Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Kuka: Ligji dhe shteti si armiq

Për 27 vjet, ky popull u la të shkrinte kursimet e djersës së ballit në banesa e shitore!
U la nga një shtet që quhej i tij, që si një prind apo vëlla i madh duhej t’i tregonte rrugën e drejtë, jo ta fuste në rrugë pa krye, sikur të ishte më i keqi i njerkëve!
Ashtu siç u la të humbiste miliona në firmat piramidale, siç u la me pagesën e energjisë elektrike e shumë të tjera!
Për 27 vjet, ligjet për dëmshpërblimin u hartuan dhe miratuan sipas interesit të këtij shteti, më keq se njerk, më zi edhe sesa përpara 1990-ës kur të jepeshin lekë vetëm për pemët dhe të jepej një apartament edhe për një shtëpi dykatëshe!
Sot, nuk e kanë për gjë, të të lenë në rrugë, të të shtyjnë në varfërinë më të madhe dhe në vagabondazhin më të turpshëm, dhe pastaj të nxjerrin ligje kundër vagabondazhit, si dikur në kohën e tmerrshme të gardhimeve në Angli, në shekullin e 15-të!
Në 27 vjet, kurrë nuk u dënua një zyrtar që mbushi xhepin me kursimet e popullit të tij, por lotët dhe dhimbja i takuan vetëm njeriut të thjeshtë, që nga gracka e futën në sherr me vetveten!
Nëse me familjet e Shkozës do të ishin bashkuar mijëra njerëz, siç ishin të bashkuar në dhjetor 1990, asnjë shtet në botë nuk do të guxonte të prishte shtëpi!
Njerëz, duhet të jemi ne që të hartojmë ligjet dhe të vëzhgojmë zbatimin e tyre, askush tjetër nuk mund ta mbrojë interesin tonë, në emrin tonë!

Please follow and like us: