Albspirit

Media/News/Publishing

Aksioni në Elbasan, 27 persona në polici

Prej orëve të para të ditës së sotme strukturat e  Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan,  mbështetur nga Struktura të Posacme, Forcat Speciale Renea dhe ato të FNSH-së, kanë ndërmarrë një  operacion të gjerë policor në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij. Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjesëtarë të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 20.09.2017 në qytetin e Elbasanit.

Gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”,  për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale. Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal.

Me qëllim hetimin e plotë ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Si rezultat i operacionit të sotëm janë bllokuar disa makina luksoze. Është kapur një person në kërkim për vjedhje me armë. Janë kontrolluar ambiente, automjete  e persona të dyshuar.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedent penal në fusha të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako deklaroi nga qyteti i Elbasanit, se operacione të kësaj natyre do të kryhen në të gjitha qytetet e vendit në ditët në vijim.

“Prej orëve të para të mëngjesi policia e Elbasanit, e mbështetur nga forcat speciale, kanë organizuar një operacion të gjerë, i cili konsiston në kontrollin identifikimin e shoqërimin e personave me precedent kriminalë, në mënyrë të veçantë të personave me precedentë kriminalë në zonën e Elbasanit, duke marrë shkas dhe ngjarjen e fundit të ndodhur”, u shpreh Çako. “Kemi marrë shkas nga ngjarja e fundit ku u godit mjeti i nëndrejtorit të policisë. Në këtë kuadër shpreh gatishmërinë e gjithë policisë, qeverisë dhe ministrit Xhafaj për një luftë pa kompromis të çdo veprimtarie të organizatave kriminale kudo qofshin ato”, ka deklaruar Çako.

Ai ka pohuar se personi që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit është identifikuar dhe aktualisht policia po analizon situatën bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Në këto kushte kërkojmë një angazhim edhe të prokurorisë së rrethit, për t’u bërë pjesë e një barikade që do t’i bëhet krimit”, ka vijuar Çako.

Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët e Elbasanit të cilët kanë përcjellë informacionet dhe shqetësimet e tyre dhe i siguron ata se Policia i ka trajtuar dhe po vazhdon ti trajtojë me shumë seriozitet e përkushtim si dhe  po vijon punën për të siguruar rendin dhe qetësinë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit në çdo cep të territorit të vendit.

Please follow and like us: