Albspirit

Media/News/Publishing

Përmendorja e turpit, rasti Lubonja

 

Çerçiz Loloçi

Në një rrëfim të gjatë dhe monoton më 21 shtator 2017, “of, uf, “më ler të shprehem”, “mos ma humb fillin” në emisionin e moderuar prej Ylli Rakipit “Të paekspozuarit”, kryeshpifësi më i madh ndaj Kadaresë, Fatos Lubonja është munduar t’iu përgjigjet disa mendimeve të shkrimtarit në “Studion e hapur” të Eni Vasilit, që hedh dritë mbi peshën e këtij rrëfimtari gjatë dhe pas diktaturës komuniste.

Reagimi i tij ka ardhur fill pas një denoncimi të nënës së vet, Liri Lubonja që nuk ka ngurruar të publikojë edhe dy letra konfidenciale të familjes Kadare, që janë thjesht përgëzime për shkrime publicistike dhe aspak letrare.

Emërtesa komuniste

Fatos Lubonja është djali i Todi Lubonjës, ish partizan, ish funksionar i lartë i emërtesës komuniste (Drejtor i Përgjithshëm i RTVSH, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, anëtar i Komiteti Qendror të PPSH, funksione të tjera të larta në rrethe të ndryshme) deri në 1974 kur u dënua si liberal dhe u burgos.

Me dënimin politik të Todit në Pleniumin IV pasoi edhe arrestimi i të birit, sipas një ligji të pashkruar që diktatura e bënte pa përjashtim. Këtë fat pati Bashkimi, djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, kështu e pësoi djali i Ngjelës, Ballukut, Hazbiut, pra të të gjithëve që konsideroheshin në mënyrë paranojake nga regjimi si “armiq të pushtetit dhe të partisë”.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se ati dhe i biri Lubonja janë arrestuar në të njëjtën ditë, më 25 Korrik 1974, teksa Fatosi ishte vënë në përpunim aktiv 2A 7 muaj më parë, më 21 Janar 1974.

Pas daljes nga burgu dhe në vitet e demokracisë Todi Lubonja ka shkruar tri libra autobiografikë “Nën peshën e dhunës”, “Ankthi pa fund i lirisë” dhe “Pse hesht shtëpia e muzikës”, të cilat hedhin dritë mbi atë periudhë të vështirë për gjithë shqiptarët dhe për vetë ata.

Natyrisht deri në vitin 1974 krimet kundër shqiptarëve kanë qenë pa fund, disa në vitet e para pas luftës kundër nazifashistëve implikojnë drejtpërdrejt edhe vetë Todi Lubonjën, siç e shpjegon fragmenti i këtij dokumenti: “…Sot, më datën 19 Qershor 1946, në orët e para të mëngjesit u ekzekutuan me vendim të Gjyqit Special, katër të arrestuarit Nazif Reçi, Bajram Vlesha, Fiqiri Zeai dhe Gani Hoxha që u kapën disa ditë më parë. Gjithashtu me vendim të Gjyqit Special, u ekzekutuan në Shumbat, tre strehues të Dan Kaloshit dhe Cen Elezit të quajturit Cen Selmani, Adem Bitri dhe Rustem Bitri…”.

Për këto krime të kryera drejtpërdrejt nga Todi s’ka kurfarë ndjese as nga i ati, as nga e ëma dhe as nga i biri.

Lubonja në rrëfimin e djeshëm “of, uf, “më ler të shprehem”, “mos ma humb fillin” e quajti të pavlerë gjithë korpusin e veprave të Kadaresë që sipas tij shpjegohet me lajthitjen e manipulim-stimulimit e të nacional-komunizmit. Por nga çfarë pozitash e mbështet këtë mendim? Thjesht e vetëm si një prej 2 milionë e ca shqiptarë-shkrimtarëve në viset etnike sepse vetë ai nuk është gjë tjetër veç një krijues nënmesatar e me letërsi të papërfillshme.

Lubonja u ndal në mënyrë të veçantë me poemthin e ndaluar “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” duke e quajtur prapë një himnizim të sistemit diktatorial, por nuk ka këtë mendim  Enver Hoxha që e konsideron “poet korbash, reaksionar, kundër-revolucionar, kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, kundër socializmit në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti”.

Lubonja bëri “zbulimin e madh” duke denoncuar pseudonimin letrar të Kadaresë, Gent Arbana, ndërkohë që vetë shkrimtari e ka pohuar këtë shumë vjet më parë, madje edhe në monografinë “Kadare ndryshe” të Mimoza Cika-Kelmendit ai shprehet se “kam disa shënime të shkruara në kohën që kam qenë në gazetën ‘Drita’, të cilat i kam botuar me emrin Gent Arbana, që nuk shkojnë më shumë se njëqind faqe dhe që nuk janë krijimtari. Kanë qenë informacione për letërsinë që botohej në atë kohë. Mund t’ju them se pjesa më e madhe e autorëve dhe veprave që janë kritikuar në ato informacione kanë qenë vërtet për t’u kritikuar dhe unë edhe tani kam të njëjtin mendim si më parë…”.

 

Pasaporta Kadare

Pas Skënderbeut, Nënë Terezës, një figurë e spikatur që krenaron pjesën më të madhe të shqiptarëve si shtet, si qënie e si komb është padyshim Kadare. Fatos Lubonja, si dhe disa të tjerë, kanë zgjedhur të jenë në anën e kundërt duke përbaltur, denigruar e shpifur sa të mundet ndaj këtyre tre figurave dhe personaliteteve të tjera shqiptare, që janë bërë pjesë e qytetërimit botëror. Nuk do shumë mend për të kuptuar që ai vetërreshtohet në skalionin e antishqiptarëve dhe antivlerave perëndimore njëkohësisht, që janë të pranishme në çdo kohë, pavarësisht nëse sistemi quhet juntë, fashizëm, komunizëm, apo demokraci.

Nuk ka asnjë dyshim se Kadare përbën një lloj pasaporte për shqiptarët si njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi, anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë në 1996, fitues i çmimeve botërore mes të cilave “Prix Mondial Cino Del Duca” në 1992, “Man Booker International Prize” më 2005, “Princi Asturias për Artet” më 2009 dhe “Çmimin Jeruzalem” më 2015.

Shqipëria e 2017 nuk është kurrsesi ajo e viteve të diktaturës apo e viteve të para të demokracisë; përpos të tjerave ajo e sheh veten tashmë si anëtare e NATO-s dhe shumë pranë familjes europiane, çka edhe raporte me fqinjët dhe sidomos me sllavët (ish-armiqtë më konseguentë ndaj popullsisë shqiptare) priren të përmirësohen.

Do kalojnë shumë vjet e shumë breza dhe në fund të fundit në histori do të mbeten veprat e Kadaresë, personalitete të tjera shqiptare, por s’ka për t’u harruar gjithsesi se aty, në kapërcyell të dy shekujve, jetonte në Shqipëri një kryeshpifës “of, uf”, “më ler të shprehem”, “mos ma humb fillin”, që mendonte se duke sulmuar një majë gjithsesi do të mbetej në histori, qoftë edhe si një përmendore turpi.

 

22 Shtator 2017

 

 

Please follow and like us: