Manjani: Hashashi motivoi njerëzit për të votuar
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, thotë se pavarësisht sistemit, duhet t’i jepet zgjidhje shitblerjes së votës.
Ai shprehet se në zgjedhjet e fundit, hashashi motivoi njerëzit për të votuar.
“Të mirat e votimit elektronik janë, një shtetas nuk voton dot më shumë se dy herë. Në fund të jep një rezultat zgjedhor shumë shpejt, nuk kemi procedurë zgjatje. Por, a ia vlen që për kaq pak, të investohet kaq shumë? Nuk mendoj se kjo na zgjidh shit-blerjen e votës, kjo gjë ndodh jashtë kutive të votmit. Ka një kategori votuesish që mezi e presin ditën e zgjedhjeve, për të marrë lekë. Fenomeni tjetër është që politikani bën premtimin, për të futur në punë. Në këto zgjedhje ka shumë fletë votimi të pavlefshme, ai person ka marr lekë dhe ka dhënë kartën. Por, këto probleme nuk i mbyll votimi elektronik. Më mirë është të fokusohemi ekzakt te këto probleme, e jo të krijojmë probleme të tjera, me qëllim që të fshehim atë më të madh. Këtë radhë fenomeni i hashashit ka bërë që njerëzit të jenë të motivuar. U la për arsye shtetërore dhe e dimë këtë sepse nuk ka punë. Realisht nuk ka punë. Do të ishte më e ndershme që t’u themi shqiptarëve se nuk kemi mundësi tu sistemojmë në punë dhe merruni me hashash. Ky është biznes. Ai që e kontrollon i thotë zotëri ke kaq punëtorë, dua kaq vota. Qeveria nuk hodhi lekë. Këtë nuk e zgjidh votimi elektronik.
Një fenomen tjetër është se ti e di shumë mirë që zgjedhësi nuk voton për ty, i merret karta kundrejt pagesës dhe ai nuk shkon të votojë. Ka shumë fletë votimi të pavlefshme. Kanë votuar për tre katër kuti në fletë. Tregon se të gjithë kanë dhënë lekë”, tha Manjani.