Qershor 1946; kampet e çamëve ku humbën jetën 2755 vetë në 1 vit
Në një raport i Komitetit Antifashit të Çamëve, i dërguar kryeministrit të kohës, në qershor të vitit 1946, ka të dhëna tragjike për mënyrën se si sistemi komunist në vitet e para të tij i trajtoi emigrantët çamë, edhe pse ata gëzonin statusin e refugjatit dhe institucionet ndërkombëtare kishin dhënë ndihma për t
www.27.al
Çamët u strehuan në disa rrethe të Shqipërisë nëpër kampe të veçuara nga pjesa e tjetër e popullsisë, nëpër çadra ku kushtet e jetesës nuk garantonin mbijetesën. Në këto kushte, kur numri i vdekjeve brenda një viti kishte arritur në 2755 persona, Komitetit Antifashit të Çamëve, hodhi alarmin drejtuar qeverisë komuniste.
Materialet e mëposhtme paraqesin të qartë situatën në atë kohë përmes një raporti të Komitetit Antifashit të Çamëve. Ka të dhëna për numrin e popullsisë çame që u vendos në secilin prej kampeve që komunistët instaluan për popullsinë çame në Shqipëri. Ka gjithashtu të dhëna për mospërfilljen e qëllimshme të “pushtetit popullor” ndaj kësaj popullsie, si dhe reagimet e popullsisë çame ndaj kësaj sjellje skandaloze të komunistëve ndaj tyre.
Raporti paraqet detaje rrënqethëse të jetës së çamëve që kishin ardhur në Shqipëri për t’i shpëtuar genocidit çnjerëzor grek.
Raporti
85% të familjeve janë në gjendje të vajtueshme dhe s’mund të jetë e sigurtë jeta e tyre në konditat ekonomike dhe higjenike që kanë kaluar deri më sot.
Sistemi i ndihmës asistenciale, i cili ka qënë faktori kryesor ekonomik dhe që sot kufizohet vetëm në ata, të pa asnjë mbrojtje, që s’kalon të 15%, nuk ka qënë dhe as mund të jetë i mjaftueshëm për përballimin e jetesës. Kriteri i ndarjes nuk ka dhënë rezultate të mira, pse janë ndihmuar familjet pa ndihmës, kurse ato familje që mund të kishin nga një mashkull nuk përfitonin dhe kjo pjesë ishte në vuajtje nga papunësia. Kështu që ndihma dhe aktivizimi në punë nga Asistenca Sociale nuk mund të bëjnë një garanci jete.
Shterimi i burimit asistencial, papunësia, instalimi në çadra jo adapte, gjëndja e keqe shëndetësore të gjitha këto kanë sjellë si konsekuencë që situatë e çamëve të keqësohet çdo ditë. Fakti që qysh me ardhjen e çamëve në Shqipëri e deri sot kanë gjetur vdekjen 2755 veta dhe me gjithë masat e supozuara të marra edhe këto kohët e fundit vdekjet kanë qënë dhe janë të vazhdueshme nga shkaku i urisë dhe i sëmundjeve, tregon se ndihma dhe masat e mara deri tani nuk kanë patur efektin e duhur.
Komitetetet Ekzekutive të Prefekturave e N/Prefekturave e kanë lënë pothuajse në harresë këtë problem duke mos u interesuar si duket dhe të mendojnë e të mundohen më konkretisht për shërimin e plagëve që u ka hapur emigracioni i rëndë çamëve në Shqipëri. Një fakt është që në raportet e përmuajshme që i vinë asaj, Kryeministria, gjëndja e tyre nuk është prekur asnjë herë aqë saqë të lë përshtypjen sikur në Shqipëri nuk ekzistojnë çamë dhe s’ka problem Çam për Qeverinë. Kjo tregon se ata nuk i japin asnjë rëndësi çështjes së tyre dhe se nuk jetojnë nga vazhdimisht afër gjendjen e tyre të vështirë.
Nga kontrolli dhe konstatimet e anëtarëve të Komitetit Antifashist t’Emigrantëve Çamë dhe raportet e doktorëve të ndryshëm, rezulton se humbjet do të bëhen dhe më të ndieshme, po të vazhdojë gjëndja në këto kondita, qoftë edhe për një kohë fare të shkurtër.
Për të vënë në dukje edhe konkretisht gjendjen aktuale të emigrantëve çamë, po japim disa hollësira rreth konstatimeve të këtij Komiteti me sugjerimet e veta si më poshtë vijon:
- –Gjëndja ekonomike.—Fakti që në shumicën e zonave ku janë instaluar familjet çame, nuk ka kantiere pune, shkakton që 70% të jenë papunë d.m.th ndodhet para rezikut t’urisë. Gjer më sot puna e tyre s’varej nga aktivizimi Asistencial dhe kjo jo e vazhdueshme. Por me gjith’ atë nga sa shihet nuk është kurrë e mundur që një person të rrojë vetëm me 250 gr.bukë në ditë, kurse i mungojnë të gjitha elementet e tjera të kalorisë. P.sh. në Vlorë ku janë afër 5000 emigrantë çamë 60% janë papunë dhe humbjet janë të dukshme. Në Fier 85%, në Lushnjë 80%, në Kavajë 65%, në Durrës 45%, n’Elbasan 60% dhe në krahinat e tjera kalojnë të 50% ose për intervale kohe mjaft të shkurtëra merren me punëra krejt provizore të çastit.
- -Sigurimi i banesës ka qënë vazhdimisht problemi më i vështirë. Dhe me ardhjen e çadrave ky problem me sa konstatojmë ne nuk po gjen zgjidhje të kënaqshme. Kriteri i ndjekur deri tash i vendosjes së çadrave dhe çadrat vetë nuk kanë përmirësuar aspak banesën e tyre. Në shumicën e krahinave ato janë ngrehur në vënde të hapta ku i rreh dielli gjithë ditën, pa ujë e dru afër. Çadrat vetë, sikundër kemi përshkruar edhe më lartë nuk janë të përshtatëshme për familje, pse shumë të vogla e të unjta sa mezi rrijnë dy veta brënda dhe në shumë krahina ky instalim ka qënë për çamët më keq nga ç’lahin më përpara sa që shumë prejt tyre, pse të detyruar nga pushteti të lënë banesat e para, kanë preferuar më mirë të vendosen nëpër ahure ose bodrume dhe të mos pranojnë të venë në çadrat.
Ky instalim i keq ka shkaktuar që shumica e tyre të sëmuret dhe të ndodhin dhe vdekje. Kjo ka ndodhur sidomos në Durrës, Elbasan e Fier ku vendet dhe instalimi ka qënë mjaft i keq.
Një e metë tjetër n’instalimin e çadrave është dhe që ato janë vendosur mjaft afër njëra tjetrës sa që njeri të preket nga një sëmundje, përhapet shpejt në të gjithë të tjerët.
Kjo gjendje është tani; le të mendohet se sa keq do të jetë me shtrëngimin e vapës ku simbas mendimit t’onë, në qoftë se nuk merren masa të shpejta do të gjejnë vdekjen një shumicë e madhe prej tyre për hiç gjë punë.
-
- Gjendja Shëndetsore.-Mungesat e ushqimeve, vesh-mbathjeve, ilaçeve, doktorëve, strehimi i papërshtatshëm, sjellin si konsekuecë gjendjen e keqe shëndetësore, të cilën e favorizojnë akoma më shumë çadrat ushtarake jo higjenike për instalimin e familjeve. Shëmbëll, në një inspektim që u-bë këto ditë nga anëtarë të Komitetit në Razhbull të Durrësit, u konstatua se: në një tokë të thatë malarike, me ujë të papijshëm, në mes të diellit, me çadra ½ m. distancë larg njëra tjetrës, pa dru, ku gratë e veja dhe të gjithë ata të tërheqin nga Asistenca duhet t’udhtojnë gati 2 orë për të marë 250 gr.bukë në Shkozet (Durrës), janë instaluar 80 familje, kurse 80 familje të tjera që nuk kanë dëgjuar për vajtje mos përfitim nga Asistenca dhe mos dhënie punë.
- Gjendja e fëmijëve. –Një nga problemet me rëndësi për emigrantët çamë, është dhe çështja e fëmijvet, të cilët janë në mes të katër rrugëve në pasiguri dhe pa asnjë kujdesim për t’i mbrojtur nga gjendja e vështirë që kalojnë prindërit e tyre dhe për t’u dhënë një edukatë fillestare. 40% prej tyre mund të themi bëjnë jetën e e vagabondazhit, kurse 30% janë pa tutor.
- Gjendja politike.-Gjendja e keqe ekonomike dhe shëndetsore, mungesa e punës nga ana e Organizatave të Frontit, kanë shkaktuar që emigrantët çamë të mos jenë azhornuar mirë politikisht dhe të gëlltitin mjaft nga parrullat reaksionare. Nga qëndrimi i keq i disa elementave me përgjegjësi në pushtet dhe n’organizata të tjera dhe veçanërisht, kur këta lëshojnë në masa parrulla diskretituese dhe përbuzëse shkakton shpesh dëmshpërblim ndër ‘ta dhe mos besimin ndaj Pushtetit Popullor. Gadi 98% janë analfabetë dhe nuk është marrë asnjë masë për pjesmarrjen e tyre në kurse analfabetike.
Duka marë parasysh gjithçka u-tha më lart e gjëjmë të nevojshme dhe tepër urgjente që t’i sugjerojmë asaj Kryeministrije sa më poshtë vijon:
- a) Për të evituar imediatisht gjendjen e vështirë ekonomike, dhe në mbështetje të ……., propozojnë që familjet çame që asnjë bazë ekonomike të grumbullohen një vend të posaçëm dhe t’ju jepet tokë për të punuar dhe siguruar jetën. Kështu do zhduket parazitizmi dhe rrisku i urisë.
Ne nuk besojmë në këtë kategori të jenë më tëpër se 2000 familje dhe vështirësitë ne një kriter të tillë …. nuk mendojnë të jenë të mbëdha.
- b) Për instalimin e tyre ne mendojmë se duhet gjetur çadra më të përshtatshme dhe të vendosen në vend më të mira afër banesës së punës, ku për ato familje pa asnjë mbështëtje t’organizohet një shërbim ……….
- c) Nga pikpamja shëndetsore propozojmë që n’to vënde ku ka grumbullime çamësh të ngrihet infermjeria për zhdukjen e sëmundjeve të ndryshme, sidomos të malarjes dhe lëkurës. Nga ana tjëtër doktorët të bëjnë vizita më të shpeshta.
ç) Rreth problemit të fëmijëvet, propozojmë që të paktën 400 veta të strehohen dhe t’edukohen n’institutet përkatëse.
- d) Propozojmë gjithashtu për një shqyrtim më të mirë problemit çam, të formohet një komision qeveritar dhe në mbështetje të këtij raporti, të vizitojnë qendrat Çame për të studjuar mundësitë praktike për sistemimin e çamëve në emigracion në gjendje më definitive.
Tiranë, më 3 Qershor 1946.