Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Mehmetaj: Kosova përballë sfidës së zgjedhjeve vendore

 

 

Kosova, shteti më i ri i Europës është sërish para një prove të rëndësishme: kryerjen e zgjedhjeve lokale ku beteja më e madhe bëhet mes tri partive PDK-së së Veselit, LDK-së së Mustafës dhe Vetëvendosjes së Ymerit.

Ambicje për përfaqësim në pushtetin vendor kanë edhe parti të tjera më të vogla, por para së gjithash përpjekjet e gjithë klasës politike, pozitës dhe opozitës, duhet të jenë për të kryer një fushatë sa më të qetë, qytetare, me argumente e programe zhvillimi dhe të mënjanohen fyerjet dhe sharjet e ndërsjellta.

Të mos harrojmë se në Kosovë ka zhgënjim të madh nga qeverisjet, ka shpesh humbje shprese dhe në jo pak raste mijëra qytetarë shikojnë si shpëtim largimin në vendet perëndimore.

Fushata zgjedhore do të merrte një dimension të ri nëse do të shihej mundësia e ballafaqimit të alternativave dhe të kandidatëve, që qytetari të zgjedhë atë që është më e dobishme për interesin publik, por edhe për atë vetiak.

Përvoja e zgjedhjeve të kaluara ka treguar se shumë të zgjedhur në organet e pushtetit vendor nuk e kanë luajtur si duhet rolin e menaxherit të punëve komunale, prandaj është momenti për të përfshirë kandidatë me potenciale intelektuale dhe njohës të mirë të shqetësimeve të qytetarëve.

 

Please follow and like us: