Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohet së shpejti dosja e ekzekutimit të grupit të deputetëve ‘45

Në procesin e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Autoriteti do të publikojë informacione mbi të vërtetën e dy ekzekutimeve komuniste: atë të një grupi deputetësh opozitarë në ‘45 dhe një grupi tjetër intelektual

E rëndësishme në këtë proces është njohja me të kaluarën por edhe mënyrën se si përcillen të dhënat në media. Për të qenë sa më profesional, Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë bashkë me ekspertë të huaj trajnuan gazetarët mbi rëndësinë e këtyre dokumenteve sekretë.

Qytetarët shqiptarë do të njihen së shpejti me të vërtetën e ekzekutimi të grupit të deputetëve në vitin 1945, që guxuan të bënin lëvizje antikomuniste dhe vendimin në marrëveshjen e “Mukjes” për eliminimin e eksponentëve të organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar apo Legaliteti.

Gjithashtu, hapja e dosjeve të Sigurimit do të nxjerrë të vërteta mbi ekzekutimet komuniste të grupit të inxhinerëve të Maliqit.

Në këto dy plane të rishikimit të historisë po punon Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Gentiana Sula:Ashtu siç bëmë rivlerësimin e figurës së Musine Kokalarit dhe doktoreshë Sabiha Kasimatit ashtu do të vazhdojmë me ngjarje të tjera të rëndësishme për historinë e kombit shiptar.

Me datën 10 tetor është përvjetori i ekzekutimit të grupit të deputetëve, me 8 nëntor është përvjetori i ekzekutimit të grupit të inxhinierëve të kënetës së Maliqit. Po punojmë me partnerë për ti sjellë këto ngjarje në fokus të publikut pa harruar dhe figurën e tyre njerëzore të personave të përsekutuar.

Por e rëndësishme është se si përcillet në media i gjithë procesi i hapjes së dosjeve të sigurimit.

Për këtë arsye Insitutit për Demokraci Media dhe Kulturë, fondacioni Konrad Adenauer sollën në Shqipëri ekspertë të huaj nga Gjermania dhe Rumania, vendet që kanë një eksperiencë të gjatë në këtë proces të cilët demonstruan përvojën e tyre përpara gazetarëve.

Drejtorja e Institutit, Jonila Godole, e sheh median si bashkëpunëtore në këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët.

Jonila Godole:Nuk ka përballje me të shkuarën dhe nuk ka ballafaqim me të kaluarën komuniste pa mbështetjen e mediave dhe pa rolin e mediave. Ky është mesazhi dhe kjo është pikënisja e gjithë këtyre aktiviteteve. Pa median nuk kemi ku të shkojmë. Por media vetë duhet të ketë më shumë njohuri për këtë gjë.

Gjemania ka 20 vjet që ka nisur hapjen e dosjeve sekrete, atë qe vendi ynë është duke e bërë tashmë.

Ekspertja dhe gazetarja gjermane Dagmar Hovestädt mendon se hapja e dosjeve do të na njohë me të vërtetën e së kaluarës dhe se personat që kanë jetuar në atë kohë duhet të përshihen në një debat publik.

Dagmar Hovestädt: Shqipëria duhet të bëjë të njëjtën gjë me të kaluarën siç ka bërë Gjermania 27 vite më parë. Dosjet janë vetëm një mënyrë për të njohur të kaluarën dhe të informohemi saktësisht për atë që ka ndodhur. Kjo është një mënyrë për të qenë sa më pranë të vërtetës. Të dhënat janë këtu dhe personat që kanë jetuar në atë kohë të regjinmit komunist duhet të përfshihen në një diskutim të gjerë publik.

Ekspertja e çëshjeve të komunikimit dhe medias në Rumani, Dr. Germina Nagat, thotë se procesi i dosjeve duhet të mbështetet gjerësisht.

Germina Nagat: Që në fillim të këtij procesi që në Rumani nisi në vitin 1999, gazetarët u konsideruan si gardianët e ligjit dhe institucioneve për diskutimin publik të ngritur. Hapja e dosjeve të policisë sekrete edhe tek ne nuk ishte një proces i lehtë. Përkundrazi ishte një proces i vëshirë, do kohë dhe mbështetje të gjerë.

Deri më tani, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka shqyrtuar 200 kërkesa individuale, ndërsa në filtër kanë kaluar edhe 650 persona në pritje të rritjeve të tyre në karrierë.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, evidenton edhe një tjetër fakt: Akademikët po kërkojnë të bëjnë verifikimin e figurës së tyre.

Gentiana Sula:Së fundi me shumë kënaqësi do të thoja, që edhe funksionarë, sidomos personeli i institucioneve akademike edhe pse nuk është detyrim ligjor kanë ardhur vullnetarisht të bëjnë verifikimin e figurës. Vë re që ka një interes në rritje.

Në diskutimin me gazetarë dhe gardiantët e lirisë së medias, u evidentua rëndësia se sa e kujdesshme duhet të jetë media në respektimin e të dhënave personave dhe historisë së viktimave gjatë periudhës komuniste.

Please follow and like us: