Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Urrejtja, helmi që ndot mjedisin tonë

 

Varfëria më e madhe ndër qytetarët e këtij vendi është humanizmi.

Ditën e premte, më 22 shtator qytetarët dolën në rrugë duke braktisur për një ditë makinat e tyre, shpesh mjete të nevojshme për të kryer një punë. Dolën nëpër qytet me biçikleta si kujtesë për të ruajtur ajrin nga ndotja. Ka një përkujdesje nga shoqata mjedisore dhe organizma të tjerë për të ruajtur gjelbërimin dhe pastërtinë e qytetit, për të shtuar mjediset e gjelbëra në të mirë të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Kjo është një dukuri me të vërtetë pozitive. Por shoqëria jonë, për mendimin tim, ka edhe një problem të madh, atë të dehumanizmit të madh të saj. Ky dehumanizëm, apo thënë shqip, zhveshja e njeriut nga respekti, ndjeshmëria dhe dashuria për njeriun ka arritur në përmasa të frikshme në shoqërinë shqiptare. Po t’u hedhësh një sy kronikave të medias së përditshme vëren se jeta është gjëja me më pak vlerë ndër qytetarët shqiptarë. Historia jonë e largët dhe e afërt ka ndikuar në këtë çnjerizim të banorëve të këtij vendi. Lufta e klasave qe në themel të socializmit real shqiptar, që do të thotë se ngrehina e kësaj shoqërie ishte e ndërtuar nga një material që thirrej urrejtje.
Edhe pas rënies së diktaturës shoqëria shqiptare nuk pësoi ndonjë pastrim shpirtëror për të fituar dimensionet njerëzore, aq të nevojshme për të ndërtuar një shoqëri të lirë. Lufta e klasave vazhdoi në një formë tjetër, urrejtje e mungesë tolerance për të ndryshmin. Tranzicioni i gjatë shqiptar mund të lexohet si pasojë e mungesës së bashkëpunimit të qytetarëve shqiptarë, si pasojë e urrejtjes midis tyre, si pasojë e mungesës së njerëzores në marrdhëniet midis njerëzve të një gjuhe e të një kulture. Në anarkinë postdiktatoriale nuk u ngrit një sistem vlerash, mbi sistemin e rrënuar të diktaturës, ndaj sot qytetarët shqiptarë vërtiten në gërmadhat e atij sistemi të dështuar.
Edhe sot e gjithë ditën terreni më i zhveshur në mjedisin shqiptar, terreni më i shkretuar, terreni më i ndotur që ka nevojë për pastrim dhe “gjelbërim”, është pikërisht mendja dhe shpirti i banorëve të tij. Krahas ruajtjes dhe pasurimit të mjediseve të gjelbëra, krahas sloganeve dhe veprimeve për një qytet të paster, shoqëria shqiptare ka nevojë të hartojë edhe platformën e humanizimit të saj. Tymi i makinave nuk është asgjë para helmit që lë pas urrejtja e njeriut për njeriun.

Please follow and like us: