Sfidat e bukuroshes nga Librazhdi, Eriselda Tërnova
Është vetëm 17 vjeçe, por duket e vendosur për të arritur atë që dëshiron në jetë. Eriselda Tërnova është vajza nga Librazhdi e cila sapo i është futur botës së modës dhe deri tani, ka arritur të rrëmbejë dy çmime, jo pak të rëndësishme. Eriselda ka fituar çmimin “Shoqëruesja e Parë” në Miss Egnatia dhe “Miss Eleganca” në kompeticionin MA 2017 në rang kombëtar. Është nxënëse në vitin e fundit të gjimnazit në shkollën “Shefqet Dosku” Dorëz, Librazhd dhe teksa ecim në rrugicën para shkollës, tregon me një emocion të madh për dëshirat në të ardhmen dhe se si nisi gjithçka krejt papritur, atëherë kur nuk e kishte menduar se do të arrinte diçka, të paktën në një moshë të tillë. Eriselda thotë se dëshirën për botën e modelingut e ka pasur që në moshë të vogël, por nuk e kishte menduar se do të bëhej pjesë e saj, pasi si shumë vajza që nuk realizojnë dëshirat e tyre, për shkak të frikës dhe mungesës së guximit, edhe ajo ndiente pak ndrojtje dhe ishte e idesë se kjo nuk i përshtatej.
Si shprehet ajo për Librazhdi Online:
Ishte një prej organizatorëve të një evenimenti, ku më parë kisha qenë në disa seminare që më shtyen të marr pjesë. Mendova: Pse mos ta provoj? Jemi kalimtarë të rastësishëm në këtë botë, por të paktëm të provojmë shanset që na jep jeta, për të lënë gjurmët tona”.
E sigurisht, mbështetjen më të madhe e ka gjetur dhe tek familja e saj. Pa mbështetjen e familjes, nuk mund të ndërmarrim asnjë hap. Ata kanë qenë mbështetja ime e madhe në çdo gjë dhe vazhdojnë të jenë”, vazhdon ajo. Por, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Një rol të madh luan edhe shoqëria në këtë moshë. Është pikërisht faza kur ke nevojë për një mbështetje të madhe dhe Eriselda thotë se këtë e ka gjetur tek miqtë e saj. Dhe, kur ke miq të vërtet, sigurisht që ndihesh i motivuar dhe Eriseldës nuk i mungon ky motivim. Por, çfarë synonte ajo para botës së modës, deri ku shkonte horizonti i saj dhe çfarë mendonte për të ardhmen?
Unë vazhdoj t’i qëndroj besnike botës së modës, por me një synim të vetëm. Synimi im është Psikologjia. Dëshiroj shumë të bëhem psikologe. Dua shumë të ndjek nga afër problemet e njerëzve, e të bëhem ndihmë për ta. Dhe e them me plot bindjen se do të punoj fort për të arritur këtë gjë. Bota e modës është një hob për mua, por nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket synimeve të mia”. Ajo që bie më shumë sy në këtë bisedë, është fakti se Eriselda është e vendosur të bëjë realitet ëndrrat e saj. E këtë po e arrin vetëm duke u fokusuar në atë që do, ja si përfundon.
Nuk mund të them se moda nuk bën pjesë në planet e mia të ardhme, por koha është e kufizuar dhe mendoj t’i kushtoj një pjesë të vogël asaj, pa anashkaluar dëshirat e tjera. Fokusi im për momentin janë studimet”. Me shpirtin krijues dhe instiktin e një vajze të guximshme, Eriselda thotë se të rinjtë duhet të zgjohen dhe të kenë më tepër vullnet për të marrë nisma. Për të asnjë punë nuk është turp dhe gjithkush duhet të dijë t’i bëjë të gjitha, pasi ky është çelësi i suksesit./librazhdionline.wordpress.com/