Ismet Mehmeti: Farsa e zgjedhjeve të 25 qershorit
Farsë. Ky do të ishte etiketimi më i saktë i asaj që po ndodh në politikën shqiptare.
Një fushatë tragji-komike, për të qeshur dhe për të qarë, ku aktorët u ngjajnë dordolecëve nëpër ara që, nuk të trembin, por bëjnë vetëm për të qeshur. Si në komedinë e famshme “Tartufi”, të Molierit, të ndërtuar me 4 akte, ku personazhi kryesor i komedisë, një njeri i zakonshëm, shfaqet vetëm në aktin e tretë…Po cilët janë aktorët politikë të kësaj fushate tragjikomike?
Edi Rama.
Kryeminstri më i dështuar në historinë e pluralizmit, më i kontestuari, më i inkriminuari. Nëse po kërkon një mandat të dytë, kjo është sepse e ka më të lehtë të vijojë në rrugën e inkriminimit se sa të kthehet pas… Pa bilanc të qeverisjes se tij, pa nje projekt ekonomik për 4 vitet e ardhshem, me rekorde të frikshme kriminale, me bashkëpunëtorë të tij që kërkohen nga Interpoli, me kanabizimin e vendit (“institucion qe mbrohet nga shteti”) duke prodhuar miliona e miliarda euro të “strehuar” nëpër banka të largëta, pa projekt ekonomik, premtime apo asnjë garanci për të ardhmen. Me tuta e xhingla-mingla, me batuta e fjalor banal, me veprime e gjeste groteske (kujtoni spotin e policit) kërkon i vetëm timonin e qeverisjes pa pasur edhe patentën e shoferit të thjeshtë. A ka motiv më të arsyeshëm per 56% të shqiptarëve që duan të largohen? Si mund të udhëtojnë me nje shofer pa patentë?! Profan në ekonomi, i paditur në ligj dhe funksionimin e shtetit (i tha policisë, organ i depolotizuar me ligj, që pas pune të mbledhe vota për PS) Dhe, së fundi, si për t’i vënë kapak karrierës, sepse e di fort mirë që i ka ditët të numëruara, shan dhe fyen gazetarët me fjalët katund apo kazan mediatik!
Ilir Meta.
Në portale e rrjete sociale e në bisedat private, Rama etiketohet hajdut, por Ilir Meta si kryehajdut. A ka njeri në atë vend që mund të harrojë videon që panë miliona shqiptarë? Dhe a ka shqiptar që beson në “pafajësinë” e tij? Ish-kryeministri, ish-kryetari i Parlamentit që sapo dorëzoi mandatin e kryetarit të partisë për t’u zgjedhur President, Ilir Meta është fenomen që do të mbahet mend gjatë, ashtu si, flala vjen, Esad Pashe Toptani, apo njerëz të sërës së tij, sepse, tek e fundit, ai është produkt shqiptar. Ne e ngritëm, ne e mbajtëm, ne duhet ta rrëzojmë. Shqiptari vërtet është durimmadh, por kur cenohet në dinjitetin e vet nuk përton të shkojë deri në Ekuadorin e largët, në Panama, apo në Ishujt Komore, të kërkojë e të gjejë bashkëpunimin e organizatave partnere për t’i shkuar të vërtetës së hidhur deri në fund…Dhe populli thotë: Peri këputet kur hollohet, kurse zullumi kur trashet.
Lulzim Basha.
Për hir të së vërtetës ky, të paktën, vjen në zgjedhje me një projekt ekonomik, por për shkak të papjekurisë e të gafave të pafalshme është i pabesueshëm, askush nuk e dëgjon. Kujtoni spotin me selfije, apo shprehjet “Jam djali më i mirë” etj, etj, duke e bërë më qesharak se dy të parët. Por, gjithësesi, nuk janë këto që e penalizojne Lulzim Bashën. Nëse ai mendon se janë mbyllur rekordet e tij me drejtesinë që do të vijë nesër gabohet rëndë. E vërteta vonon, por nuk harron. Dhe do te vijë…
Ç’do të ndodhë pas 25 qershorit?
Situata duket e qetë. Pas zgjedhjeve do të fillojnë pazaret, bërrylat, llogaritjet, blerjet, shitjet (e premtimeve) dhe në fund do gjendet një “zgjidhje”, populli do të rikthehet në varferinë e tij, tanimë me nje qeveri të re. Ata (aktorët e komedisë tonë) do të mendojnë se ia hodhen edhe kësaj here. Dhe ky do të jetë gabimi i tyre fatal. Pikërisht atëhere do të fillojë rrebeshi. Lëvizja e emigrantëve po punon për ndryshimin. Ata nuk e kane “mëkatin” e qeverisjes, janë të emancipuar e të demokratizuar, të shkolluar e të punësuar në vendet e zhvilluara. Ata iu drejtuan ndërkombetarëve, organizatave partnere, kërkuan ndihmën e tyre. Dhe gjetën një gatishmëri shembullore. Bashkëatdhetarët tanë, brenda dhe jashtë vendit, na nxitën në këtë lëvizje. Dhe unë si qytetar shqiptar dua të vi në vendin tim e të gjej shtet, institucione, punonjës të administratës shtetërore në shërbim të qytetarit dhe jo banditë e dallkaukë që zyrën e shtetit e kujtojne pronë të tyren. Shqiptarët do ta marrin vetë në dorë fatin e tyre: Stop këtij trazicioni të gjatë e të mundimshem!
Stop korrupsionit galopant! Stop kriminalitetit politik! Stop emigrimit të pandalshëm të rinisë, gjakut të kombit! Prandaj iu themi bashkëatdhetarëve: Duroni edhe pak. Il meglio deve arrivare!
Ravenna, il 23.06.2017