19 maj, viti 1947. Duhet të ketë qenë një ditë e gëzueshme e plot gjallëri e asaj pragvere, në ato kohë të brishta paslufte! Prokuroria Publike e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë lëshoi një letër-ndalim të përhershëm. Një intelektual pogradecar, asokohe 41 vjeç, “pandehej për deliktin ‘Faje Penale kundra Popullit dhe Shtetit”. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës urdhëronte ndalimin për një kohë të pacaktuar dhe mbylljen e tij në burgun e armiqve të popullit….Këtu do të fillonte zyrtarisht kalvari i gjatë i vuajtjeve të shkrimtarit pogradecar, Mitrush Kuteli. Aty do t’i pritej në mes krijimtaria letrare. Hetimi ndaj tij zgjati që nga 19 maji i 1947-ës e deri më 20 maj të 1948-ës, datë kur Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin e formës së prerë. “Milosao” zbardh të plotë dosjen gjyqësore të Mitrush Kutelit. Kjo botohet falë ndihmës së studiuesit Behar Gjoka, i cili ka mundur ta sigurojë atë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Në këtë dosje që botohet për herë të parë, shihen qartë akuzat e bëra nga shteti komunist përgjatë hetimit 1-vjeçar ndaj shkrimtarit. Duhet thënë se një pjesë e dokumenteve që janë pjesë e dosjes gjyqësore është e pamundur të lexohen, megjithatë, pjesa më e madhe e saj është e qartë dhe të vë përpara dëshmie të një gjyqi komunist. Dhimitër Pasko u akuzua nga prokurorët e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, se ka qenë anëtar i organizatës “Roja e Hekurt” në Rumani dhe se në vitin 1941 ka qenë ushtar në Bashkimin Sovjetik. Më tej sipas hetuesve, më 1942-in ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me fashistë, nazistë e ballistë, kundra Pushtetit Popullor…Pyetjet ndaj tij janë tepër provokuese, e herë-herë edhe imponuese, megjithatë, Kuteli ka ditur t’iu bëjë ballë herë duke iu shmangur e herë duke bërë “të paditurin” e “të pafajshmin”. Më poshtë po paraqesim pjesë të dosjes, që nga pyetësori, akuzat, pretencën dhe vendimin mbi dënimin, ashtu sikundër dhe disa fjalë nga e bija, Atalanta Pasko dhe studiuesi Behar Gjoka./Fatmira Nikolli
———————————————————————————
Vdekje fashizmit – Liri Popullit!
Punue në Sek. Sig. Shtetit Qyt.Tiranë, më datën 28/ II/ 1948, n’orën 1.30 para dite.
Procesverbal
I mbajtur kundra Dhimitër Paskos (Mitrush Kuteli) i biri i të ndierve Pandi e Poles, vjeç 41, i martuem Efterpi Skëndi, pa fëmijë, profesioni shkrimtar, rrjedh nga nji shtresë e mesme qytetare, i paproceduem, i padënuem, kombësija babanë vlleh Rumun dhe nënën shqiptare, shtetësia shqiptare, i cili deklaron sa më poshtë.
Shkollën fillore e kam bërë në Pogradec, të mesmen tregtare në Selanik, universitetin në Bukuresht në 1934, ku kam marrë doktor në shkenca ekonomike. Si mbarova shkollën, kam punuar në Bukuresht në një depo venash, kam punuar gjith’ashtu në gazetën ‘Shqipërija e Re’ që dilte në Kostancë. Mandej në zyrën e studimeve të Financës dhe në kreditin industrial. Në Shqipëni jam kthyer më 1942 dhe hyra si drejtor administrator, të drejtë firme në S.A.S.T.E.B. për një vit, por u largova mbasi dhashë dorëheqjen të pestin muaj. Mandej hyra në Bangën Kombëtare deri më gjashtë tetor 1944, datë që u arratisa dhe shkova në Berat pranë Ministrisë së Financavet. Kur u këtheva në Tiranë hyra në Bankë deri në Gusht 1946 dhe prej asaj date deri sa u arrestova kam punuar për Institutin e studimeve.
Pyetje: Ke qenë ti antar i “Rojes së hekurt” në Rumani?
Përgjigje: Kam qenë simpathizues i kësaj organizate, për nji kohë të shkurtër, por antar jo.
Pyetje: Pse e simpathizonje këtë lëvizje fashiste?
Përgjigje: E simpathizonja për parullat e saja Socialiste, si p.sh. puna është nder dhe lipset të jetë baza e jetës, zhvillimi i Kooperativave, puna vullnetare me krah e intelektualëve etj., të cilat shof sot se i kishin marrë nga komunizmi dhe i kishin përfetësuar.
Pyetje: Ishte socialiste kjo lëvizje sipas mendimit tënd?
Përgjigje: At’herë besonja se po, sot kuptoj se jo.
Pyetje: Kishte lidhje me Gjermanët kjo organizatë dhe e dinje ti nji gjë të tillë?
Përgjigje: Nuk e dinja, por më vonë e mora vesh se kishte lidhje.
Pyetje: Dinje gjë ti at’here për Bashkimin S. dhe ç’farë mendimi kishe për këtë shtet?
Përgjigje: Gjë të sigurt nuk dinja, libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi mbrendëshëm (rumun) që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdoresh për keq.
Pyetje: Nga këto del që ti ke qënë fashist i vjetër, antar i “Rojes së hekurt”, prandaj fol drejt?
Përgjigje: Nuk kam qënë fashist, por nji socialist i trubulltë, pa gjetë vijën e caktume.
Pyetje: Ti kishe të gjtiha mundësitë me kuptue të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol?
Përgjigje: Universiteti ishte shumë anshëm dhe nuk jipte mundësi të orjentohemi dhe për strukturën ekonomike, për punë që zhvilloheshin (në B.S.) nuk flitesh fare, ose kur flitesh e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin n’universitet.
Pyetje: Domethënë ti je rrit me tendenca reaksionare?
Përgjigje: Dëshira e jeme ka qenë gjithmonë gjetja e nji rruge për drejtësi shoqënore. Ambjenti ishte konfuz, reaksionar, unë mbeta i dizorjentuar.
Pyetje: Ke qënë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941?
Përgjigje: Jo nuk kam qënë dhe as që mendonja, por më muarën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, mbasi ndjenja se lufta që bëhej ishte e pa drejtë, agresive. Atje kam qëndruar dy muaj e gjysëm dhe punonja si sekretar i II-të dhe me anën e Bankës u lirova, mbasi kërkova vetë nji gjë të tillë.
Pyetje: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët autoritete je takuar?
Përgjigje: Jam këthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-president i S.A.S.T.E.B.-it dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në S.A.S.T.E.B dhe sikur e kam thënë, qëndrova pesë muaj megjithë se kontratoja ishte për një vit dhashë dorëheqjen dhe mbasi kapitulloi Italia kam punuar në Bankën Kombëtare.
Pyetje: Puna që ke bërë ti ka qenë nëshërbim t’okupatorëve?
Përgjigja: Unë kam menduar si kundra okupatorit, për me mos u dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që epte qeverija, për të sigurue reservën e për të mos emetuar monedhë të re.
Pyetje: D.m.th, e paske paralizue aparatin e shtetit nazi-fashist?
Përgjigje: Po e kam sobotuar.
Pyetje: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanve?
Përgjigjja: Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letra, në gazetën “Bashkimi i Kombit”, kjo ishte e qeverisë, por artikujt e mij ishin kritikë kundra qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.
Pyetje: Si të linin ty të shkruaje kundra qeverisë si spektator, kurse e vërteta është se ti ke qënë bashkëpunëtor i “Bashkimit të Kombit” dhe qeverisë kuislinge?
Përgjigje: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallej, kishte anarshi. Tash titujt nuk me kujtohen, por ishin mbi financën, kundra shpenzimeve të kota që kalonin në mundësinë e shpenzimeve të kota që kalonin në mundësitë financiare të vëndit.
Pyetje: Mbas çlirimit, ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banga ?
Përgjigje: Kam punuar në bangë dhe ika se kam qënë i sëmurë, nervostenik dhe mandej kam punuar nja dy muaj për pregatitjen e programit të studimit të folklorit n’Institutin Pedagogjik.
Pyetje: Ç’marrëdhënie ke me pas me Kol Kuqalin?
Përgjigje: Ato që rrithnin nga detyra si antar administrativ në bangë.
Pyetje: Je takuar shpesh me të lart–përmëndurin?
Përgjigje: Në bankë kur ishte po, mandej kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtnat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur ke shtëpija eme një herë për shënime dhe për urime martese. Kur erdhi me tha se nuk jam nisë direkt për ke ty, por mbasi isha në nji shtëpi këtu afër u ktheva për urime.
Pyetje: Tjetër herë ke qenë në shtëpi të tij?
Përgjigje: Po kam qënë për të bërë bibliografinë e librave të reja që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947, për këtë punë kam qënë edhe në komunitetin mysliman dhe atë orthohkos në depot e librave etj.
Pyetje: Takoheshe me Kolën ndonjiherë tjetër e ç’farë bisedonit?
Përgjigje: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe pyesnje shpesh për të birin që i kishte vdek, mbasi donja të shkruanja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkonja punë dhe kishte shpresë që do të gjan por ai thoshte me ironi se ty nuk të jap punë.
Pyetje: Flite ndonji herë kundra pushtetit ose tregohesh i pakënaqur Kola?
Përgjigje: Me mua nuk bisedonte ndonji kundra, por ai vetë dukesh i ftohtë.
Pyetje: Po Kost Boshnjakun prej sa kohe e njef dhe ç’biseda ke pas me ‘të?
Përgjigje: Kost Boshnjakun e njof qysh në Rumani me 1931-32 dhe shkruanim në gazetën “Shqipërija e Re” në Kostancë e mandej jam takuar me ‘të Prisk, kur u arratisa Tetor 1944 dhe më von në Tiranë.
Pyetje: Sa herë ke qënë ke shtëpija e të nalt-përmendurit?
Përgjigje: Kam qënë nja dy herë. Nji her kam qënë për të marrë firmën e Milancit bankës dhe nji herë tjetër për të takue me nji plak nga Ballkameni i Fëllërinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por mensi plaku at ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun hyna ke Kosta dhe qëndrova nja gjysëm ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.
Pyetje: Tjetër herë je takuar me të ?
Përgjigje: Jam takuar pranë Librarisë dhe kishte në dorë Revistën Krediti dhe tha në, se e kisha këndue një artikull që thoshte diçka mbi disa antarë t’ish këshillit administrativ se ata donin thoshte artikulli që me anën e bankës të mirnin … në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem se Ministri Financës na falnderoi kur duallmë nga Këshilli për punën e zhvilluar në bankë dhe qeshi me çudi.
Pyetje: Ç’ke biseduar me ‘të kundra pushtetit, sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kost Boshnjakun e Kol Kuqalin, prandaj fol drejt?
Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova, as me të parin, as me të dytin.
Sa u tha më sipër, janë të vërteta dhe mbasi u lexua fjalë për fjalë, i firmoj me vullnet të lirë.
Hetuesi
Kapiten’i I-ë
“Beqir Ndou”
I pandehuri
“Dhimitër Pasko”
Përfunduar në orën 1 paradite të datës 1.III. 1948
Më poshtë po japim aktakuzën me të cilën filloi gjykimi ndaj Mitrush Kutelit në vitin 1946. Në këtë akt-akuzë, prokurori ushtarak Petrit Hakani, duke dhënë ato që ai i quan krime, thotë se ato çka Dhimitër Pasko ka bërë, janë faje penale kundra popullit e për këtë faj ai duhet të dënohet …
Republika Popullore Shqipërisë
Prokurorija Ushtarake Garnizonit
NR.89 Rregj. Them.
V.F L.P
Tirane, me 2 prill 1948
AKT-AKUZE
Gjykatës Ushtarake të Garnizonit
KETU
Sikurse do të konstatohet dhe ngaqë proces-verbali përkatës që bashkangjitur ju sillet, i pandehuri DHIMITER PASKO (Mitrush Kuteli) i bir’i i Pandit dhe i Poles – vdekun, vjeç 41, me profesjon shkrimtar, i rreshtuare akuzohet se:
Ka qënë antari i organizatës fashiste ‘ROJA E HEKURT’ në Rumani, dhe më 1941 ka marrë pjesë vullnetarisht në luftën kundra Ushtrisë Kuqe. Në vitin 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuarë me fashistat si Dhimitër Beratin e tjerë, përkundra lëvizjes N.C. Në kohë t’okupacionit nazist, me artikujt në fletoren “Bashkimi i Kombit” ka shfryrë urrejtje kundra luftës N.C.
Me çlirimin e Shqipërisë, duke mos u shkëputur fare nga e kaluemja në shoqëni me Kost Boshnjakun e Kol Kuqalin, bashkëvepron kundra Pushtetit Popullor, aktivitet që e kryen me anë të propagandës e axhitacionit mer elementa anti–Pushtet.
Meqë vepra e tij formon faj dhe parashikohet prej nen._______-te ligjit nr.372 datë 12/XII/1946, mbi fajet penale kundra popullit e Shtetit, është parë e nevojshme të gjykohet.
Prandaj
Kërkoj të gjykohet dhe mbasi t’i provohet faji për të cilin akuzohet, në përfundim të vendoset dënimi i tij në bazë të Nen. ______të ligjit të sipërm.
Prokurori Ushtarak
Kapiten II-të: (PETRIT HAKANI)
Më poshtë është pretenca përmes së cilës prokurori ushtarak Petrit Hakani, duke treguar se është provuar fajësija e Kutelit përmes hetimeve kërkon dënim me 5 vite burg dhe konfiskim të të gjitha pasurive…
Pretence
Sh.Gjyqtare! I pandehuni DHIMITER PASHKO, si antari i organizatës fashiste Rumune “ROJA E HEKURTE” ka veprue aktivisht ne ndihme okupacionit Nazist dhe vendosmenija e tij per agresion e çon dhe vullnetar n’Ushtrinë mercenare Rumune kundra Ushtris së Kuqe ku luftoj gati një vit. Në Shtator të vitit 1942, kthehet në Shqipni ku me një herë emërohet nënpunës n’aparatin e shtetit fashist. Në kohën e okupacionit Nazist, ka shkrue një seri artikujsh në gazetën “Bashkimi i kombit” me anë të cilëve luftonte lëvizjen N.C dhe mundohej të mbillte përçarmje në elementat intelektuale.
Me cclirimin e Shqipnisë në shoqeni të ngushtë me Kol Kuqalin, Kost Boshnjakun ccfryn urrejtjen e tij kundra Pushtetit Popullor dhe kudo që ndodhet në rrethe elementash të njoftun çfaq mendimet e tija kundra reformave ekonomike dhe ligjeve të Pushtetit Popullor. Lufta e tretë botnore që popullarizon i pandehuni është … kryesore për të rrëzuare Pushtetin Popullor.
Fajsija e të pandehurit u provue nga deponimet e pjesëshme të tij dhe nga proces-verbali, e parashikueme prej Nen 8. të Ligjes Nr.372 datë 12\XII\1946 mbi fajet penale kundra popullit e Shtetit, në bazë të Nën. e ligjit të sipërm: kërkoj që të vendoset dënimi i tij me 5 vjet privim lirije dhe me konfiskim të pasurive të luejtshme e të paluejtshme ….
Tiranë, me 5 prill 1946
Prokurori Ushtarak
Kapiteni II-të: (Petrit Hakani)
AKUZE
DHIMITER PASKO (Mitrush Kuteli). Ka qenë antar i organizatës “Roja e Hekurt” në Rumani. Në 1941 ka qënë ushtar në Bashkimin Sovjetik si vullnetar. Më 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me fashistat si Dhimitër Berati etj. Me ardhjen e gjermanëve ka punuar në bankë edhe ka shkruar në gazetën “Bashkimi i Kombit”. Mbas çlirimit është përsëri në punë, por e ka braktisë tu ikë nga banga. Ka pasur lidhje me Kol Kuqalin dhe Kost Boshnjakun, me të cilët ka bashkëpunuar kundra Pushtetit Popullor. Takimet me të nalte-përmendurit i paraqet sikur gjoja ka shkuar me ta për folklore e bibliografi. Me këtë don me fshehë aktivitetin e tij kundra Pushtetit.
Vendimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake
“Të bëjë burg, por jo t’i konfiskohen pasuritë”
Një tjetër procesverbal është ai që mban datën 20 maj 1948, dhe është mbajtur nga Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i formuar prej majorit Niko Çeta kryetar; Kapiteni i I-rë Nexhat Hyseni, Kapiteni i II-të Vangjell Koçanit, të dy këta anëtarë të këtij këshilli. Pasi jep edhe njëherë informacionet se kush është Dhimitër Pasko, e se sa “faje ka bërë kundra popullit” thotë se është vendosur ndëshkimi me 5 vjet heqje lirie si edhe konfiskimi i pasurive te luajtshme e të paluajtshme. Më poshtë, sipas këtij këshilli rezultonte se Kuteli paskësh bërë “axhitacion e propagandë kundër Luftës Nacional Çlirimtare me qëllim që të përçante popullin dhe t’i bashkonte me organizatat terroriste balli Kombëtar e legaliteti”. Më tej, në këtë procesverabl shkruhet: “tue e marrë parasysh sa u tha më nalt Gjykata e Faktit e ka arsyetuar dhe bazuar në prova konkrete vendimin e saj, dhe dënimi i është dhënë në proporcion me fajin, vetëm se nuk duhesh të vendoste konfiskimin e pasurisë”. “Prandaj”, – thuhet në këtë procesverbal, “Për këto arsye, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të Neneve 10 dhe 17 Nr. 2 të Ligjit Nr. 300 datë 5/XII/1946, mbi organizimin dhe kompetencat e Gjykatave Ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e prokurorit, vendosi Aprovimin e vendimit Nr. 220 datë 7/IV/1948, të Gjykatës së Lartë Ushtarake të Tiranës, që përmban ndëshkimin e DHIMITËR PANDI PASHKOS, nga Poradeci, banues në Tiranë, me 5 (PESË) vjet privim lirie dhe punë të detyruar, pa konfiskimin e pasurisë së tij. Ky është vendim i premë. Tiranë më 20/V/1948”, përfundon vendimi.