Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Bisedat me Lindën dhe miqtë kur numërohej kutia e fundit e votave

Edi Rama në librin e tij “Kurban” nuk mund të linte pa shkruar për ditën e fundit të numërimit të votave, që u ndoq në shtëpinë e çdo shqiptari. Me një stil të rrallë ai tregon pse kandidoi për herë të katërt në Tiranë, kush ishin njerëzit që i thanë mos të kandidonte dhe bisedat e tij me Linda Bashën.

 

Edi Rama

Linda më thotë se s’ka pse më trembet rrëfimi nga kostumi i shtatorit, as ideja e kthimit të tij në një libër për publikun e sotëm s’duhet të më shqetësojë për shkak të pazakonshmërisë së një qasjeje të tillë në të shkruarit e gjërave për dikë që merret me politikën e ditës mu në qendrën e arenës, ky rrëfim nisi në vetminë e të pëshpëriturit para një letre duke të parafytyruar jo si një ndër lexuesit e as duke të menduar si një zgjedhës, po si dëgjuesin intim të një historie të jetuar, ku unë s’isha thjesht dëshmitar i rrëmbyer nga rrjedha e ngjarjeve, po një aktor në rol kryesor me ndikimin a me pafuqinë time mbi ngjarjet, e kështu duhet të mbarojë sidoqoftë i shkruar fati i tij për shkak të politikës e të kuptimit të përgjithshëm për politikën që s’është s’e e ndihmojnë leximin e shprehjes së sinqertë të vetvetes me paragjykimet e kallëpet e parafabrikuara, përmes të cilave ti që po më ndjek s’ke aspak faj të më gjykosh, edhe në qofsh një dashamirës i parezervuar në pranimin e qenies sime publike, jo më një lexues i ardhur deri këtu me skepticizmin e mbartur qysh në nisje, a lëre pastaj një kurioz i motivuar për të gjetur të pathënat, të lënat përgjysmë, të thënat zdrënkthi apo hiletë e gënjeshtrat.

Po cilidoqofsh, s’je ti që ma tremb rrëfimin, paçka se gjaku i kurbanit në derën e Bashkisë së Tiranës është kthyer tanimë në cifla të murrme ndryshku mi gurët e bardhë e vlaga e dhimbjes therëse është ftohur prej të nxehtit të dalë fjalë pas fjale, është zhurma e hapave që po afrohen me përllogaritjet e arsyes politike që ma tërheq hera-herës vëmendjen e më luhat gjuhën deri këtu të çlirët prej premtimit të faqeve të para.

 

Afrimi i ditës së botimit të gjithë sa të kam thënë e mbetet ende të të them më kujton orën kur piktura zhvishet para syve të tjerë pasi është veshur prej syve të tut ë vetëm me tërë sa ke mundur t’i japësh nga vetja dhe pasiguria nis e të cek shpirtin, ndjenja e lakuriqësisë së dobësisë tënde të mundshme fillon e të prek mendjen, e panjohura e gjykimit të tjetrit shtrin valë-valë ngurrimin e brendshëm dhe konteksti i jetës sime në arenë e bën, nën ndikimin e zhurmës së atyre hapave, ora orës më të palexueshme për mua hapësirën e ndërmjetme që ky libër do të duhej të gjente në këndvështrimin e lexuesit që më njeh si politikan, si kryetarin e opozitës, si njeriun që nesër mund të jetë kryeministër i Shqipërisë, e nuk e di sa të mundur e ka të më lexojë i patrazuar kështu si jam para teje, pa kostumin tradicional të komunikimit politik, jashtë skenës ku ekspozohet qenia politike, përtej kuadrit të marrëdhënies së normuar mes publikut e politikanit.

 

E çmoj mbi të gjithë zërin e Lindës dhe i besoj kur më thotë ndiq atë që të thotë zemra duke e pyetur mendjen jo nëse duhet të ndjekësh zemrën, po vetëm si duhet ta ndjekësh për të bërë me zemër gjënë e duhur, e kjo më ndihmon sa asgjë tjetër sepse jeta për mua vlen të jetohet vetëm në pjesën kur zemra s’është peng i frikërave e ngurrimeve që krijon mendja dhe mendja më thotë se vetëm kështu gabimet mund të jetohen më lehtë e rruga mund të shihet më mirë pavarësisht pasojave të gabimeve të zemrës apo gjykimeve të gabuara të të tjerëve mbi punët e gjërat e bëra me zemër.

Ishte një vendim zemre ai i kandidimit për Bashkinë e Tiranës herën e katërt, mendja thoshte së shumti të kundërtën, përllogaritjet e arsyes politike pa dyshim ndihmonin mendjen jo zemrën e lidhur fort me projektin e Tiranës, me ëndrrën e pambaruar e idetë ende të parealizuara, me pengjet e shpirtit për gjërat e pabëra realitet në rrugëtimin e penguar gjithnjë e më shumë nga përballjet e vështira me kundërshtarë të verbuar prej paaftësisë, mërive, zilive apo keqdashjes së shpërthyer deri në urrejtje civile gjatë viteve të fundit, me frikën e madhe të devijimit regresiv nga rruga e hapur e së ardhmes. Me njerëzit sidomos, që më shihnin në sy e më kërkonin ta udhëhiqja unë betejën, duke shprehur frikë prej lugatërisë së mbledhur në aleancën e paranë më të madhe të bërë bashkë ndonjëherë për një fushatë elektorale shqiptare, pakrahasimisht më të madhe se sa në shtegun e vështirë të vitit 2007, po edhe sigurisë së vetëm me mua në krye të betejës për Tiranën do të zmbrapsej lumi i së keqes që ishte ngjyrosur me gjakun e pafajshëm të bulevardit në 21 janar e fryrë trupën zgjedhore të kryeqytetit.

S’më lëkundte frika e tyre për të parën, po bindja e tyre për të dytën, s’e dyshoja asnjë çast fitoren time, sondazhet tona, ishin të qarta për avantazhin tim me kanakarin e Saliut e të Partisë Socialiste me partinë e tij, por i druhesha shumë psikozës së humbjes së terrenit që mund të krijohej në elektoratin tonë nga moskandidimi im e vendosja e një figure tjetër brenda rrethit të fituesve e pasuesve të mundshëm të stafetës së projektit tonë për Tiranën Europiane, rënies morale të strukturave elektorale nën tamtamet e propagandës së kampit kundërshtar të luftës së gjithanshme me mendimin se unë u tërhoqa ngaqë i trembesha humbjes, boshllëqeve që mund t’i krijoheshin kandidatit pasues. Edhe sondazhet e ndikonin shumë këtë merak me të dhënat e tyre ku një pjesë jo e vogël e lexonte versionin e moskandidimit tim si shtysë për abstenim.

 

Asnjëherë s’kemi për ta marrë vesh çfarë do të ndodhte nëse Aleanca për të Ardhmen do të paraqitej në garë në e 8 majit në Tiranë me një kandidatë tjetër, kush mendonte se beteja do të kthehej në Vaterlonë time, disa miq të mitë të afërt ngulmonin se ashtu do të ndodhte e unë s’do t’ia dilja pikërisht sepse kthimi i zgjedhjeve të 8 majit në një përplasje frontale politike që na dha një fitore të madhe në gjithë Shqipërinë që paguan taksa, do të akumulonte sasinë më të paparë të energjive negative kundër meje në Tiranë, Koço Kokëdhima e Ndre Legisi ishin më këmbëngulësit në këtë drejtim, ata e disa të tjerë pranë meje në parti thoshin se kjo s’qe beteja ime, unë duhej të fokusohesha në udhëheqjen e betejës kombëtare e të programoja më pas, i çliruar nga barra e bashkisë, fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme, edhe sikur ta humbitnim Tiranën me dikë tjetër s’do të qe faturë politike për mua e me rradhë, kishte një zinxhir arsyetimi të shëndoshë që realiteti e provoi plotësisht të bazuar, por megjithatë Tirana nuk u bë në fund fare Vaterloja ime po fitorja e Pirros për Saliun.

 

Lumi i së keqes ngeli 10 vota para derës së Bashkisë së Tiranës pas përballjes më të pabarabartë elektorale që unë vetë kam parë, me shtetin e transformuar në një makineri zgjedhore në shkelje flagrante të ligjit, të lirive e të drejtave kushtetuese të dhjetëramijëra qytetarëve, e cila ekzekutoi një plan pushtimi kriminal të bashkisë përmes një manipulimi në front të gjerë, duke nisur nga dosjet e dokumenteve zgjedhore të të gjitha kutive të votimit në kryeqytet gjatë zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009, që Arben Ristani, xhepisti dandy i Saliut në krye të KQZ-së, i fotokopjoi në shkelje të plotë të ligjit e ia dorëzoi shtabit të pushtimit, për të nxjerrë emër për emër ata që kishin votuar si edhe ata që s’kishin marrë pjesë, sidomos emigrantët, në emër të të cilëve u printuan karta identiteti të falsifikuara me fotografi të mercenarëve që pushtuesit e rinj angazhuan më pas nga brenda e nga jashtë kufijve të Shqipërisë për të votuar me herë nëpër Tiranë më 8 maj, duke vazhduar me transferimet e votuesve nga të tjera zona elektorale të vendit, punë e organizuar prej kanakarit të Saliut qyshse u ul në karrigen e ministrit të Brendshëm dhe e pasosur edhe matanë afatit 60 ditor të Kodit Zgjedhor me njerëz që s’banuan asnjë ditë në kryeqytet, po u regjistruan si banorë nëpër adresa garazhesh, deposh, magazinash, shkollash, ambulancash, apo thjesht në shtëpi ku banonin të tjerë pa asnjë lidhje me ta, duke prodhuar fletë votimi të falsifikuara që hynë me sasira ndikuese nëpër kuti e që nxorën më pas nga kutitë shumë më shumë vota sesa numri i zgjedhësve pjesëmarrës, duke shpërndarë para lumë për t’u blerë kartat e identitetit varfanjakëve nga xhepi apo nga mendja e shpirti dhe trysnuar egërsisht bizneset për të mbledhur kartat e të pakënaqurve ndaj regjimit me lekë a me fuqi detyruese në këmbim të të lënit rehat nga xhandarmëria financiare e Ridvan Bodes ode duke detyruar gjithë nënpunësit e dyshuar të administratës shtetërore të dorëzonin kartën e tyre të identitetit në zyrat e shefave fanatikë të personelit, duke sulur drejtorët militantë apo frikacakë të shkollave të mesme mbi të gjithë votuesit e parë për t’i vënë në rresht për një kohë si në kohën e Enverit, po me kërcënime mafioze për t’u marrë votën duke u treguar pasojën mbi notën e mbi provimet në rast se zbuloheshin si bashkëpuntorë të armikut, duke e bërë policinë repart zgjedhor me presione e shantazhe mbi policët e thjeshtë për t’ua lexuar votën e me harta elektorale mbi tavolinat e zyrave të ca komisarëve gangsterë, si ai famëkeqi që pas pushtimit u gradua kaporal i forcave të policisë bashkiake, apo si një dallaveraxhi prepotent në zonën e Kombinatit, që ka një histori të zezë përfshirjesh të uniformës blu në betejat zgjedhore, duke punësuar deri në ditën e pushtimit me qindra njerëz në spitale e në ndërmarrjet shtetërore për t’u marrë njerëzve përmes rrogës së përkohshme votën me gjithë familje e për t’i rihedhur në rrugë të nesërmen si të qenë letra higjienike, duke shpërndarë pa kurs mësimi patenta automjetesh për kalamaj periferish që votonin për herë të parë, po s’e ndiqnin shkollën e s’kishin si i vinin në rresht me hakërrima drejtorësh, dhe duke e futur paranë e përftuar nga korrupsioni në shërbim të blerjes së votave të fukarenjve, romëve, të papunë, familjeve në nevojë e në deziluzion, duke lëshuar lagjeve kriminelë e çeta ordinerësh me precedentë penalë për të intimiduar komunitete votuesish të opozitës me akte e fjalë paralajmëruese të shfryra prej fytyrash të murrëtyera e kurajës së marrë nga shtabi qeveritar i luftës, duke i nxjerrë jashtë ligjit të burgosurit nga qelitë për t’i çuar me policë nëpër qendra votimi që të shprehnin vullnetin, sa të kontrolluar nga gardianët për votën aq edhe shqetësues për rashat e votuesve, duke dyndur në orët e vona për të votuar matanë orarit ligjor për herën e kushedisesatë masat qarkulluese të të ardhurve me identitete të rreme e vënë deputetë e prototipa mos mirësjelljeje në lagje të pengonin me pahir mbylljen e qendrave të votimit, duke ushtruar presione të pandalshme për ditë e net me rradhë në qendrat e numërimit e sajuar bllokime pas bllokimesh të qendrave për të marrë zvarrë procesin në kërkim të shtigjeve të manipulimit dhe duke luajtur me nervat e një populli të tërë përmes fabrikimit të trajektores së rezultateve të numërimit në qendrën e përpunimit të të dhënave në KQZ.

 

E megjithatë e humbën. Që të gjithë bashkë.

 

U ndalën të ngrirë prej dorës së popullit kryeqytetas në distancën e vetëm një frymëmarrjeje të thellë nga pragu i ëndërruar njëmbëdhjetë vjet, si një makth i pandashëm që në rrokullimën e viteve fryu e fryu lumin e së keqes me gjithfarë prurjesh nga tërë përrenjtë malorë, rrëketë e ultësirave, kanalet e mbidheshme e nëntokësore, pellgjet urbane, çezmat, jazet, fuçitë, dushet, bidonët, gjymat, sapllakët e xhezvet e politikës së vjetër, dhe mbi 10 vota larg. Mbetën në dekikun e fundit pas gjashtë vjetësh rrethimi të shtrënguar e shtrënguar përmes shkatërrimesh, dëmesh, paudhësish, në thërrimen e fundit, pas gllabërimit të një sille të tërë ndyrësish ku tretën avantazhin e vërtetë, diferencën reale, murin e pakapërcyeshëm të votave që i ndante prej nesh, njësoj siç i ka ndarë historikisht, në milimetrin e fundit të një rruge të përshkruar me dhunë, uri, harbutëri të pashoqe. Një mik më mori në telefon e më tha: ”Kur numërohej kutia e fundit, s’munda më dhe dola në ballkon. Kisha njëzet vjet pa dëgjuar zogjtë në Tiranë. Vetëm cicërima e tyre kishte mbetur në rrugë. Asnjë lëvizje tjetër. Gjithë dynjaja duke numëruar vota”.

Please follow and like us: