Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Po të na i bënte i huaji, do kishte vajtur gjaku në bark të kalit…

 

  1. Dhjetëra ton qumësht pluhur importohen çdo muaj, thonë mediat. I sjellin kryesisht fabrikat e përpunimit të qumështit.

Deri më sot nuk më ka rastisur të blej qumësht, kos, djathë etj., që të mbajnë shënimin se janë përgatitur me qumësht pluhur. Jam i bindur se as juve nuk iu ka rastisur.

Me sa duket ato dhjetëra ton qumësht pluhur, që hyjnë në doganat tona dhe pastaj nuk u gjenden gjurmët, i hanë … pronarët e fabrikave. Mundet që diç, si puna e kockës, u hedhin edhe kontrollorëve të ushqimit…

2. Lënë mënjanë ironinë, siguria ushqimore në treg është në ditë të hallit. Në çdo vend normal prodhuesit e qumështit, kosit, djathit, gjizës dhe nënprodukteve të tjera do të shënonin nëse përdorin qumësht natyral apo pluhur qumështi. Mungesa e transparencës është terr dhe mban erë se, siç e thoshte dhe i pari: puna e natës – gazi i ditës.

Përderisa gjithçka bëhet tinëz askush nuk ka siguri nga vjen ky qumësht pluhur, në ç’kushte prodhohet, a prodhohet me qumësht natyral të kondensuar apo me kimikate etj. Bota i njeh mirë marifete të tilla. Mjafton të kujtojmë skandalin e qumështit me melaninë që, para disa vjetësh u bë shkak për lëngatën  e mijëra bebeve kineze dhe krijoi alarm në rrjetet botërore të tregtisë.  Ne, si konsumatorë, nuk na njoftojnë as përdorimin e këtij produkti, pa le më të na sigurojnë se është sagllam, se vjen nga lopa e jo nga marifete laboratoresh.

Por qumështi pluhur është vetëm maja e ajsbergut. Legjendat urbane flasin për verë të prodhuar me alkool e ngjyrues pa përdorur kokërr rrushi, për sallam të prodhuar me mish të pacertifikuar, për vaj palme që hyn me shumicë e s’dihet ku përdoret, për mish OMGJ që shitet sikur të ishte prej viçash lëndine, për bukë të prodhuar (ruajna zot) me miell të kontaminuar etj. Natyrisht legjendat janë legjenda, por lindin e përhapen nga mungesa e informacionit ose nga që organet kompetente, për njërën arsye ose tjetrën arsye, heshtin.

 3. Kur flet për qumështin pluhur, më shkruan një zonjë në Face Book, tregohesh shumë cinik. Poshtëron në grup gjithë kontrollorët e ushqimeve, i krahason me qentë që mbyllin sytë e s’bëjnë detyrën, se presin ndonjë kockë nga pronarët e fabrikave.

Ka edhe të tillë, shton zonja, por ka mes tyre edhe shumë njerëz të ndershëm e të ndërgjegjshëm. S’bën t’i futësh në një thes, të mirë e të liq. Dhe zonja ka të drejtë. Çdo njeri vlerësohet për atë që bën. E thotë dhe proverbi, çdo berr varet nga këmbët e veta.

E megjithatë, s’ka defter që i nxë e s’ka kandar që i mban dëmet që i kanë sjellë kësaj shoqërie dhe këtij vendi të pandërgjegjshmit nga radhët e kontrollorëve, supervizorëve, policëve, doganierëve, rojtarëve të pyjeve etj.

Pyje të tëra të prera, lumenj të gërryer për të marrë zhavorr, ndërtime që hanë tokën e bukës, pengojnë kullimin dhe një e dy sjellin përmbytje. Për të mos folur për tregun ushqimor, mbushur me prodhime të paçertifikuara, të skaduara e jo rrallë edhe të kontaminuara. Toka vuan nga kaosi, erozioni e përmbytjet, njerëzit nga pluhuri, zhurmat e sëmundjet.

Por kjo është vetëm njëra anë e monedhës. Ana tjetër, jo më pak e rëndësishme, është se mungesa e kontrollit për standardet dëmton prodhimin vendas e dekurajon prodhuesit e ndershëm.

Nëse ti sjell bote vere rifuxhio, i fut në shishe, u vë këtë apo atë etiketë dhe i hedh në treg, patjetër që do t’ia marrësh në kthesë vreshtarit. Një litër qumësht lope shitet pothuajse aty, aty, me çmimin e ujit të paketuar. Kjo dukuri anormale bëhet normale në një treg që fsheh përdorimin e qumështit pluhur. I rruat mundimi blegtorit. I del më mirë të lejë mall e gjë dhe të vejë e të bëjë argatin në tokat e afendikonjve të huaj.

4. Vetiu lind pyetja: mirë këta laro e shesin vendin, sigurinë dhe shëndetin tonë për ndonjë kockë, po shteti e shtetarët ç’bëjnë? Ose janë të pazotë e bëjnë llogje, ose marrin pjesën e tyre. Dhe këta s’janë pak, por janë aradha të tëra. Fillojnë nga shefat e shërbimeve të ndryshme të kontrollit dhe të sigurisë dhe ngjiten tek ata që drejtojnë dikastere, apo të tjerët që drejtojnë gjyqe e bëjnë sikur japin drejtësi. Dhe këta nuk i ndyjnë duart për një kockë si kontrollorët e thjeshtë. Marrin copa Shqipërie për t’i dalë në krah paligjshmërisë e për t’ia faturuar gjithçka popullit fukara.

Mbase nuk e tepron po të thuash se, dëmet që i kanë sjellë dhe po i sjellin këtij  vendit gjithë këta syfete, vështirë t’ia ketë sjellë ndonjë pushtues.

Këtu zë fill një tjetër diskutim. Po të hynte i huaji, të shkatërronte pyje e lumenj, të frenonte prodhimin vendas, të prekte standardet e tregut e të vinte në rrezik sigurinë shëndetësore të popullatës, njerëzia do bënin atë që thotë folklori: Do rrëmbenin armët dhe do gjakoseshin për popull e për atdhe.

Kur gjëma të tilla na i bëjnë ofiqarët tanë, të vegjël e të mëdhenj, rrimë e bëjmë sehir. Shumë, shumë shfryjmë në kafene apo në rrjetet sociale.

A thua s’jemi aq trima dhe të çalltisur sa thotë folklori? Apo s’dimë ç’të bëjmë se këta që na kanë hipur në kurriz e po na shfrytëzojnë janë gjaku ynë dhe jo të huaj…

Tej humorit, mbase na bën mirë si shoqëri, që në vende të dukshme, në qytete e fshatra, të ekspozojmë në përmasa të mëdha atë karikaturën e Francisko Gojës me dixhiturën: Ti që për gjë tjetër i zoti s’je, mbamë në kurriz se mirë e ke.

Please follow and like us: