Ndue Ukaj: Vepra letrare e Kadaresë, një perandori e vërtetë artistike
At Zef Pllumi: “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore”.
Tentimet e herëpashershme që bëhen për të rrëzuar nga froni letrar shkrimtarin Ismail Kadarenë, në thelb, pak, ose aspak kanë të bëjnë me veprën e tij letrare, që është një perandori e vërtetë artistike, e shtrirë përtej kufijve të ngushtë shqiptarë dhe pak varet nga vetëkënaqësia, mburravecëria dhe deliri i madhështisë, vese këto që lulëzojnë si pak gjëra tjera ndër ne. Sepse, edhe kritikët më të ashpër dhe më dashakeq të veprës së tij, e dinë mirë se përballë këtij fenomeni universal, përralliset kot. Sa më që shumë sulmohet vepra dhe personaliteti i tij, aq më shumë rritet perandoria e lexuesve dhe admiruesve të tij.
Por, në gjithë këtë apori sulmesh e trillesh pafund, disa pyetje ngelen pa përgjigje dhe lënë vend për shumë hamendësime: Pse gjithë ky zell për të rrëzuar nga froni shkrimtarin më të madh shqiptar?
Pse gjithë ky zell për të debatuar kundër Kadaresë në secilën stinë të Nobelit të letërsisë? Ka ndonjë forcë dashakeqe që i konstrukton dhe orkestron të gjitha këto sulme? Këto pyetje, nuk janë të reja, ashtu siç nuk janë të reja sulmet që bëhen në secilën stinë kundër tij.
Sot, në mediat shqiptare, më shumë hedhet gurë e dru mbi Kadarenë sesa mbi tiranin që e shkretoi për disa dekada Shqipërinë.
Njerëz, në kohën e kësaj shëmtie të madhe, Kadare la vepra kapitale artistike.
Jo turfulloni kot.
Për këtë arsye, me logjikë të shëndoshë, vështirë mund të kuptohet gjithë ky mllef e pezëm që derdhet kundër Kadaresë.
Të kesh një shkrimtar në hierarkinë më të lartë të vlerave universale, është privilegj dhe nder për secilin komb. Pa dyshim, përfitimet nga kjo, janë të mëdha dhe ato i përjeton secili që del përtej kufijve të ngushtë të kulturës shqiptare.
Është e kuptueshme, disa shqiptarë nuk mund të pajtohet me famën planetare të Ismail Kadaresë, edhe për faktin, se, siç pati shkruar At Zef Pllumi: “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore”.