Agim Pipa: Eros…
Është aq i bukur shtrati i mbrëmjes,
shtrati i pyllit ndanë liqenit, dhe
shtrati, ku flemë bashkë, dashuria ime.
Farfurijnë çarçafët e bardhë
si pëllumba, që rrahin flatrat, dhe
ndanë dritares gishtrinjtë e vjeshtës
më bëjnë shenjë
të përkulem mbi trëndafilët e gjoksit tënd;
ka ardhur vjeshta pra;
pakufinj pëllëmbët e gjetheve, ku
sekretet e një takimi mbeten përjetësisht
shkronja e parë
e alfabetit të rrugës së qumështit.
I pazoti të shkruaj gjithçka
mbi kiminë e trupit dhe luginat e bardha
unë kuptoj, se parfumi më i mirë
mbetet parfumi i frymës tënde,
ku unë e tejkaloj shekullin.
Lermë
të vizatoj mbrëmjen
nën çarçafët, që rrahin flatrat për ty, shpirti im…
Please follow and like us: