderuar të pedagogut dhe besoj se ia kam arritur qëllimit. Pavarësisht nga kjo në mënyrë shumë aktive por periferike kam dhënë kontributin tim maksimal në proceset e demokratizimit të vendit. Për mospërfshirjen time në politike ka pasur dhe keqdashje konstante nga liderët politike. Për këtë problem mendoj të perifrazoj të madhin Uinston Çërcill : “Nuk bëhesh dot i vlerësueshëm sepse do ti. Varet a duan të tjerët që ke mbi kokë”. Mesa duket ata që kam pasur mbi kokë kanë dashur që unë të rri aty ku jam. Edhe këtu ku jam e ndjej veten mjaft mirë. Më mjafton liria ime dhe nuk varem nga askush! Pikërisht për këtë arsye prindërit më kanë pagëzuar me emrin : Ilir!
Çfarë mund t’i këshilloni lidershipit aktual të Partisë Demokratike?
Lideshipi aktual duhet të kuptojë se vendi ndodhet pa opozitë. Lidershipi aktual duhet të reagojë në mënyrë urgjente në lidhje me krizën e thellë morale që mban siglën e PD. Jemi duke rrëshqitur drejt një diktature moderne. Ja vlen të kujtoj aksiomën e babait të revolucionit francez, të madhit Viktor Hygo : “Kur diktatura thërret, revolucioni është detyrë”! Shqiptarët duhet ta kuptojnë se shpëtimi i vendit dhe instalimi i demokracisë reale vjen nga një revolucion i vërtetë demokratik, nga një luftë frontale kundër sistemit antidemokratik të binomit Rama – Basha! “Liderit” aktual të opozitës i këshilloj të heqë dorë nga matrapazllëqet politike, nga mashtrimet patologjike dhe t’i hapë rrugën demokracisë reale që populli shqiptar të marrë frymë lirisht! Të heqë dorë nga koncesionet politike dhe ekonomike me pinjollët e komunizmit! Është koha që të mos kërkojë në Strasburg zhdëmtimin e miliona eurove të sarajeve të Vlorës, por të kërkojë zhdëmtimin ekonomik dhe politik të ish- pronarëve, një nga borxhet më të mëdha që PD i ka kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare! Është koha që të mos bëjë koncesione politike siç ndodhi në rastin e zgjedhjes të Kryetarit të Kuvendit, por të kërkojë zhdëmtimin moral, ekonomik dhe politik të ish të persekutuarve, shtresës më fisnike të shoqërisë shqiptare! Përfundimisht ka ardhur koha që duhet të kuptojmë se për sa kohë në krye të opozitës do të jetë një kryetar i zgjedhur me vota të vjedhura, Edi Rama do të jetë patriarku i Shqipërisë!/Alma Çuka/Telegraf/