Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mos i hiqni dekoratat janë simbol i dështimit

Kur bisedon me të njohurit, por edhe me gjerë, plot syresh të flasin për valixhet me dekorata të baballarëve. Me sa kuptohet regjimi i kohës i kishte me tepricë. Dhe kjo është e kuptueshme pasi mbështetej në frymën e masave. Mua më kujtohet ai imi, një të tillë e mbante sipër dollapit të rrobave. E ruante me një fanatizëm sikur të ishin aty thesaret e karaibeve nga koha e kolonizimeve. Një vandak i tërë çertifikatash jo sulmues i parë, i dytë. Sidomos gjatë planeve që do sillnin përparimin e vendit. Por edhe ca kutiza veshur me llush, brenda sëcilës rrinin ca medalione bronzi.., apo ca çertifikata luksi me kore të trashë në të kuqe të thellë që stononin me ambjentin tonë prej dy divanësh shtatë mijë lekësh, një bufe, e ato bandat e mureve me pejzazhe ekzotike nga Kina e largët. Dhe poshtë tyre, një librezë kursimi me rëndësinë e valixhes së kodeve bërthamore të Vladimir Putinit a Donald Trumpit. Kursime jete me qëllimin që të mos varrosej me lekë borxh. Kur erdhi dita, çfarë ishin aty nuk mjaftonin as për qivurin, jo më të tjerat. Por ai realitet më kujtoi një bisedë me gjyshin e sime shoqe, kur më tha një radhe se ne, njerëzit e thjesht, populli këto zakonet e hyrje daljeve i bënim nga halli. Me qëllimin të ndihmonim njëri-tjetrin, sidomos në vaki. Se morti vjen i paftuar!
Mu kujtuan këto kur pashë disa veteranë në Pezë. Në ato kronika gjysmë ironike të disa televizioneve, ku me bukë me vete përkujtonin luftën, babe Myslymin etj. Nga ana tjetër si ai ironiku, si ai mendje mbushuri (veterani) mendje top, dukeshin si një botë që asnjëherë nuk kanë për të ngjitur
Por kanë për të vazhduar në atë avazin, njëri gozhdës e tjetri patkoit. Një ironi klasike e së përditshmes tone.
Sot në Shqipëri ka një përfolje për dekoratat. Një projekt ligj që do futet së shpejti në Kuvend. Kryesisht synon që t’i hiqen titujt hero i popullit, hero i punës socialiste, hero i popujve të Jugosllavisë, hero i popujve të Bashkimit Sovjetik etj., Enver Hoxhës dhe shpurës së tij. Do jetë vetëm për këta, apo edhe për të tjerët nga pas. Nuk e di, pasi nuk e gjej gjëkundi si draft… Po nuk është çështja kjo. Çështja është tek një lloj ideollogjie me të cilën ne duam të ndërtojmë demokracinë.
Gjatë këtyre njëzetë shtatë vite demokraci, nuk pati kurrë një inisiativë intelektuale së pari për të qëruar të kaluarën nga ato momente a njerëz që kanë dëmtuar si realitetin e luftës, por edhe janë bërë shkaktarë e pjesëmarrës në krimet e diktaturës së proletariatit. E njëjta gjë edhe me ata që pretendojnë përmes shembujve dhe kulturës së viteve dyzetë, se janë ajka e antikomunizmit me të mirat dhe të këqijat që kanë. Sot diskutohet e shkuara, përqeshet, ironizohet, me të njëjtin ton si ai viteve dyzetë. Dhe kjo është e hidhur përballë realitetit të kohës, i cili kërkon njëkohësisht, pendesën, reflektimin, uljen e nervave dhe hapjen udhë të vlerave në mënyrë të atillë që kombi të ketë heronjtë e tij. Jo heronjtë e palëve. Kjo mbajtje krahu, nga palët, është sot arsyeja pse shqiptarët si dje në diktaturën e proletariatit, edhe sot në këtë dëm demokracinë tone, kanë në shtëpitë e tyre valixhe të mbushura me dekorata. Pa asnjë vlerë morale, por edhe monetare jo, jo. Kjo është demagogji, kur koha ka zhveshur herët nga dekoratat kallpe heronjtë e xhaketave të dokut të cilët here të shikojnë me lot në sy, here të flasin me inat. I ka zhveshur edhe për një fakt kokëfortë që ne nuk duam ta shohim, ata mbajnë dekoratat e shalle në qafë, jetojnë me to, por frymojnë me sytë nga fëmijët emigrantë.
Dështimit nuk ke çfarë t’i heqësh. Me të tjera ligje bëhet bëhet ekonomia e tregut.

Please follow and like us: