Albspirit

Media/News/Publishing

Sherefedin SHEHU: Reforma Zgjedhore duhet të fillojë brenda partive

Të gjitha partitë dhe sidomos ato që na përfaqësojnë në Parlament po i ankohen njëra tjetrës për zgjedhje të padrejta, të pabarabarta dhe të pandershme. Të 3 partitë e mëdha parlamentare janë vënë në garë për të treguar “virgjërinë” e tyre për zgjedhjet e njollosura dhe shqetësimin e madh për zgjedhje të vërteta. Megjithatë është mirë që po flitet në kohë për një sistem zgjedhjesh të besueshme dhe të shpresojmë që reforma nuk do të shtyhet për në muajin e fundit të mandatit siç ka ndodhur gjatë këtyre 26 viteve.

Por, unë dyshoj në seriozitetin e Kryetarëve të partive, mbasi reforma zgjedhore është më e nevojshme për zgjedhjet në parti. Rama u zgjodh Kryetar i PS-së në 2005-ën me pazare, u vetë-emërua në 2009-ën, nuk bëri fare zgjedhje në 2013-ën dhe me durtrokitjet e forta të kongresmenëve të tij mori vendimin për të mos bërë më zgjedhje në Parti. Basha humbi thellë në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës dhe nuk guxoi të dorëhiqej, ndërkohë arriti një fitore të thellë në parti, vetëm 1 muaj pas një humbje të thellë. Ndërsa LSI i emëron kryetarët e saj dhe vetëm brenda anëtarëve të familjes biologjike. Kështu bëjnë edhe kryetarët e partiçkave të tjera të cilët as nuk marrin mundimin të bëjnë zgjedhje.

Unë mendoj se më parë duhen demokratizuar partitë dhe më pas është me lehtë të demokratizohet shoqëria. Basha tha se problemi është politika, por për të reformuar politikën duhet filluar nga kryetarët e partive që sillen si pronarë të tyre dhe që janë të vetmit që prodhojnë politikë. Hapi i parë është që Kryetarët të zgjidhen dhe jo të emërohen nga strukturat e partisë të kontrolluara prej tyre. Më pas, nëse humbin zgjedhjet apo marrin një votë më pak se në zgjedhjet e mëparshme, Kryetarët e partive të marrin mbi vete përgjegjësitë dhe të dorëhiqen. Kryetarët e partive të kenë pushtet ekzekutiv, por të mos kenë mundësi për pazare me listat e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie apo drejtorë tenderash dhe allishverishesh. Asambletë dhe kuvendet e partive të funksionojnë si trupa legjislative, të mblidhen sistematikisht dhe jo vetëm kur i duhen kryetarit, dhe vendimet më të rëndësishme të merren prej tyre. Anëtarët e legjislativit të partisë të mos jenë të preferuarit e Kryetarit por të kenë karrierë të shquar politike dhe të përfaqësojnë anëtarësinë gjeografikisht. Partitë të kenë gjykatën e tyre, e cila të mund të vihet në lëvizje edhe nga një anëtar i thjeshtë i partisë.  Në raport me gjykatën, edhe Kryetari duhet të ketë fuqinë e një anëtari të thjeshtë dhe vendimet e gjykatës të jenë të detyrueshme edhe për legjislativin e partisë.

Please follow and like us: