Albspirit

Media/News/Publishing

Vajza: I dashuri më shiti për 5 milionë lekë, tani ushtroj prostitucionin në barakën ku jetoj

Shfrytëzimi i brendshëm për prostitucion i grave pa përkrahje dhe pa mundësi ekonomike ka shënuar rritje në Shkodër, ndërkohë që policia, prokuroria dhe gjykatat nuk ia dalin të dënojnë shfrytëzuesit apo tutorët e tyre.

Në mesin e viteve ’90, G. B., udhëtoi me të dashurin drejt Greqisë pas premtimit për martesë, por përfundoi në rrugë si punëtore seksi pasi u shit për 500 mijë lekë. Gruaja tani 45 vjeç thotë se jeta e saj mori tatëpjetën kur ishte vetëm 20 vjeçe, e larguar dhe e mohuar nga prindërit që nuk ia miratonin lidhjen.
“Doli për të blerë cigare dhe kur u kthye bashkë me dy të tjerë. Më tha: ‘Do të shkosh me këta se të kam shitur për 5 milionë lekë të vjetra. Nuk kemi punë më bashkë”, tregon ajo për BIRN.
“Ata më nxorën të punoja prostitutë. Nuk kisha se çfarë të bëja, familja në Shkodër më kishte mohuar qëkur ika dhe nuk komunikoja me ta”, shton ajo.
G. B., thotë se nuk pati asnjë mundësi tjetër. Pas dy vitesh në Greqi, tutorët e shitën te të tjerë në Itali, ku punoi 13 vjet derisa pësoi një aksident, pas të cilit i është vendosur një hekur në këmbë.
Pas aksidentit ajo u kthye në Shkodër. Megjithatë, asnjë nuk ndryshoi në jetën e saj.
45-vjeçarja i tha BIRN se prindërit i kishin vdekur, vëllai nuk komunikon me të dhe ajo përfundoi të jetojë në një barakë duke ofruar sërish seks për para.
“Nuk kam profesion tjetër, nuk di të qep në makinë qepëse apo këpucë. Di të bëj vetëm pastruesen, por nuk kam gjetur punë të tillë. Jam drejtuar nëpër zyra, por nuk më kanë afruar asgjë”, thotë ajo.
Shqipëria ka një histori të dhimbshme të trafikimit të vajzave për shfrytëzim prostitucioni menjëherë pas rënies së diktaturës deri në fund të viteve 2000 dhe siç gjeti BIRN në një investigim të mëparshëm, një pjesë e mirë e tyre a kanë të pamundur integrimin dhe ashtu si G. B, i rikthehen prostitucionit.
Një raport i policisë shqiptare i vitit 2007, i cituar në të njëjtin artikull , pohon se së paku 5162 gra dhe vajza janë trafikuar për t’u shfrytëzuar si punonjëse seksi mes viteve 1992 dhe 2005. Sipas këtij raporti, rreth 22 për qind e tyre qenë minorene kur u trafikuan.
Por ndërsa trafikimi prej të cilit G. B., e pësoi 25 vjet më parë erdhi në rënie dhe nuk përbën më një problem të dukshëm në qarkun e Shkodrës, numri i grave që shfrytëzohen në hotele apo banesa është rritur, ndërsa pjesa më e madhe e të akuzuarve për shfrytëzim ia hedhin me dënime të pezulluara.
Të dhënat qoftë nga policia lokale, qoftë nga Komiteti Rajonal Kundër Trafikimit pohojnë se nuk ka raste të regjistruara të trafikimit gjatë viteve të fundit, por të dy institucionet raportojnë raste të grave që shfrytëzohen në qytetin e Shkodrës.
Kryetarja e Komitetit Rajonal kundër Trafikimit për Shkodrën, Felek Kasemi i tha BIRN se nuk kanë evidentuar asnjë rast trafikimi, por sipas saj “janë tre raste prostitucioni që janë në proces hetimi nga policia dhe institucionet përkatëse”.
Ndërkohë, nga të dhënat zyrtare të policisë për vitin 2016 janë zbuluar 2 raste shfrytëzim prostitucioni, ndërsa vetëm për periudhën 1 Janar – 12 Shtator 2017 janë zbuluar 4 raste të tjera.
Edhe një raport i Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave vëren po ashtu se veç trafikimit në vendet Perëndimore, ka një trafik të brendshëm të vajzave dhe grave me qëllim shfrytëzimin. Në raportin e vitit 2015 theksohet megjithatë se ekzistojnë si trafiku i brendshëm ashtu edhe ai i jashtëm i punëtorëve të seksit, të cilat dërgohen nga njëri qytet në tjetrin dhe shfrytëzohen për prostitucion.
Një rritje e trafikimit të brendshëm për qëllime prostitucioni evidentohet edhe nga raporti i fundit për trafikimin e qenieve njerëzore të Departamentit amerikan të Shtetit.
“Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikimit seksual dhe punës së detyrueshme brenda vendit, kryesisht gjatë sezonit turistik”, thuhet në këtë raport.
Metodat e rekrutimit, sipas policisë dhe prokurorisë së Shkodrës janë të njëjta, por të dy institucionet vënë re se një pjesë e ushtruesve të prostitucionit në vend tani janë gra rreth të 40-ave me histori si ajo e G. B., apo me probleme familjare dhe ekonomike.
Një prokuror i Shkodrës i tha BIRN se ishte vënë re një rritje e numrit të rasteve të grave që kishin probleme familjare, ishin të divorcuara, të dhunuara në familje dhe pa mundësi të tjera për të mbajtur fëmijët apo veten.
“Ndërsa para disa vitesh ishin vajzat në moshë të re që rekrutuheshin, këto vitet e fundit është rritur numri i grave. Janë gra të divorcuara, me fëmijë, gra që kanë provuar dhunën nga ish bashkëshortët e tyre dhe me vështirësi ekonomike”, tha prokurori në kushtet e anonimatit.
Avokati Sh. H., i cili i tha BIRN se nuk donte të identifikohej me emër të plotë për shkak se druhej se mund të humbiste klientët e tjerë, tregoi se në një rast ka mbrojtur një grua të akuzuar për prostitucion-nënë e 6 fëmijëve, e cila u dënua me 10 muaj burgim dhe vendimi u pezullua për tre vjet.
“Ajo ishte një grua e divorcuar nga bashkëshorti i dhunshëm, kishte 6 fëmijë, ish-bashkëshorti nuk përgjigjej ekonomikisht për fëmijët dhe ajo jetonte duke shitur gjak, por dhe trupin”, tha avokati.
Ndonëse trafikimi i brendshëm i grave pa përkrahje ka pësuar rritje, ndëshkueshmëria e shfrytëzuesve të tyre mbetet në nivele të ulëta. Sipas raportit për trafikimin e qenieve njerëzore të Departamentit të Shtetit, në pjesën më të madhe të rasteve shfrytëzuesit shpëtojnë të padënuar.
Por prokurori i Shkodrës i tha BIRN se personat ndërmjetës dhe tutorët arrestohen, por kur dalin para gjykatës, gratë apo vajzat marrin përsipër gjithçka, pasi dënimi për to është më i lehtë.
Sipas raportit të Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në vitin 2015 ndër 80 raste me 90 autorë të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni apo trafikim vetëm 15 janë arrestuar, 44 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët janë larguar apo thjesht ndaluar.
BIRN gjeti se edhe në vendimet e Gjykatës së Shkodrës prej vitit 2012, veç rastit të një gruaje të dënuar me 4.8 vjet burg, të gjitha të akuzuarit për shfrytëzim prostitucioni janë lënë të lirë me kusht, njësoj si edhe për gratë që janë dënuar për ushtrim të prostitucionit.

Autor: Anila Dushi | BIRN | Shkodër

Please follow and like us: