Albspirit

Media/News/Publishing

IZET SHEHU, cikël poetik

KËNGA

Unë zën’ e dytë e bëja mirë,
Babai bënte zën’ e parë,
Në mes të barit në çair,
Ku iso mbante plep i bardhë.

Dhe trembesha mos binte kënga
Si zog i kaltër përmbi bar,
Unë zën’e dytë e thekja mirë,
Babai thekte zën’ e parë

Eh, kur një ditë m’i morën të gjitha:
Babanë, çairin, plepin e bardhë,
Unë zën’ e dytë e qava mirë
Po s’gjeja dot zërin e parë.
​* * *

Mbaj mend
Nga mesi i muajit maj
M’u bë sikur një melodi:
Zërin e parë bënte babai
Dhe ishte krejt si zë i tij.

Dhe unë pas zën’ e dytë,
Një zë të dridhur si në vaj.
Me lotë krejt m’u mbushën sytë,
Këndoja unë dhe babai.

Kënduam këngën e përjetësisë,
Se s’duhej lënë përgjysmë kënga.
Ah, dheu ynë! Më i shtrenjti vis,
S’të ndamë asnjë çast nga zemra!

 

ZJARRI

Jam zjarri i zjarrit tim,
Më i hershëm se Prometeu.
Mos më shihni si hutinë!
U ndeza
Kur u ngjiz dheu.

Jam ushtari,
Që i binte bririt
Rrotull zjarreve pagane.
Me Teutën verë kam pirë,
Vallen hoqa mes taulantëve.

Dolli ngrita me ilirin Bato,
Me suljotët isha tamburxhi.
Shpuz’ e flakë
Nëpër mote,
Gjersa mbërrita këtu tani.

Jam zjarri i zjarrit tim,
Më i lashti i këtij dheu.
Mos më shihni
Me habi!
Linda më parë se Orfeu.

Jam zjarri i Shqipërisë,
Purpuruar brez pas brezi,
Mbi këtë tempull,
Mbi këtë vis,
Prush si trëndafil kërrmezi.

 

Ç’MË THOTË ZOGU KËNGËTAR?

Një *cinkëz si shpirti flatëruar në erë,
Përherë më rrëqeth, më rrëqeth përherë.

Në bregun e lumit mes shelgjishtes së thyer,
Këndon zogëz e bukur me zë përdëllyer.

Dhe vjen e rrëfen ato që ka parë,
Zymtësisë së motit në brymë e acar.

Ku janë foletë shkallafitur në zabel,
Cicërim’ e mohuar, sythi që s’u çel?

Ku janë besëprerët, besëprerët ku janë
Mbi barëra si qelbësit lëkurat i lanë.

Tani lajnë duart, bëjnë sikur pastrojnë
Mëkatet e mënxyrta në zabelin pagojë.

Si s’kërkove falje ti Pilat, ti Judë,
Ti Makbeth, ti Jogo, ti barbar, ti ujk?

Dhe gur po të jesh, dhe lule, dhe bar
Barbarit të egër thirri fort: barbar!

Le të krekosen mashtruesit, shërbëtorët e djallit,
Në emër të të vdekurit, bëj detyrën e të gjallit.

Një cinkëz si shpirti flatëruar në erë
Më thotë me cicërimë: në gjunj mos bjerë!

*cinka= zog këngëtar

 

SA TË KAM PRITUR

Eh, sa shekuj të kam pritur,
Po Ti nuk m’u shfaqe kurrë,
Gjersa vdiqa i uritur
Mbi një gur a nën një gur.

Eh, sa shekuj të jam lutur
Ty, o shenjt me gjymtyrë ajri,
Gjersa ika i përhumbur,
Rrugës që la i pari.

Eh, sa shekuj dhe s’janë pak
Të vërtetën për ta situr,
Gjersa Ti, o shenjti plak,
Si askurrë sot je venitur.

 

LOTËT E GRUAS

Lotët e gruas duke numëruar
Ndjen dridhje shpirti,
Ndjen lagështirë thellësish.

Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
Bënte me to paragrafe shenjtërish.

Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
Bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.

Please follow and like us: