Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa i kërkon Shqipërisë zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, do kthimin e eshtrave në Prishtinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në 19 vjetorin e vrasjes.

Duke folur për ish-kolonelin e vrarë në Shqipëri, ku ka lartësuar lart figurën e tij, Mustafa deklaroi se ka patur nderin që ta njohe personalisht Ahmet Krasniqin dhe vuri në pah personalitetin shumëdimensional.

“Si sot 19 vjet me parë, përjetova një prej ngjarjeve më të rënda në jetën time, pasi që me sytë e mi e pash të vrarë pabesisht, në mes të Tiranës, Kolonel Ahmet Krasniqin, Ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, njeriun që me vizion, me përkushtim kombëtar dhe me profesionalizëm të pashoq po e organizonte luftën për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e popullsisë në Kosovë”, ka thënë Mustafa në letrën e tij.

“Kam pas nderin e veçantë ta njoh personalisht Ahmetin, një personalitet që të bënte për vete, që rrezatonte dije shumëdimensionale, mirësi njerëzore, mençuri karakteristike dhe burrëri të trashëguar nga familja e tij atdhetare. Diapazoni i gjerë i dijes dhe potenciali intelektual e bënin atë personalitet frymëzues, cilësi që ai i vuri në shërbim të plotë të unifikimit dhe motivimit të të gjithë njerëzve në rrugën e shenjtë të lirisë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar gjithashtu se Kolonel Ahmet Krasniqi ishte strategu më i madh ushtarak i luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.

“Ai u vra pas shpine aty ku më së paku e priste dhe ende askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim të madh ndaj vendit. Shteti shqiptar duhet ta zbardhë sa më parë se kush e vrau Kolonel Ahmet Krasniqin. Ndërkaq, ne na mbetet që eshtrat e Kolonel Ahmet Krasniqit t’i varrosim në Prishtinë dhe që ai të përkujtohet përherë për kontributin kolosal për lirinë e vendit. Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës kombëtare të Kolonel Ahmet Krasniqit”, ka shkruar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë ende mbetet një mister.

Please follow and like us: