Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Mezini: Për një Shqipëri ku mbizotëron mentaliteti gjithëpërfshirës

 

 

Të nderuar kolegë, gazetarë  dhe qytetarë.

Duke ju falenderuar për të gjitha mesazhet tuaja dhe interesin që treguat në kohë reale dhe më pas, për të ndarë me mua momentet e vështira në një nga mbledhjet më të mira të kryesisë që Partia Demokratike ka zhvilluar ndonjëherë, ju shpreh mirënjohjen secilit prej jush. Interesi juaj ishte shumë i madh, për të mësuar të vërtetën dhe unë e çmoj këtë interes jo për Valbonën, por për merakun e madh që ju dëshmuat se i gjendeni pranë Partisë Demokratike në këto ditë të vështira ku më shumë se kurrë ajo ka nevojë të ringrihet përmes së vërtetës, asaj të vërtete që do t’i shërbejë asaj dhe strukturave për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga disfata dhe asfiksimi i mendimit të lirë.

Po zgjedh të flas me gjuhën e thjeshtë për t’iu drejtuar qytetarëve demokratë dhe jo vetëm, gjithë qytetarëve shqiptarë që duan një Shqipëri ku mbizotëron mentaliteti gjithëpërfshirës për të bërë punë të mira dhe meritokracia, e jo pazari për suksesin. Një Shqipëri ku nuk është turp të mendosh ndryshe dhe që duhet të rendësh apo vraposh për të mësuar të vërtetën e për ta thënë atë publikisht.

Mungesa e njohjes së të vërtetës dhe aq më keq fshehja qëllimisht e saj kultivon totalitarizmin dhe diktaturën, për të mos thënë se sjell modën e retrospektivave ku strukturat politike ishin pronë e familjeve mafioze. Nëse nuk je njeri prej nesh, je njeri prej tyre dhe hiqesh qafe.

Këtë nuk do të doja ta lejoja me çdo çmim, kudo ku më jepet mundësia të përfaqësoj interesin publik, edhe në shtëpinë tonë Partinë Demokratike. Kam moralin të artikuloj nevojën imediate që ka demokratizimi i mendimit në partinë time, në partinë tonë si dhe demokratizimi i strukturave të saj.

Këtë moral do ta kem derisa të kem frymë.

Ky është morali që duhet të na ndajë nga gabimet tona, nga verbëria dhe servilizmi për të rendur pas kryetarëve që t’iu heqim qimen nga xhaketa.

Brezi I ri ka ekzigjencën të mendojë për më mirë. Ka instiktin të mendojë për më larg. Lereni rininë të mendojë dhe flasë, qoftë edhe gabim, atë le ta gjykojë koha. Ne pikërisht se heshtëm jemi në këtë humbje, madje ngaqë heshtëm vuajtën 50 vjet diktaturën. Unë jam pasardhëse e një prej patriotëve të Vlorës të pushkatuar pa gjyq pikërisht sepse foli dhe tha se ylli nuk është i flamurit kombëtar.

Sot më turren se guxova të mendoj dhe flas. Historia përsëritet, por unë nuk dua ta lejoj që kjo të ndodhë në partinë tonë. Ringritja vjen përmes besimit dhe besimi duhet mbjellë për t’u korrur dhe këtë në PD duhet ta bëjnë të gjithë bashkë të vjetër e të rinj. Përndryshe ky diell nuk do të ngrohë më dhe ky vend do të jetë streha e batakçinjve.

Please follow and like us: